E diela e 5 marsit 2023, ka qënë një ditë e veçantë për Ermir Vajushin. Shkodrani që jeton prej disa vitesh me familjen e tij në Gjermani, pas marrjes së liçenses si trajner futbolli pranë Federatës Gjermane të futbollit, ka nisur karrieren e tij si trajner në futbollin gjerman.
Fillimisht me ekipet e moshave, më pas si zëvenëstrajner në ekipin e parë të SC Uelzen, ndërkohë që së fundmi i është besuar detyra e trajnerit të parë. Sot, Vajushi ka pasur debutimin e si trajner i parë, dhe çdo gjë ka shkuar në mënyrën më të mirë, pasi skuadra e drejtuar nga Ermir Vajushi, ka dalë fituese me rezultatin 1-4.
“Ishte ndeshje e vështirë për dy arsye. E para, në fazën e parë të sezonit kemi humbur 6 nga 9 ndeshje jashtë fushe, e sidomos me skuadrat e lehta në letër. E dyta, ndeshja u luajt në reshje dëbore dhe dihet që kushtet e vështira janë gjithmonë në favor të kundërshtarit më të dobët. E kishim përgatitur ndeshjen gjatë javës duke e ditur që do kishim përballë një kundërshtar që do mbrohej shumë në gjysmëfushën e saj. Shënuam shpejt me një sulm të rrjedhshëm duke u çliruar disi. Më pas krijuam shumë volum dhe raste, por pësuam një gol aksidental nga një dalje e gabuar e portjerit.”, shprehet Vajushi për Veriu Sport.
Për shkodranin e pankinës gjermane të futbollit, ajo që e gëzon më tepër, është fakti që skuadra nuk lëshoj për asnjë minutë dhe ishte gjatë gjithë ndeshjes në kërkim të golit të radhës. Gjë kjo që nuk ndodhte më përpara.
“U shënuan 4 gola por kishim mundësi që të shënonim edhe të paktën 5 të tjerë. Fakti tjetër që më gëzon është që po shënojnë sulmuesit. Dihet se sa e rëndësishme është për to që të shënojnë. Sulmuesi jeton me golin. U lumturova në një moment kur nxorëm nga loja një nga sulmuesit dhe ai ishte i mërzitur sepse donte të luante akoma. Uria për të shënuar më lumturon dhe më jep shumë shpresë. Sot bëmë veç detyrën, por është e rëndësishme që detyra të bëhet. Ndeshjet si këto mendoj se janë më të vështirat për një trajner, pasi duhet të gjejë mënyrën për të karikuar skuadrën, në mënyrë që të mos neglizhohet kundërshtari. Le të them që kam mësuar edhe nga Vllaznia, megjithatë nuk ka vënd për festa të mëdha. Duhet të ulim kokën dhe të vazhdojmë punën, pasi ne jemi në një proçes ndërtimi. Fokusi tashmë kalon tek kundërshtari i radhës.”, thekson ndër të tjera, trajneri shkodran i skuadrës gjermane, SC Uelzen.
Gaspër MARKU