Egnatia, në prag të sezonit të ri në Kategorinë Superiore, do të luajë një miqësore historike dhe që ndodh për herë të parë me skuadrat shqiptare. Pikërisht më 13 gusht, në Ferrara të Italisë, skuadra e Edlir Tetovës do të përballet me Interin. Një miqësore që tashmë është konfirmuar jo vetëm nga klubi rrogozhinas, por dhe nga zikaltërit, të cilët e kanë këtë ndeshje dhe si një test kontrolli përpara startit të sezonit.
Si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali, kampionatet startojnë më 20 gusht. Nëse Egnatia tashmë është në pritje të shortit në Kategorinë Superiore, Interi e di kundërshtarin e javës së parë për sezonin 2023-2024, ndërsa skuadra e Simone Inzagit do të përballet me Monzën në “San Siro”. Aktualisht Interi ndodhet në Japoni, ndërsa ka luajtur me Al Nassr, kur ka barazuar 1-1, por ndërkohë mbyll gjithçka me Paris Sen Zhermeni.
Egnatia ndërkohë luajti dy ndeshjet e saj zyrtare në Ligën e Konferencës me Ararat Jerevan, teksa u eleminua me penallti, por në fazën përgatitore në Turqi kishte bërë disa teste përgatitore. Gjithsesi tanimë është një shans historik për Egnatian, kjo dhe falë presidentit Agim Demrozi, i cili gjeti akordin me Interin për këtë miqësore. Kjo jo vetëm për lojtarët që ka në skuadër, por dhe për tifozët e shumtë shqiptarë që do ta mbështesin në atë miqësore si një ndeshje që do të forcojë bashkëpunimin mes klubeve. Aktualisht Egnatia është duke vijuar përgatitjet e saj në Rrogozhinë.