Tirana-Besëlidhja 81-73
(21-16, 23-15, 10-22, 27-20)
Ndryshe nga futbolli ku skuadra lezhjane është e fundit në renditjen e Kampionatit Kombëtar të kategorisë së parë, në basketboll për meshkuj Besëlidhja ka qënë surpriza më e bukur e sezonit 2022-2023.
Ndonëse një skuadër debutuese e ardhur nga kategoria e parë, lezhjanët e basketit për meshkuj të drejtuar nga trajneri shkodran, Afrim Bilali, njëkohësisht edhe trajner i kombëtares së Shqipërisë ka sfiduar me radhë të gjitha ekipet e Superligës duke kryesuar me meritë tabelën e klasifikimit.
Lezhjanët janë ndalur vetëm në javën e 16-të, javë në të cilën u ndeshën në transfertë me ekipin e Tiranës, ku u mundën me rezultatin 81 me 73. Një ndeshje kjo që përgjithësisht u kontrolluar nga skuadra bardheblu, e cila nga katër perioda, në tre prej tyre doli fituese.
Konkretisht, Tirana fitoi dy perioda e para 21-16, 23-15, si dhe të katërtën, 27-20. Ndërkohë, lezhjanët fituan vetëm periodën e treten 10-22, por që nuk mjaftoi për të frenuar fitoren e bardhebluve të Tiranës me rezultatin 81-73.
Kjo humbje e Besëlidhjes, si dhe fitorja e Teutës në transfertë me Kamzën 73-78, ka bërë që tashmë në krye të jenë dy skuadra me pikë të barabarta, Teuta dhe Besëlidhja me nga 28 pikë. Në vend të tretë është Tirana me 25 pikë e ndjekur nga Kamza me 24, Apolonia me 22 dhe Vllaznia e fundit me 17 pikë, që tashmë ka humbur çdo shpresë për mbijetesën në kategorinë e Superligës.
(Video) Pamje nga ndeshja e Superligës së basketbollit meshkuj, Tirana-Besëlidhja 81-73