Kursi për trajnerët e portierëve “UEFA B Goalkeeping” i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur në fund të muajit janar si një risi e rëndësishme në drejtim të edukimit dhe kualifikimit të trajnerëve që punojnë në futbollin shqiptar.
Pjesëmarrësit në këtë kurs të parë janë trajnerë portierësh nga klube të ndryshme shqiptare, por edhe disa nga anëtarët e stafeve të ekipeve kombëtare të moshave. Në Sektorin e Edukimit në FSHF është ngritur prej kohësh një Sektor i posaçëm për Zhvillimin e Portierëve, që synon të rrisë nivelin e trajnerëve të portierëve, duke i ofruar atyre formimin bashkëkohor rreth stërvitjes së portierit modern.
Kursi zgjat për 4 muaj me radhë, ndërkohë që aktualisht u mbyll edhe blloku i dytë me pjesëmarrësit të cilët janë angazhuar në seanca teorike dhe praktike me lektorët.
Përgjegjësi i Sektorit të Zhvillimit të Portierëve në FSHF, Erion Meta, i cili është edhe një nga udhëheqësit e kursit, shpjegon se përshtypjet e marra gjatë bllokut të parë të programit kanë qenë shumë pozitive dhe pjesëmarrësit janë shfaqur shumë entuziast për këtë nismë.
“Sot kemi përfunduar bllokun e dytë të kursit UEFA B Goalkeeping, është një risi e FSHF-së që po shkon mjaft mirë. Përshtypjet edhe nga përfaqësuesi i UEFA-s që mori pjesë në bllokun e parë të kursit ishte mjaft pozitiv dhe kjo na bën mjaft entuziast për vazhdimësinë e kursit.
Ndërmjet bllokut të parë dhe bllokut të dytë kemi pasur takime online me pjesëmarrësit për t’u përditësuar rreth vazhdimësisë së tyre nëpër klubet përkatëse dhe mundësive që kanë pasur për të aplikuar metodat e reja që kanë mësuar gjatë kursit në klubet e tyre”, – thotë Erion Meta duke folur për Fshf.org.
Synimi është që nëpërmjet këtij kursi do të punohet njëkohësisht edhe për të rritur sa më shumë numrin e portierëve nëpër akademi dhe klube si edhe për të pasur portierë sa më cilësorë në të ardhmen. Meta shpjegon se kemi të bëjmë me një plan afatgjatë të FSHF-së për të zhvilluar portierët dhe se frytet e para të kësaj iniciative kanë nisur të shihen që tani.
“Tani jemi në një fazë mjaft të rëndësishme të kursit sepse jemi fokusuar specifikisht tek programi i seancave stërvitore duke u bazuar te realiteti i ndeshjeve. Kjo është një risi e kursit dhe kolegët e kanë pritur me mjaft dashamirësi dhe mjaft interes këtë fazë. Ky është një program afatgjatë i Federatës Shqiptare të Futbollit për të zhvilluar rolin e portierëve në Shqipëri në rang kombëtar dhe deri më tani mendoj se i kemi mbledhur frytet e para sepse interesi ka qenë mjaft i lartë dhe shikojmë që kolegët po adaptohen çdo ditë e më shumë me metodat moderne të propozuara dhe nga UEFA”, – theksoi Erion Meta, duke shtuar se së shpejti do të organizohen edhe disa seminare online me lektorë të huaj. “Në javët në vazhdim jemi duke planifikuar disa seminare që do t’i zhvillojmë online, i pari do të jetë pas dy javësh ku do të jetë i ftuar edhe një lektor nga Federata Italiane e Futbollit dhe mendojmë që të vazhdojmë kështu përgjatë gjithë sezonit me seminare dhe takime online përditësuese me kolegët”, – u shpreh ai.
Portieri është një rol delikat dhe kërkon vëmendje të veçantë dhe për këtë arsye në vitet e ardhshme, qëllimi i FSHF-së është që të mbështesë akademitë që ta bëjnë rolin e portierit prioritet, që të rritet si rol edhe në aspektin sasior, por edhe në atë cilësor.
“UEFA B Goalkeeping” i bashkëngjitet programeve të edukimit që FSHF ka implementuar prej kohësh në edukimin dhe kualifikimin e stafeve teknike, duke i dhënë një rëndësi të veçantë edhe rolit të trajnerit të portierëve si një figurë kyçe në stafin teknik të një skuadre futbolli.
(Video) Pamje nga kursi për trajnerët e portierëve “UEFA B Goalkeeping” i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.