Sunday, November 24, 2024

(Video)Presidenti Duka, mesazhi i urimit për vitin e ri 2023: Së bashku përmes futbollit të përjetojmë emocione dhe arritje të mëdha!

Lexo

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në prag të festës së ndërrimit të viteve ka bërë një mesazh urimi për komunitetin e futbollit, ku ka folur për arritjet e mëdha që u fiksuan në vitin 2022 si edhe për objektivat e ardhshëm në vitin e ri 2023.

Në mesazhin e tij, Presidenti Duka ndër të tjera përmend linçimin e strategjisë “Futbolli për Kombin”, finalen historike të UEFA Conference League në Tiranë, investimet e mëdha që FSHF ka realizuar në infrastrukturë, që nga stadiumi i ri Kukës Arena e me dhjetëra fusha të ndërtuara anembanë vendit.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për prioritetet e mëdha të FSHF-së që janë futbolli i vajzave dhe ai i fëmijëve, ndërkohë që premton se edhe në vitin 2023 FSHF do të japë mbështetje të madhe për ta zhvilluar sa më shumë futbollit.

Më poshtë edhe mesazhi i plotë i Presidentit Duka në prag të festës së vitit të ri 2023:

Të dashur futbollistë dhe futbolliste, fëmijë, trajnerë, mjekë e përgatitës atletik, zyrtarë e drejtues klubesh

Shumë të dashur tifozë që na mbështesni kudo që ndodheni,

Mbërritëm në fundin e vitit. Ne në Federatën Shqiptare të Futbollit kemi ç’të themi ndërsa bëjmë bilancin e këtij viti dhe kemi të qartë se çdo të presim në vazhdim.

E filluam me debate dhe polemika të dëmshme për futbollin. Por kuptuam gjithashtu se kur qëndrojmë të gjithë bashkë, është shumë e vështirë për këdo, politikan, qeveri apo komunitet jashtë nesh, të mund të na përçojë energji negative.

Unë personalisht, si president i Federatës, do ti shpenzoja të gjitha energjitë e mia dhe stafit e komunitetit që përfaqësojmë në zhvillimin e futbollit, dhe këtë bëmë.

E filluam vitin me lançimin e strategjisë “Futbolli për kombin” një dokument i plotë me pikësynimet se ku duam të mbërrijmë në katër vitet e ardhshme. Objektiva të vështira për shumëkënd, por ne, duke qenë të vetëdijshëm për rolin dhe fuqinë tonë në shoqëri dhe kapacitet tona, jemi të bindur se do ta realizojmë plotësisht atë.

E vazhduam në maj, me ngjarjen më madhështore sportive që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, kur UEFA, (me të drejtë) pas një pune serioze të Federatës shqiptare të futbollit, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera dhe në veçanti me qeverinë, na besoi finalen e madhe të Conference League.

Sytë e miliona qytetarëve në botë u drejtuan drejt “Air Albania Stadium” ku u luajt një finale e parë mes ekipit të Romës dhe Fejnordit. Fishekzjarret e festës, shkëlqimi i 25 majit, është me të drejtë një “kartolinë krenarie” për atë që kemi arritur të bëjmë si komunitet. Një aktivitet magjik që nderoi Shqipërinë dhe shqiptarët, duke marrë vlerësime maksimale nga UEFA dhe i gjithë opinionin publik ndërkombëtar. Ne ja dolëm. Edhe njëherë Shqipëria e futbollit tregoi para të gjithë botës se është e denjë të jetë në podin e më të mëdhenjve.

Miq të familjes së madhe të futbollit,

Inauguruam “Kukësi Arena”, stadiumin “Partizani”, stadiumin “Vora”, ndërtuam fusha të reja në Kukës, Durrës, Lushnje, Tiranë, Shkodër, Luz, Orikum si dhe përmbyllëm me sukses punimet në “Shtëpinë e Futbollit shqiptar”. Investime të jashtëzakonshme, madhore, dikur një ëndërr, por sot, një realitet i prekshëm nga futbollistë dhe futbolliste që luajnë çdo javë në këto terrene. Një falënderim shkon për të gjitha Bashkitë dhe klubet që u bënë pjesë e projektit të 100 fushave si dhe Qeverinë shqiptare, që ishte partneri i FSHF-së në ndërtimin e stadiumit Kukësi Arena, një xhevahir infrastrukturor që i bashkohet kolanës së 2 stadiumeve të tjera që kemi ndërtuar së bashku.

Por jo gjithçka shkoi siç ne do të dëshironim. Ekipi Kombëtar, që vinte pas një fushate kualifikuese të shkëlqyer për Kupën e Botës, nuk i përmbushi pritshmëritë dhe objektivat e paracaktuar në Ligën e Kombeve. Sigurisht që kjo solli zhgënjim, mërzi dhe kritika, ashtu siç ndodh gjithmonë në sportin magjik të futbollit pas çdo mospërmbushje objektivash. Por tani është koha të shohim përpara, të bashkuar, ashtu si në 2016-n, skuadër, drejtues, tifozë, media dhe opinion publik, ne mund të arrijmë në 2023 rezultate të shkëlqyera dhe ta rikthejmë Shqipërinë në finalet e një Kampionati Europian. Koha ka treguar se kur ka përkushtim, sakrifica dhe vendosmëri, nuk ka objektiva të paarritshme.

