Nga BESNIK DIZDARI
Ka ndodhur në vitin 1996…
Por, për më saktë, ndoshta duhet thënë se ka ndodhur në vitin 1997. Parathem më 1996- ën, ngaqë ky ishte preludi i ngjarjeve të atij viti, kur ndodhi ajo që ndodhi. U prish me njëanshmërinë e tij, krejt të papranueshme, një kampionat shumë i bukur.
Interesantja është se ajo çka ndodhi, ajo çka u sendërtua për shkak të asaj njëanshmërie, është afërsisht po ajo që duan të bëjnë në këtë vit të qetë 2023-‘24.
Është fjala, pra, për kampionatin e sezonit 1996-‘97.
Suksesi i ndërprerë i Flamurtarit të Vlorës
Ka qenë Java 17-të e kampionatit, java e fundit e fazës së parë të tij. Ditë e shtunë e 28 dhjetorit 1996 dhe Flamurtari i Vlorës, duke fituar 1-0 me Besën e Kavajës, është fitimtari i kësaj faze të një kampionati të pashembullt të Shqipërisë: ishin 18 skuadra, jo i varfëruar me 10 si sot! Renditja ishte kjo:
- FLAMURTARI / Vlorë 37
2. SK TIRANA / Tiranë 34
3. VLLAZNIA / Shkodër 33
4. APOLONIA / Fier 31
5. PARTIZANI / Tiranë 31
6. SHKUMBINI / Peqin 26
7. KF LAÇI / Laç 25
8. KS LUSHNJA / Lushnje 24
9. BESA / Kavajë 22
10.TEUTA / Durrës 31
11.ALBANIA TABAK / Librazhd 21
12.TOMORI / Berat 20
13.KS ELBASANI / Elbasan 20
14.BYLIS / Ballsh 19
15.SHQIPONJA / Gjirokastër 19
16.OLIMPIK / Tiranë 16
17.ALBPETROL / Patos 16
18.SKENDERBEU / Korçë 14
Një kampionat i paharrueshëm me 18 skuadra, përveç të tjerave, edhe të tilla si Besa, Tomori, KS Elbasani, Shqiponja, KS Lushnja, Apolonia, që nuk i kemi sot në kampionatin me vetëm 10 skuadra.
Është një Flamurtar i trajnerit Leonidha Çuri, ku prej trimave të arritjeve të mëdha europiane të tij të viteve ’80, ende rezistonin vetëm Arapi, Kushta e Iliadhi.
Të tjerët ishin “të rinj”. Ishte “Sporti Shqiptar” i 31 dhjetorit 1996, ku të gjithë faqen e parë me “Gëzuar 1997”, ia kushtuam Flamurtarit – kampion i dimrit.
Nga editoriali im me titullin “Flamurtari dhe çasti historik i një ndryshimi historik”, po shkëpus këto radhë:
“… Flamurtari i Vlorës është “kampion i dimrit”. Ky është fakti më dominant dhe më logjik i Kampionatit të 58-të Kombëtar të Futbollit. Ka triumfuar me meritë të plotë skuadra e cila në 14 javë rresht ishte në krye, skuadra e Vlorës, e cila, madje, kishte arritur deri në 7 pikë largësi në javën e 11-të. E përfundoi me 3, thjesht sepse papritmas kampionati u pasurua me Vllazninë, e cila tronditi kreun me 3 fitore spektakolare: 2-1 Flamurtarit, 2-0 SK Tiranës, dhe 3-0 Partizanit!.. Ky është një rikthim i Flamurtarit “kampion i dimrit” pas një mungese 6-vjeçare… Kur vjen Flamurtari do të thotë se futbolli i madh zbret poshtë, në breg të detit. Është një zbritje drejt ajrit të pastër e erës së lehtë të Ujit të Ftohtë, që të freskon mendjen e të përtërin muskujt… Flamurtari ka mbërritur jo thjesht për veten. Ai ka mbërritur për vetë futbollin shqiptar, sepse ai është një prej simboleve të futbollit shqiptar…”
Gjithçka të dukej se do të vazhdonte për bukuri asistoji…
Faqja e parë e gazetës “Sporti Shqiptar” (31 dhjetor 1996) kushtuar Flamurtarit – kampion i dimrit 1996-‘97.
