Në prag të ndeshjes së parë të muajit qershor kundër Moldavisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’, që do të luhet nesër në stadiumin ‘Air Albania’ duke nisur nga ora 20:45, trajneri i Shqipërisë, Silvinjo dhe kapiteni i ekipit kombëtar, Elseid Hysaj dolën në një konferencë për media në sallën e konferencave të stadiumit kryeqytetas.
Trajneri Silvinjo vlerësoi kundërshtarin dhe foli për përgatitjet e duelit me Moldavinë. Tekniku është i bindur se skuadra e tij do të bëjë maksimumin në fushën e lojës dhe me ndihmën e tifozëve do ta kalojë me sukses këtë finale të parë siç e quan ai.
A është konfirmuar impakti i parë nga lojtarët? – “Edhe grumbullimi për Poloninë ka qenë i gjatë, jo vetëm për ne por për të gjithë. Sigurisht edhe ky lloj grumbullimi që kemi pasur këtë herë ka pasur vështirësitë e veta. Disa nga lojtarët kanë ardhur në data të ndryshme, disa me 8, disa me 9, disa me 10. Nuk i kemi pasur të gjithë lojtarët bashkë që nga fillimi. Mund të themi që përgatitemi prej 7-8 ditësh me grupin e plotë dhe me intensitet të plotë. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë. Sigurisht ka qenë një sezon i vështirë për disa lojtarë, për disa ka qenë më i mirë. Është puna jonë që t’i menaxhojmë si duhet këto situata dhe t’i menaxhojmë lojtarët në fushën e lojës. Patjetër që tani i njohim pak më mirë dhe kjo do të na ndihmojë për ta paraqitur më mirë në fushën e lojës ekipin. Jam i kënaqur nga impenjimi që kanë treguar lojtarët në fushën e lojës. Është puna jonë që të bëjmë tani menaxhimin e duhur për të pasur një rezultat sa më të mirë në ndeshje”.
Sa do ndikojë presioni dhe a do ketë Shqipëri sulmuese në fushë? – “Jemi mësuar me presionin, nuk është se na bën përshtypje ne apo skuadrës. Duhet të theksojmë se kemi para shtatë finale. Nesër do të luajmë finale e parë, atë ndaj Moldavisë që është ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Mund t’ju siguroj që të gjithë jemi shumë të karikuar. Luajmë në shtëpi dhe me sa kam mësuar pritet që të kemi një stadium plot, kështu që do të jetë një ndihmesë e madhe për ekipin prezenca e shumë tifozëve në stadium. Ekipin e kam parë në gjendje të mirë, gjithsesi në momentet e fundit do të vendos më tepër sa i takon pjesës së formacionit. E rëndësishme është për mua që ekipi të ketë ekuilibër në fushë për 90 minuta, të luajë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Nuk mund të fokusohemi vetëm te pjesa ofensive, por duhet të bëjmë një lojë të mirë në të gjitha repartet. Jam i bindur që kemi një grup të mirë, që do të luajë me zemër dhe do të japë shpirtin në fushën e lojës”.
Cili është çelësi për të kaluar ngërçin që kemi ndaj skuadrave të quajtura të vogla? – “Përqëndrimi është i lartë në këtë moment dhe mendoj se është shumë e rëndësishme të jemi të përqendruar ndaj rivalëve të këtij niveli. Flitet shpesh për ekipe të vogla, të mesme, të mëdha, por për mua janë të gjitha njëlloj. Nuk ka ekipe të vogla. E përsëris edhe një herë, e theksoj që kemi shtatë finale dhe e para është nesër. Unë jam i bindur se ekipi ynë do të bëjë një lojë shumë të mirë dhe do të luajë fort ndaj një ekip si Moldavia, që deri më tani ka dy barazime. Ata kanë lojtarë me emër, lojtarë të njohur, lojtarë shumë të mirë, por mendoj se Shqipëria është gati për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të marrë maksimumin nga kjo sfidë”.
Dilema për formacionin? – “Jam i bindur për lojtarët që do të hedh në fushë, nuk ka rëndësi stërvitja e sotme në këtë aspekt”.
Sadiku çfarë mund t’i japë skuadrës? – “E kemi thënë edhe herë të tjera, Sadiku është nëj lojtar simbol për Kombëtaren shqiptare. Ai është një lojtar me eksperiencë, është një lojtar që shënon gola, pra është shumë i aftë para portës dhe e di shumë mirë çfarë mund t’i japë një skuadre e konkretisht Kombëtares. Sadiku është një lojtar që jep maksimumin, është një nga ata që nëse është në fushën e lojës e shqetëson rivalin. Ne kemi dy ndeshje dhe për këtë arsye kemi marrë shumë lojtarë. Unë që kur e bëra listën kam folur me Sadikun, e kam ndjekur dhe e dija shumë mirë në çfarë gjendje ishte, ndaj vendosa ta marr. Nëse do të më duhet për 20, 30 minuta në këto dy ndeshje, unë jam i bindur që ai në momentin që futet në fushë është një nga ata lojtarë që mund të shënojë gol dhe të na japë një dorë në këtë sfidë”.
Rikthimet e shumta, të detyrojnë të bëni ndryshime? – “Lojtarët që mungonin ndaj Polonisë duhet të mësohen me mënyrën tonë të punës. Në fakt ne kemi punuar edhe më shumë me këta lojtarë që nuk ishin me Poloninë, sidomos me pjesën e videove, por edhe me të fushës, në mënyrë që ata të mësohen sa më mirë dhe të fiksojnë konceptet që stafi teknik ka për mënyrën si duam të luajmë. Për ata që ishin me Poloninë ka qenë më e thjeshtë, pasi e dinë mënyrën se si ne e përgatisim ndeshjen. Sigurisht këtë herë kishim disa lojtarë të rinj, 5-6. Është gjë e mirë kur ka lojtarë të rinj. Për fat të mirë rikthehen Ismajli e Gjimshiti që munguan herën e parë. Mund të them dy fjalë edhe për Muçin, i cili është një lojtar i mirë, që lëviz mirë mes linjave dhe më pëlqen shumë mënyra se si ai e interpreton futbollin”.