Tuesday, November 26, 2024

(Intervista) Rrëfehet Fjoart Jonuzi. Me golin e shënuar ndaj skuadrës së qytetit të tij, kuksiani i Vllaznisë mbërrin në kuotën e 5 golave. Objektivi: Titulli kampion me Vllazninë dhe kombëtarja!

Lexo

Konsiderohet, lojtari i momentit te Vllaznia. Fjoart Jonuzi, mesfushori kuksian që po luan sezonin e tretë me Vllazninë, ka shënuar pesë gola në gjashtë ndeshjet e fundit, duke pasur një kontribut fantastik me fanellën kuqeblu. Në ndeshjen e fundit ai shënoi ndaj skuadrës së vendlindjes, Kukësit, aty ku dhe u afirmua si lojtar, por që shpërtheu më pas te Laçi, ndërsa luajti edhe për një sezon te Gjilani në Superligën e Kosovës.

Jonuzi numëron 78 ndeshje në Superiore me Vllazninë deri më tani, ndërsa ka fituar dy Kupa të Shqipërisë. Këtë sezon ai shpreson që të festojë në fund titullin kampion. Dje, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 26-vjeçari foli për momentin fantastik që po kalon, ndërsa tregoi edhe disa detaje të pathëna për veten. Sigurisht, kuksiani kishte një koment edhe për ndeshjen e së dielës ndaj Tiranës.

E kishe menduar se një ditë do të vinte edhe ky moment, që të ishe kryeshënues i Vllaznisë?

Me thënë të drejtën jo, por për të shënuar gol kam menduar, por jo golashënues dhe për këtë jam i lumtur jo vetëm për golat por edhe për rezultatet me ekipin. Nëse nuk jemi mirë si ekip, ato gola nuk vlejnë. Por nuk duhet që të kënaqemi me kaq duhet që të jemi me këmbë në tokë për ndeshjet e tjera.

Goditjet nga distanca janë tashmë specialiteti juaj, e keni diçka të lindur apo keni punuar shumë që keni arritur deri këtu?

Mund të them se është diçka e lindur, por talenti pa punë nuk vlen sepse duhet shumë punë e madhe që të vendosesh që ta vësh në punë atë që ke dhunti. Duhet të punosh çdo dite që ta përmirësosh dhe prefeksionosh me mkirë. Unë mundohem te bëj këtë edhe në stërvitje, që të marr frytet e punës.

Keni ndonjë lojtar në futbollin botëror që ju frymëzon dhe që e pëlqeni edhe prej goditjeve nga distanca?

Jo nuk është se fiksohem mbas një lojtari, por mundohem që çdo futbollisti botëror ti marrë me të mirat, sidomos në rolin tim. Pasi vetem kështu mund të përmirsohesh si futbollist.

Nuk është hera e parë që i shënon Kukësit, kush ka qenë ngacmimi më i bukur që keni marrë dje pas ndeshjes?

Po tani ngacmime do ketë sepse qyteti i lindjes edhe është normale pasi ju vjen keq edhe për humbjen edhe që po kalojnë një moment jo të mirë. Unë i uroj më të mirat dhe shpejt del nga kjo krizë.

Si nis një ditë për ty në Shkodër dhe si e kaloni kohën përveç stërvitjes?

Mund të them që jam përshtatur shumë mirë në Shkodër njerëzit janë të respektueshëm sidomos kur shënon që të urojnë të gjithë. Kohën e lirë për ne përveç regjimit që është shumë i rëndësishëm për ne, e kalojmë normalisht në kafe me miqtë apo ndonjë drekë nga liqeni në Shirokë aty them se ja vlen.

Kush janë shokët e skuadrës që shoqëroheni më tepër?

Përgjithësisht me të gjithë pasi grupi është shumë i mirë. Por pak më shumë me Kainën.

Kush është ushqimi juaj i preferuar?

Nuk kam ushqim të preferuar. Jam tip që nuk i bëj naze ushqimit, mjafton të më shijoj.

Nëse nuk do të ishe bërë futbollist, çfarë mendon se mund të ishe bërë sot?

Me thënë të drejtën se kam menduar fare, ndoshta do me duhet ta mendoj kur të përfundoj karrierë, sepse është e rëndësishme çfarë profesioni do të kesh pas futbollit.

Me cilin ekip europian bëni tifo?

Përveç kombëtares tonë me pëlqen Spanja. Mënyrën e futbollit si e shikojnë atë e si luajnë, janë shumë të disiplinuar. Spanja më pëlqen më tepër.

Cila është ëndrra juaj në futboll, çfarë doni të arrini?

Ëndrra ime është të luaj për kombëtaren në kampionatin Europian dhe gjeja që dua të arrij tani është të shpallem kampion me Vllazninë.

Deri ku mund të shkojë kjo Vllazni këtë sezon?

Po un besoj që mund të bëjmë gjëra të bukura këtë sezon. Duke shikuar edhe përbërjen e ekipit cilësinë që kemi, por edhe grupin e çunave që është shumë i mirë me shumë punë besoj do të konkurrojmë deri në fund për të fituar titullin kampion.

Luani me Tiranën të dielën, besoni te fitorja?

Besojmë shumë sepse i kemi mundësit është një ndeshje e fort dhe shpresojmë të jetë edhe e bukur. Një nga përballjet më të bukura të futbollit shqiptar. Luajmë me kryesuesen dhe duhet punë e madhe bashkë me ndihmën e tifozëve në qoftë se duam të marrim 3 pikët.

Admir Uruçi

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img