Menjëherë pas firmës me Ildi Grudën, e cila ishte edhe e para zyrtare për kuqeblutë në këtë merkato verore të pragsezonit 2023-2024, KF Vllaznia bën realitet edhe firmën e dytë. Ajo i përket një tjetër shkodrani, Eslit Sala, i cili ashtu si edhe Gruda rikthehet në Shkodër pas një shkëputje disa vjeçare, por me ndryshim se ai këto vite i kaloi duke u aktivizuar në futbollin maltez.
“KF Vllaznia dëshiron të njoftojë të gjithë opinionin sportiv se nga sot pjesë e familjes kuq e blu është edhe futbollisti Eslit Sala, i cili ka firmosur për tre vitet e ardhshme me skuadrën tonë.
Mirë se erdhe Eslit!”, shkruhet në njoftimin zyrtar që KF Vllaznia përcolli mesditen e sotme për publikun.
Eslit Sala, i cili luan si mesfushor shkatërrues, është një futbollist i cili u formua në Akademinë e Futbollit Ajaks të qytetit të Shkodrës me president, Arben Haveri, i cili pasi shkëlqeu në kampionatet e moshave në Shqipëri u transferua në janar të vitit 2019 u transferua në ekipin U19 Valleta FC të Maltës ku qëndroi për një vite me radhë, ndërkohë që më pas u transferua në ekipin tjetër maltez Mqabba FC. Në vijim, nga 2020 dhe deri në përfundim të këtij sezoni, Sala ka qënë pjesë e ekipit të parë të Valleta, duke e mbyllur përfundimisht aventurën malteze, pasi rikthehet në Shkodër për të luajtur për Vllazninë.