Vllaznia-Buduçnost 1-1(Shënues: Antonio Delaj 12’/ Gašević 15′)
Formacioni i Vllaznisë: Mehidri, Smajli, Beci, Pusi, Spahija, Pjeshka, Sala, Dodev, Delaj, Hajdari, Gruda.(U aktivizuan: Dulaj, Dodaj, Ara, Cungu, Paloka, Shimaj, Jukaj, Kubazi, Maliqi, Pepnikaj, Selmani, Brahimi, Xhilaj). Trajner: Migen Memelli
Ashtu siç ishte planifikuar më herët, mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës është zhvilluar miqësorja ndërkombëtare, Vllaznia-Buduçnost i Podgoricës së Malit të Zi.
Një miqësore që në fak u paragjykua nga opinioni sportiv për faktin se futbollistët kuqeblu vinin dy ditë pas ndeshjes së parë të Conferencë League të luajtur në transfertën e largët të Belfastit në Irlandën e Veriut.
Por, për stafin teknik, një miqësore e tillë ka pasur për qëllim testimin e lojtarëve të stolit, si dhe të atyre që kanë luajtur si zëvendësues në transfertën e Belfastit. Dhe, realisht ashtu ndodhi, kur në fushën e lojës, tekniku Memelli paraqiti formacionin në të cilin nuk kishte asnjë titullar nga ndeshja e së enjtes luajtur në Irlandën e Veriut.
Mehidri, Smajli, Beci, Pusi, Spahija, Pjeshka, Sala, Dodev, Delaj, Hajdari, Gruda, ishin lojtarët që e nisën lojën nga minuta e parë. 45 minutësh ky që prodhoi dy gola, nga një në secilen portë. Fillimisht, ka qënë Vllaznia që në minutën e 12-të kalon në avantazh përmes një aksioni model me protagonist Ilsi Grudën që pason tek Antonio Delaj, ku ky i fundit nuk fal duke gjuajtur saktë në rrjeten malazeze.
Miqtë nga Podgorica nuk pajtohen me disavantazhin dhe ndërmarrin disa aksione radhazi, dhe në të 15-tën minutë, pas dy goditjeve këndore radhazi, duke shfrytëzuar një hapësirë në mbrojtjen kuqeblu, gjejnë golin e barazimit me anw tw sulmuesit Gašević.
Minutat në vazhdim vijojnë me aksione të të dyja skuadrave, ku në kampin kuqeblu, në vijim të misionit të testimit të futbollistëve, tekniku Memelli orienton ndërrimin e krahëve të dyshes së krave të mesfushës, duke kaluar Delajn në krahun e majtë dhe Dodev në të djathtë.
Gjithësesi, 45 minutat e parë mbyllen në barazim, 1 me 1, ndërkohë që në dytën Vllaznia nis me zëvendësimet që deri rreth minutës së 80-të ka arritur të hedhë në fushë një njëmbëdhjetësh krejt tjetër: Dulaj, Dodaj, Ara, Cungu, Paloka, Shimaj, Jukaj, Kubazi, Maliqi, Pepnikaj, Selmani, Brahimi, Xhilaj.
Një pjesë e dytë e dominuar tërësisht nga malazezët, të cilët e kërkuan më shumë golin e fitores. Krahas portjerit Jukaj që shfaqi vlera në ruajtjen e paprekur të portës, Vllazninë e ndihmuan edhe shtyllat, fillimisht një pingule e djathtë dhe më pas dy traversa ndalen gjuajtjet e sulmuesve malazezë, Sekuliq, Cekliq dhe Vukovic.
Pas tre minutave shtesë, gjyqtari kryesor i takimit, Ditmir Grimci sinjalizon mbylljen e të gjithë takimit duke fiksuar rezultatin përfundimtar, Vllaznia 1 dhe Buduçnost 1.
(Video) Bashkangjitur me komentin e ndeshjes, mund të ndiqni në video të ndarë në dy pjesë, ndeshjen e plotë, Vllaznia-Buduçnost, të cilën Veriu Sport e transmetoi me koment drejtpërdrejt nga stadiumi “Loro Boriçi”.
Gaspër MARKU