Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës, kanë luajtur të enjten ndeshjet e kthimit të “play-off”-it të fazës së pasgrupeve, një fazë e re kjo e shtuar këtë sezon, që ndërthur edhe skuadrat e eliminuara nga Liga e Kampioneve dhe përcakton përbërjen e turit të 16-shes. Natyrisht, vëmendja kryesore ka qenë në mitikun “Olld Traford”, aty ku Mançester Junajtid ka pritur Barcelonën, pas atij barazimi spektakolar, 2-2, që dy skuadrat arritën në ndeshjen e parë në “Kamp Nou” javën e shkuar.
Dhe ndeshja e kthimit nuk ka zhgënjyer, teksa janë katalanët që mbyllin pjesën e parë në epërsi minimale, pas një 11-metërshi të saktë të Robert Levandovskit. Por pjesa e dytë ka parë anglezët të përmbysin shifrat, teksa Fredi do të barazojë fillimisht shifrat me një goditje të beftë në kufijtë e zonës në minutën e 47-të. Dhe Mançester Junajtid do të këmbëngulë dhe do të kalojë në epërsi 17 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Antoni do të godasë bukur, duke finalizuar një aksion të gjatë të skuadrës së tij.
Përtej përpjekjeve të ethshme të Barcelonës, Mançester Junajtid e mbron fitoren 2-1 dhe vijon më tej aventurën kontinentale, teksa katalanët e mbyllin këtu. Ndërkaq, në ndeshjet e zhvilluara më herët siguruan kualifikimin për më tej në Ligën e Evropës Juventusi, Sportingu i Lisbonës, Sevilja dhe Bajer Leverkuseni. Kjo e fundit pati nevojë për goditjet nga pika e bardhë e 11-metërshve për të mposhtur Monakon, me të dyja skuadrat që i fituan ndeshjet në fushën e njëra-tjetrës me shifrat 3-2 dhe kohët shtesë nuk prodhuan gola të tjerë.
Po kështu, kualifikimin e siguruan më vonë edhe Bazeli, Roma dhe Unioni i Berlinit. Kurse në Ligën e Evropës, kualifikimin për në turin e 16-shes e siguruan më herët Lacio, Sherifi i Tiraspolit, AEK-u i Larnakës dhe Anderlehti. Edhe kjo e fundit pati gjithashtu nevojë për goditjet nga pika e bardhë e 11-metërshve për të mposhtur bullgarët e Ludogoretsit. Po kështu, kualifikimin e siguruan më vonë edhe Bazeli, Fiorentina dhe Leh Poznani.