Por 1997-ta e pamëshirshme është te pragu i derës. Është ajo e cila gati ndal jetën e Shqipërisë. Kështu edhe të futbollit. “Piramidat”, “fajdetë”! Dhe ngjarjet, vendimet, dyshimet, ngurrimet për moszhvillimin e kampionatit, zgjasin gati 8 muaj. Shqipëria tronditet, duke kulmuar me tragjedinë e Otrantos, ku midis viktimave është dhe futbollisti 19- vjeçar i Flamurtarit, Robert Barjami. “E gjithë Shqipëria në ditë zie” është titulli i madh i faqes së parë të “Sportit Shqiptar”. Nuk ndal këtu. Në Greqi humb jetën në një aksident automobilistik lojtari i shquar i Kombëtares Lefter Millo. Kombëtarja luan vetëm jashtë Shqipërisë, duke kulmuar me humbjen gati si fitore 2-3 me Gjermaninë në Granada të Spanjës. Por kampionati nuk ekziston.
Dhe ja një shkëndijë shprese. Është 30 prill 1997. Gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë: Partizani – KS Lushnja 2-1 dhe Olimpik (Dinamo) – Flamurtari 0-2. Është një Lushnje pa trajnerin argjentinas Mario Kempes, i cili e ka braktisur Shqipërinë, ndonëse ishte merita e tij që skuadra lushnjare mbërrinte deri këtu. Finalja është dramë më vete: Partizani – Flamurtari 2-2. 120 minuta lojë dhe 4-3 me 11-metërsha për Partizanin e trajnerit Sulejman Starova përballë vlonjatëve të trajnerit Latif Gjondeda. Doemos në Tiranë. Ajo Tiranë e pamëshirshme, që do t’i hiqte skuadrës së Vlorës edhe kampionatin, siç do ta shohim më tej…
Atëherë: përse nuk rifillon kampionati kur gjysmëfinalet e Kupës vërtetojnë mundësinë e rifillimit?
Dhe ja ku mbërrin titulli i bujshëm i gazetës: “Faza e dytë e K58K nuk do të zhvillohet”. Shkaku? Problemet e sigurisë. Madje klube të tillë si SK Tirana, Vllaznia, Flamurtari, Apolonia e Shkumbini nënshkruajnë një deklaratë ku nuk pranojnë vazhdimin e kampionatit. Shqipëria është në gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të trazirave e protestave, shpesh të dhunshme për atë që ka mbetur në histori si “humbja e parave në shoqëritë private”.
Klubet nuk pranojnë të dalin në fushë, ndonëse në Tiranë luhet miqësorja SK Tirana – Vllaznia 3-1! Dhe UEFA e pamëshirshme që njofton për përjashtimin e klubeve shqiptare nga Kupat e Europës “për shkak të turbullirave politike në vend”. Gjithçka është një paradoks, teksa njoftohet se Shqipëria do të merrte pjesë në Lojërat e 13-ta Mesdhetare të Barit me rekordin e 188 sportistëve në 16 sporte. Ndërsa ndalimi i kampionatit kombëtar të futbollit vazhdon.
Ndërkaq, ne si gazetarë e “braktisim” Tiranën dhe turremi për në Bari të Italisë. Kam shkuar te stadiumi “Della Vittoria” i Barit, “për të prekur” sado pak atë fushë të blertë, atë mjedis historik për ne, ku më 7 janar 1940 kishte zhvilluar ndeshjen e tij të parë shqiptari i madh i futbollit Riza Lushta. I pari shqiptar i një kampionati të huaj në histori.
Kthehemi në Shqipëri me vetëm dy medalje: argjend i Ndue Njebzës në mundjen e lirë dhe bronz i Edmond Hoxhës në boks.
