Vllaznia-Skënderbeu 3-1
(15-25, 25-17, 25-21, 25-11)
E shtunë, 1 prill 2023, ora 13.00, Pallati i Sportit “Qazim Dervishi” i Shkodrës
Vllaznia: Nikolin Qafarena, Endri Jukni, Fatjon Çekini, Ditmir Rrashketa, Ardit Taflaj, Gersi Jula, Gilman Talani, Visar Lleshi, Gentjan Curraj, Enid Daniku, Trajner: Artan Kalaja, Ermal Kraja
Skënderbeu: Gledis Lloshi, Tuad Drinazi, Klaudio Preka, Eris Caci, Joan Sotiri, Klaudio Barçi, Vasjan Zhymi, Marild Musaka. Trajner: Arben Prifti
Gjyqtarë: Tedi Zguri, Enri Zenullari
Me dy fitore brenda javës ndaj Skënderbeut, e para në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” të Korçës me rezultatin 0 m e 3, dhe e dyta sot 3 me 1 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, Vllaznia në volejboll për meshkuj është kualifikuar për në gjysëmfinalen e Kampionatit Kombëtar, faza Play Off.
Referuar ndeshjes së sotme, nisur nga fitorja e pastër në ndeshjen e parë, të krijonte përshtypjen se me një fitore edhe të ndeshjes së dytë, kuqeblutë do ta kishin të lehtë për t’u kualifikuar.
Por, seti i parë ishte befasues për Vllazninë, pasi në fushën e lojës u pa një Skënderbe potent. Me tre shkodranë në formacionin e parë, Gledis Lloshi që mbante edhe shiritin e kapitenit, Tuad Drinazi dhe Klaudio Preka, korçarët sfiduan Vllazninë duke e mundur në setin e parë me rezultatin 15-25.
Korçarët vazhdojnë të luajnë mirë edhe në pjesën më të madhe të setit të dytë, por më pas në skenë dalin kuqeblutë, të cilët të dirigjuar nga kapiteni i tyre, Nikolin Qafarena përmbysin gjithçka duke e kthyer situatën në favorin e tyre. 25 me 17 në fitim të Vllaznisë mbyllet ky set, duke barazpeshuar rezultatin e seteve 1-1.
Ai që vendosi fatet e kësaj ndeshje, është seti i tretë, i cili me rivalitetin dhe luftën e fortë sportive, ishte më i bukuri i krejt ndeshjes. 25 me 21 në favor të kuqebluve mbyllet ky set, të cilët marrin kryesimin e ndeshjes 2 me 1 me sete.
Entuziasmi i fitores së setit të tretë rritë së tepërmi moralin në radhët e kuqebluve, ku përballë një Skënderbeu që është larg tre seteve të mëparshëm, bën që Vllaznia të jetë dominuese e plotë në fushën e lojës. 10 me 1 për kuqeblutë shkon avantazhi në këtë set, ndërkohë që pas një reagimi të pjesshëm të miqve, seti mbyllet me rezultatin 25-11, duke bërë që Vllaznia të fitojë të gjithë ndeshjen me rezultatin 3 me 1.
Në këtë mënyrë, me dy fitore brenda javës, e para 0-3 në Korçë dhe 3-1 sot në Shkodër, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja kualifiohen në gjysëmfinalen e Kampionatit Kombëtar, faza Play-Off, tur në të cilin do të përballen me Partizanin.
(Video) Pamje nga ndeshja, Vllaznia-Skënderbeu në volejboll meshkuj, çerekfinalja e dytë faza Play Off.