Vllaznia-Laçi 1:2
(Shënues: Imeri 66′ / Nuabueze 59′, Harmon 72′)
Vllaznia: Zogovic, Gurishta, Adili, Imami, Kruja(74’ Vexhi), Jonuzi(83’ Kalaja), Marku(27’ Kaleziç), Isaevski(Avdiaj), Imeri, Hoxhaj, Dilaver. Trajner: Thomas Brdariç.
Laçi: Sherri, Malota, Ignjatovic, Obanor, Marku, Shehu(9o’ Ramos), Deliu, Lushkja, Musta, Xhixha, Nuabueze(79’ Turkaj). Trajner: Shpëtim Duro.
Gjyqtarë: Kreshnik Cjapi(Fier), Rejdi Avdo(Tiranë), Ilir Tartari(Fier), arbitër i katërt Denis Rexha(Tiranë), arbitra të linjës Ardian Beqiri(Tiranë), Roshers Muska(Tiranë).
Delegat: Uvil Zajmi(Tiranë)-Vëzhgues: Prek Pjetrushi(Lezhë)
E premte, 5 shkurt 2021, ora 18.00, stadium “Loro Boriçi” i Shkodrës
Vllaznia-Laçi, ishte sfida që hapi javën e 18-të të kategorisë Superiore të futbollit shqiptar, takim ky i luajtur mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 18.00. Ballafaqohej vendi i parë me atë të tretin, kaq mjaftonte për ta klasifikuar këtë ndeshje si më të rëndësishmen e kësaj jave. Kuqeblutë vendas në vendin e parë me 37 pikë, Laçi i tretë me 27 pikë, po aq sa ka edhe Teuta që renditet e katërta, ndërkohë që Partizani i dyti me 28 pikë. Një fitore e Vllaznisë bënte që ajo të fluturonte për t’u konsideruar si vështirësisht e pakapshme në javët në vazhdim, ndërkohë që fitorja për miqtë, përpos ngushtimit të diferencës me Vllazninë shërbente edhe për skuadrat e tjera rivale të katit të sipërm në tabelë që tentojnë kapjen e kuqelbuve. Dhe, ndodhi pikërisht kjo e dyta. Skuadra mike nga Laçi fiton me rezultatin 1 me 2 duke befasuar të gjithë në Shkodër, në një ndeshje që për ecurinë që pati, duhet thënë se realisht dhuroi spektakël në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Pjesa e parë
Fraksioni i parë i ndeshjes nis disi i qetë, por shumë shpejt merr zjarr, pasi të dyja skuadrat sulmojnë portat kundërshtare në kërkim të golit të avantazhit. Gol, i cili nuk vjen në asnjërën portë, por që në këtë pjesë duhet thënë se më e dëmtuar doli Vllaznia. E dëmtuar doli, jo vetem për faktin se pas dy barazimeve radhazi është futur në fushë me egon dhe dëshirën për të marrë patjetër tre pikëshin, dhe goli nuk po dilte, por ndërkohë edhe për dëmtimin e Herald Markut, i cili në të 27-tën minutë është i detyruar të lërë fushën e lojës. Në fushë për të zëvendësuar Markun futet blerja e janarit, malazezi Milosh Kaleziç, duke bërë kështu debutimin me skuadrën kuqeblu. Pjesë e 45 minutëshit të parë është edhe një reagim i vendasve ndaj një ndërhyrje të rëndë të Shehut, që sipas tyre ishte për të kuqe, por që gjyqtari Cjapi është i mendimit vetëm për të verdhë.
Pjesa e dytë
Fraksioni i dytë i ndeshjes ishte padyshim shumë më i bukur se i pari. Në këtë 45 minutësh u shënuan tre gola, një në portën e Laçit dhe dy në atë të Vllaznisë, ndërkohë që pati edhe një karton të kuq në dëm të Obanor duke bërë që Laçi që prej minutës së 77-të të luajë me një futbollist më pak në fushën e lojës. Një pjesë e dytë që fillon me pressing dhe ritëm të lartë nga skuadra mike, e cila vë në vështirësi prapavijën dhe portjerin e Vllaznisë, Zogoviç. Rrjeta e parë në këtë ndeshje regjistrohet në minutën e 59-të kur, malazezi Kaleziç i aktivizuar në vend të Markut të dëmtuar gabon duke mos arritur të largojë një top nga hyrja e zonës. Është Shehu, që pasi ia rrëmben topin Kaleziç, e kalon menjëherë tek Nuabueze, i cili godet saktë dhe direct në rrjetë. Vllaznia 0 dhe Laç 1. Vetëm shtatë minuta minuta i gëzohet Laçi avantazhit, sepse në 66-tën kuqeblutë arrijnë të barazojnë me anë të Demir Imerit, por që merita më herët kalon tek Kruja, topi i të cilit u kthye nga shtylla e djathtë pingule e portjerit Sherri dhe më pas, shqiptaro-malazezi e çoi në rrjetë. Loja tashmë është ndezur e tëra dhe adrelina në të dy kampet respektive është në kulm. Në stadium krijohet përshtypja se ky gol barazimi i Vllaznisë ka garancinë e marrjes së fitores tre pikëshe. Por, nuk janë të këtij mendimi në kampin kurbinas, sepse pas gjashtë minutash nga barazimi shënojnë sërishmi duke kaluar në avantazh. Ashtu si në golin e parë, edhe në të dytin, autor është një futbollist me ngjyrë. Këtë radhë është harmon, futbollisti që sezonin e kaluar ka luajtur në kampionatin kosovar me Drenicen, i cili duke u treguar më i shpejtë se sa mbrojtësit vendas godet fort dhe saktë duke e dërguar topin në rrjetën e portjerit Zogoviç. Pesë minuta nga pësimi i golit të dytë, Vllaznisë i krijohet një tjetër shans për të kthyer lojën në favor të saj, kur gjyqtari fierak Cjapi largon me karton të kuq Obanor për ndërhyrje të rëndë në afërsi të zonës së rreptësisë mike. E dyta goditje standarte në pozicion të favorshëm ballor, por që shpërdorohet nga futbollistët kuqeblu. Minutat në vazhdim, edhe pse tekniku Brdariç e freskton skuadrën me futbollistë nga stoli nuk arrin të ndryshojë asgjë në fushën e lojës. Ndërkohë, në krahun tjetër, me dirigjimin perfekt të skuadrës së tij, homologu i tij Shpëtim Duro arrin ta menaxhojë më së miri kohën e mbetur dhe në fund të festojë me skuadrën fitoren me rezultatin 1 me 2.
Fitore kjo, që së bashku me atë të fazës së parë në shtëpi që skuadra e Laçit me në krye Duron arrin të marrë ndaj Vllaznisë. Fitore kjo që ndalon Vllazninë duke e mbajtur në kuotën e 37 pikëve, ndërkohë që me fitoren e marrë ndaj Vllaznisë, Laçi ngjitet në kuotën e 30 pikë duke marrë moralin e duhur për të kërkuar edhe më shumë në javët në vazhdim. Ndalimi i Vllaznisë është pritur mirë edhe nga skuadrat e tjera rivalizuese për titull, Partizani, Teuta, Kukësi dhe Tirana, që nëse marrin rezultat pozitiv këtë javë arrijnë ta shkujtojnë diferencen me Vllazninë që kryeson me meritë kampionatin.
Gaspër MARKU