Kursi për licencën e trajnerit UEFA i organizuar nga FSHF ka tërhequr interesin e profesionistëve të futbollit, të cilët duan të vazhdojnë ngjitjen e shkallëve të karrierës, duke u kualifikuar për të drejtuar skuadra të rëndësishme dhe për të vijuar formimin drejt nivelit më të lartë të trajningut.
Një nga emrat e njohur që janë bërë pjesë e këtij edicioni është edhe ish-futbollisti i njohur, Skerdi Bejzade, i cili po rikthehet në botën e trajningut pas një shkëputjeje. Bejzade vlerëson shumë nivelin e kurseve për trajnerë që organizon FSHF dhe shprehet i impresionuar me kushtet që ka gjetur këtu.
“Pas karrierës si futbollist unë jetoj prej 10 vitesh në Gjermani dhe kam punuar si trajner për tre vjet në ligat amatore. Kam pasur licencën UEFA B, teksa kam punuar si trajner dikur edhe skuadrën e Kamzës dhe më pas pata një shkëputje. Tani kam vendosur të pajisem me licencën UEFA A, duke parë edhe nivelin që ka kjo licencë që njihet në të gjithë botën dhe mu dha mundësia ta kryeja këtu në FSHF”, – thotë ish-futbollisti në një prononcim për Fshf.org, teksa thekson se pjesa e formimit të një trajneri është një proces i vazhdueshëm me njohuritë që duhen përditësuar kohë pas kohe.
“Shikoj një ndryshim shumë të madh krahasuar me më shumë se 10 vjet më parë, mund ta them me bindje se ky kurs dhe kjo licencë janë me standardet më të mira europiane, ndaj ka edhe aq shumë kërkesa. Lektorët e huaj që vijnë nga UEFA janë ekspertë shumë të përgatitur, ndërsa ne trajnerët që formohemi përmes këtyre kurseve duhet në vazhdimësi të mësojmë e të përditësojmë njohuritë e marra, sepse ky është një proces që nuk mund të mbyllet thjesht me ndjekjen e kursit”, – theksoi Bejzade.
Pas përfundimit të kursit për licencën UEFA A, ish-futbollisti synon që të vazhdoj formimin e tij si trajner me licencën UEFA Pro me objektivin për të drejtuar një skuadër të rëndësishme futbolli në të ardhmen.
“Synimi im që pasi të zotëroj licencën e trajnerit UEFA A shpresoj të mund të vazhdoj edhe me kursin UEFA Pro, që është një shkallë vështirësie akoma dhe më e lartë. Pasi të kem përfunduar me këto licenca do të shoh mundësitë m të mira për të vazhduar karrierën si trajner në të ardhmen, mbase edhe me një skuadër shqiptare”, – deklaroi Bejzade për Fshf.org.
Edicioni i radhës i kursit për licencën e trajnerit të nivelit UEFA A ka nisur në fillim të muajit janar dhe ka hyrë në fazën më të rëndësishme me modulin e dytë. Kursi që udhëhiqet nga Sektori i Edukimit në FSHF nën kujdesin e Sulejman Starovës dhe Alban Tafaj do të zgjasë gjashtë muaj, ku të gjithë trajnerët e regjistruar do të kenë mundësinë të ndjekin këtë program arsimor përgjatë kësaj periudhe kohore, me një kurrikul të mirëpunuar nga FSHF-ja në bashkëpunim me UEFA-n.
(Video) Porononcimi i ish-futbollistit të njohur, Skerdi Bejzade, flet për kursin për trajnerë që organizon FSHF dhe shprehet i impresionuar me kushtet që ka gjetur këtu.