Erzeni-Tirana 0-2(Shënues: Hasani 83’, 90’+6’)
Ashtu siç u parashikua, ndeshja e mbrëmjes, Erzeni-Tirana, e fundit për javën e 18-të të Kategorisë Abissnet ishte padyshim më e bukura e të pesë dueleve të kësaj jave. Bukurinë këtij takimi ia dhanë edhe dy tifozëritë përkatëse, shijakasit vendas dhe ato tiranas mysafir, të cilët mbajtën gjallë entuziasmin e 90-të minutave të luajtura në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.
Dy skuadra që ishin futur në fushën e lojës me objektiv vetëm fitoren, për të cilën flasin edhe rastet e regjistruara në të dy portat respektive. Ndeshje, e cila u vendos nga Hasani, i cili me dy golat e shënuar në portën shijakase shfaqet si zëvëndësuesi i denjë i Xhixhës së larguar në Azerbajxhan.
Për hirë të së vertetës, në 45 minutat e para, më ngulmues shfaqen shijakasit, të cilët kanë qenë më të rrezikshëm dhe Nonato nuk e kalibron siç duhet goditjen e tij në minutën e 9-të, ndërsa Ademi ka dy raste të volitshme brenda 3 minutash, teksa fillimisht në të 20-tën ndalet nga shtylla horizontale, ndërsa në të 23-tën, nuk e fiton dot duelin e shpejtësisë me gardianin e portës kryeqytetase, Bekaj. Ndërsa, miqtë nga Tirana, duket sikur kolaudohen në 20-të minutat e fundit të pjesës së parë, teksa shfaqen të rrezikshëm, fillimisht me brazilianin Patrik, e më pas edhe me Gjumsin, por pa rezultat dhe, për rrjedhojë, pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura.
Më të njëjtin ritëm që mbylli pjesën e parë, Tirana vazhdon edhe në fillimin e së dytës dhe në minutën e 61-të, Gjumsi e mposht gardianin e portës shijakase, Xhikën, por jo shtyllën e djathtë të saj, që mohon golin.
Shijakasit rishfaqen përsëri diktues në fushën e lojës, dhe në të 79-tën janë fare pranë golit të avantazhit. Është Peposhi që godet mjeshtrit, por portjeri Bekaj bën mrekullinë duke mbajtur në lojë Tiranën me rezultatin 0-0.
Emocionet kalojnë sa në njërën portë në tjetrën, dhe tashmë janë miqtë që i gëzohen një penalltie të fituar nga Hasani pas prekjes së topit me dorë nga Krasniqi brenda zonës shijakase, vendim që merret nga gjyqtari Jorgji pas verifikimit të pamjeve në sistemin VAR.
Ekzekutimi i besohet atij që e mori, Hasanit, i cili me qetësi e dërgon në rrjetë. 0-1 për Tiranën, rezultat që nuk pajtohet fare Erzeni, i cili hidhet i tëri në sul në kërkim të golit të barazimit. Por, Tirana mbetet Tiranë, dhe në limitet e kohës shtesë godet përsëri me të njëjtin emër, Hasanin, i cili shënon golin e dytë duke vulosur rezultatin e krejt ndeshejs, 0-2 për bardheblutë.
Fitore që regjistron shkëputjen e Tiranës në krye të renditjes, tashmë e shkëputur me katër pikë më shumë se sa Partizani i vendit të dytë dhe pesë nga Vllaznia e vendit të tretë. Ndërkohë, humbja për Erzenin bën që ai të mos përfitojë nga humbja e Vllaznisë për t’i marrë vendin e tretë kuqebluve duke mbetur në vendin e pestë të renditjes me pikë të barabarta me Egnatian, e cila edhe ajo nga ana e saj u mund këtë javë.