Prioriteti jonë i madh, futbolli i vajzave, këtë vit shënoi arritjet më të mëdha në historinë e tij. Ekipi Kombëtar regjistroi rekordin e pikëve të marrë në një fushatë kualifikuese për Kupën e Botës, duke na konfirmuar edhe njëherë se investimet tona për vajzat po japin frytet e veta. Vllaznia, kampionia e Shqipërisë, si kurrë më parë në histori arriti në fazën e grupeve të Champions League, duke thyer çdo rekord me renditjen në 16 klubet më të mira të Europës. Një arritje që padiskutim na bën krenar e na nxit të investojmë gjithmonë e më shumë. Këtë vit, krijuam ekipin Kombëtar U-15 për vajza, një tjetër objektiv i rëndësishëm i strategjisë “Futbolli për Kombin”. Kjo skuadër, është produkt i punës së bërë me ekipet U-13 të vajzave dhe skuadrat e ngritura në shkollat 9-vjeҫare. Nuk do të ndalemi, deri kur futbolli i vajzave të arrij në maja, sepse ne u jemi borxhli vajzave të futbollit. Do të mbështesim pa kursim ëndrrat dhe pasionin e tyre për sportin më të bukur në botë.

Fëmijët janë e ardhmja e një Kombi, padiskutim që edhe në futboll është e njëjta logjikë. Fokusi jonë kryesor dhe buxhetet tona më të mëdha prej vitesh i dedikohen futbollit të bazës, fëmijëve të këtij vendi, për t’i dhënë ditë pas dite më shumë mundësi dhe kushte më të mira për të luajtur futboll. Ne iniciuam projektin “Uniforma Ime”, një projekt i cili i jep çdo të të riu dhe të reje setin e nevojshëm që duhet për të luajtur futboll. Nga ky vit, Federata Shqiptare e Futbollit është partner direkt mijëra familjeve shqiptare. Ky ishte viti i parë, vetëm fillimi. Efektet janë ndjerë që këtë vit ku kemi mbi 1 mijë fëmijë më shumë që luajnë futboll. Një rrugë e gjatë është përpara. Ajo që në finishin e saj ka objektivin për të krijuar ambientin perfekt për çdo të ri dhe të re që afrohet te sporti jonë magjik.

Miqtë e mi,

Janë vetëm muajt e parë të fillimit të këtij mandati katër vjeçar. Të tjera sfida na presin në vitin që vjen. Po punojmë me profesionalizëm me partnerët tanë Uefa dhe Fifa që të garantojmë më shumë aktivitete ndërkombëtare në vend. Për shkak të seriozitetit tonë, dhe aftësisë që kemi treguar për të menaxhuar aktivitete të tilla, për vitin 2023 na janë besuar dhjetë turne ndërkombëtare për futbollin e vajzave, apo djemve, në mosha të ndryshme. Një ndër to, Elite Round i Kombëtares U-17 që arriti një kualifikim të rëndësishëm duke u përballur e konkurruar denjësisht me ekipe të rëndësishme si Suedia, Kroacia e Uellsi. Rezultate këto që treguan edhe njëherë se futbolli shqiptar është në drejtimin e duhur dhe me moshat po bëhet një punë shumë e mirë.

Investimet në infrastrukturë do të mbeten një prioritet i domosdoshëm edhe në 2023-in. Jemi duke mbështetur çdo bashki që ka në fokus zhvillimin e futbollit, në ndërtimin e fushave të reja.

Kemi shtuar kurset e trajnimit në shumë sektorë me lektorë ndërkombëtarë, për të gjithë ata që duan të vazhdojnë dijet e tyre në fushën e mësimdhënies në sportin e futbollit.

Projektet “Uniforma Ime” dhe “Topi Yt” do të jenë aktiv edhe në vitin që vjen, si një burim i sigurt suporti financiar për të gjithë fëmijët që do të luajnë futboll.

Në organizimin e brendshëm, pakkush e di se Federata Shqiptare e Futbollit organizon 571 ndeshje në javë në të gjitha kategoritë. Janë me qindra futbollistë profesionistë, dhe po ashtu qindra arbitra në të gjitha nivelet që suportohen financiarisht nga Federata.

Ndaj përpjekjet tona nuk do të ndalen dhe të gjithë bashkë, do të shijojmë frytet e punës sonë të madhe, pse jo, dhe të shpresojmë për më shumë sukses në ndeshjet e Kombëtares tonë për kompeticionin e radhës.

Miq të botës së futbollit dhe jo vetëm,

Duke qenë pak orë larg nga viti 2023 dua t’ju uroj sa më shumë gëzim në familjet tuaja kudo që ndodheni. Falënderoj me zemër këdo që merr kohë dhe mendon për lojën e bukur të futbollit, qofshin këta profesionistët e fushës, apo edhe tifozët e tribunave.

Gëzuar Vitin e Ri, qoftë ky një vit sa më i mbarë dhe i shëndetshëm për të gjithë.

Uroj që së bashku në 2023-shin përmes futbollit të përjetojmë emocione dhe arritje të mëdha.

(Video) Urimi i Presidentit të FSHF-së Armand Duka për vitin e ri 2023!

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img