Braziliani Sylvinho do të jetë trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë. Ndonëse, akoma nuk është bërë zyrtare, lajmi në fjalë konfirmohet nga burime të brendshme të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Nga sa bëhet e ditur, ndihmësi i Tite tek Brazili ka qenë në rivalitet për këtë post me emra të tjerë trajnerësh, si Felix Magath, Reinaldo Rueda, Luigi Di Biagio, Massimo Oddo, por që në fund, presidenti Armand Duka dhe stafi i tij kanë vendosur për brazilianin.
Braziliani ka një karrierë mjaft të mirë si futbollist, ku ka luajtur për Korinthias, Arsenal, Barcelonën dhe Manchester City. Ndërsa sa i përket eksperiencës si trajner, ka qëndruar për disa kohë në krye të Lyon në 2019 dhe 1 vit tek Korinthias në Brazil. Ndërsa së fundmi ka qenë ndihmës i Tite tek Kombëtarja e Brazilit.
Si futbollist, ai ka luajtur 415 ndeshje në karrierë me klubet, ku ka shënuar edhe 7 gola. Ndërsa me Brazilin ka 6 paraqitje. Vlen të theksohet se është 2 herë fitues i “Champions League” me Barcelonën dhe i 3 kampionateve në Spanjë.Për tu theksuar është se pas 10 vitesh, Shqipëria nuk do të ketë më trajner Italian, por Brazilian dhe do të jetë hera e parë që në krye kemi një trajner nga përtej oqeanit.Deri më tani, në pankinë kemi pasur trajner nga Ish-Jugosllavia, Shqipëria, Hungaria, Kina, Italia, Gjermania, Kroacia dhe Italia.
Sipas burimit në fjalë, prezantimi zyrtar pritet të bëhet me datë 9 janar 2023, dhe se një ndër objektivat kryesorë të Sylvinhos do të jetë kualifikimi në “Euro 2024”, që do të mbahet në Gjermani.