Kishte kohë që Vllaznia nuk kishte fituar një lojtar të tillë të ri të talentuar si Rejan Alivoda. Mesfushori 19 vjeçar, i ardhur nga Akademia e Futbollit u aktivizua si debutues që në ndeshjet e para të kampionatit të sivjetëm pas një dëmtimi të Boshnjakut, dhe që prej asaj dite, ai nuk doli më prej formacionit të parë.
Dhe, një gjë të tillë, ai e mori me plot meritë falë paraqitjeve të suksesshme nga ndeshja në ndeshje, duke u shikuar nga specialistët e futbollit si një ardhme e futbollit shkodran dhe më gjërë.
Por, me ardhjen në drejtim të trajnerit maqedonas, Goce Sedloski, duket se pati një shmangje të vemendjes ndaj Alivodës duke mos u aktivizuar më nga minuta e parë.
I pyetur nga specialistët e futbollit për një lëvizje të tillë, Sedloski pati sqaruar se po aplikon një mënyrë loje tjetër duke mos e pasur në projekt Alivoden duke shtuar se në plan të parë për atë pozicion ka Jonuzin dhe Boshnjakun.
Ndërkohë, pas barazimit në Kukës 0-0 dhe humbjes në shtëpi me Tiranën, 0-1, duket se tekniku kuqeblu po shikon mundësinë e ndryshimit të lojës, si në emra dhe në rreshtim.
Dhe, njëri prej këtyre lëvizjeve, është edhe aktivizimi i Alivodës nga minuta e parë. Një gjë të tillë, e ka deklaruar vetë maqedonasi Sedloski në konferencën për shtyp, teksa i pyetur për rastin “Alivoda”, ka bërë me dije, se e ka në plan ta aktivizojë atë nga minuta e parë ndaj Egnatias.
Me këtë lëvizje, por edhe të tjera që maqedonasi i Vllaznisë ka vendosur të aplikojë për sfidën e nesërme me Egnatian, pritet të vijë edhe rezultati pozitiv, jo vetëm për ndeshjen e parë gjysëmfinale të Kupës, por edhe atë të fundjavës, të cilën e ka sërishmi me rrogozhinasit për javën e 31-të të Abissnet Superiore.