Kampionati Kombëtar i futbollit për kategorinë e tretë të futbollit shqiptar do të startojë me datë 4 shkurt 2021. Më së fundmi një lajm i mirë për skuadrat pjesëmarrëse që prej kohësh ishin në pritje të një vendimi të tillë. Por, më së shumti, të gëzuar janë padyshim në kampin e KF Murlani, të cilët ka kohë që përgatiten për një garë të tillë. Murlani është klubi më i ri i futbollit i krijuar në Shqipëri, dhe me sa është parë, falë organizimit perfekt të vëllezërve Përparim dhe Bledar Rraboshta, që janë administratorët e këtij klubi dhe që sponsorizohet nga kompleksi turistik “Gardenland Resort” në Barbullush, e ardhjma e këtij klubi ka një garanci absolute për tu rritur shumë shpejt në masivitet dhe cilësi.
Struktura e klubit
Pasi ka formatuar forumet drejtuese të klubit duke i besuar emrave të njohur të fushës së futbollit shkodran dhe më gjërë, ka nisur menjëherë puna meekipet zinxhir të të gjithë grupmoshave, përfshirë edhe ato të femrave. Madje, me femrat, falë bashkëpunimit me Juban Danjen, KF Murlani që këtë sezon futbollistik është pjesë e Kampionatit Kombëtar të kategorisë Superiore me ekipin e të rriturave. Por, padyshim që synimet dhe objektivat e këtij klubi janë për skuadrën e parë të të rriturve, aty ku siç është thënë edhe më herët pretendohet që shumë shpejt skuadra të jetë pjesë e familjes së madhe të Superiores së futbollit shqiptar. Por, për të shkuar deri atje, duhen konsumuar konkurimet sipas rregullores së FSHF-së, ku fillimisht është pjesëmarrja në Kampionatin e kategorisë së tretë, pastaj në të dytën, të parën dhe gjithnjë nëse gjërat shkojnë si duhet brenda 3-4 viteve, KF Murlani të luajë në Superiore.
Kategoria e tretë
Luftëtari, Drini, Kinostudio, Osumi, Murlani dhe Spartaku, janë skuadrat e miratuara nga Federata Shqiptare e Futbollit për të konkuruar në Kampionatin Kombëtar të kategorisë së tretë. Ky është lajmi më i fundit që vjen zyrtarisht nga institucioni më i lartë i futbollit shqiptar dhe që konfirmohet edhe nga vetë drejtuesit e KF Murlani. Burimet në fjalë bëjnë të ditur se ndeshjet e javës së parë do të luhen me datë 4 shkurt për të vijuar më pas me sistem grumbullimi deri në përcaktimin e skuadrave që do të fitojnë të drejtën për të luajtur vitin e ardhshëm një kategori më lart, atë të dytën. Ish futbollisti i njohur i Vllaznisë, Altin Xhahysa, të cilit i është besuar drejtimi i kësaj skuadre ka ditë të tëra që punon intensivisht me skuadrën, në përbërje të cilës bëjnë pjesë: Amel Zagani, Suad Premçi, Eriol Krymi, Vahedin Pepa, Kristjan Gjoni, Sabjan Kraja, Ari Djepaxhia, Senad Kraja, Riad Gogla, Indrit Gjini, Nino Rrotaj, Brajan Stafa, Vildan Kaçubela, Denis Ymeri, Soni Hoti, Bekim Muriqi, Festim Lani, të cilët presin me padurim datën 4 shkurt për të dhënë më të mirën e tyre në fushën e lojës.
Gaspër MARKU