Dhe rasti i mrekullisë. Më saktë, ndoshta duhet përcaktuar si ironia e fatit. Më 20 korrik 1997 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” përurohet ndeshja e parë natën për gjithë historinë e futbollit shqiptar. Përurimi bëhet me një ndeshje jo futbollistësh, por midis dy ekipeve, që po i quaj amatore të sapothemeluara: skuadra e gazetarëve sportivë dhe skuadra e artistëve. Malli dhe kërshëria për një ndeshje të natës nën ndriçimin e projektorëve thërret në stadium plot 12.000 spektatorë. Si të ishte ndeshje e kampionatit të harruar. Titullova në krye të faqes së parë:
“Ndeshja e dritave të shpresës…” Ishte si një thirrje, ndoshta një nga editorialet më të rrallë që kisha shkruar ndonjëherë. Për këtë sot nuk po mund t’i rezistoj dëshirës për të sjellë këtu këtë fragment të shpejtë prej tij. Shkruaja:
“…Mbërritja nga Vlora drejt e në fushën e lojës e radiokronistit plot temperament Moisi Dalipi, i cili për pak sa nuk sfidoi Mulën apo dhe fillimi i lojës prej gazetarëve me penda tashmë të vjetra e autoritare të gazetarisë sportive, si Bellova, Shqarri, Grillo, Tufa, Shtrepi, Zalla, Ruvina, si dhe largpamësia e taktikës së trajnerit Shpëtim Gjoshi dhe më në fund paraqitja befasuese e gazetarëve me uniformën e SK Tiranës, ma merr mendja se edhe më tej duhet të kenë stepur ekipin e artistëve…”.
Faqja e parë e gazetës “Sporti Shqiptar” (22 korrik 1997) e ndeshjes skuadra e gazetarëve sportivë – skuadra e artistëve. Ishte ndeshja e parë në historinë e Shqipërisë e
zhvilluar në mbrëmje nën ndriçimin e dritave të projektorëve. Ndeshje që në njëfarë mënyre i thërriste një optimizmi për rifillimin e kampionatit mbas 7 muajve ndërprerje.
Ashtu do të ndodhte. Gazetarët fitojnë 1-0 me golin e 11-metërshit të Gëzim Sinematit, kjo edhe pse Osman Mula ia dha në dorë portierit të gazetarëve, Mikel Jankut, 11-metërshin e tij. Ky ishte editoriali që përfundonte me këto fjalë: “Kishte fituar ndeshja e dritave të shpresës”.
Ishte si një metaforë, si një lloj thirrjeje për rifillimin e kampionatit…
KAMPIONATI I 2024-ës SI KAMPIONATI I 1997-ës?
Dhe ja ku njoftohet se më 2 gusht 1997 rifillon kampionati kombëtar i Shqipërisë, i ndërprerë mbi 7 muaj më parë, më 28 dhjetor 1996. Ishte një ndalesë apo ndërprerje që për harkun e saj kohor, thuajse të pandalshëm, në Shqipëri ndodhte për herë të parë dhe të vetme, madje për sot e kësaj dite. Dhe titulli me germa kubike i faqes së parë të gazetës:
“2-15 gusht: faza e dytë e K58K”.
Si ka mundësi? Çfarë ishte ky kampionat, në të cilin 17 javë të mbetura për t’u luajtur, pra gjithë faza e dytë e tij, do të zhvillohej vetëm brenda 14 ditëve?…
Ai do të ishte kampionati i një skeme absurde, i brenda në pak se dy javëve dhe që do të flakte tej kryesimin e 17 javëve të Flamurtarit, pra vetë mundësinë e një gare të rregullt, mbi të gjitha të paanshme për të luftuar për titullin e kampionit.
Ajo ishte formula që duan ta ngjallin sot mbas 26 vjetëve, pa asnjë shkak e arsye. Se asokohe, të atyre ditëve tronditëse shqiptare, që hynë në histori si të “fajdeve” apo të “piramidave”, ndërprerja e kampionatit e kishte, pra, një arsye.
Formula 2024-ës e shekullit XXI, ashtu si ajo 1997-ës e shekullit XX, do të copëzojë renditjen e kampionatit, do t’i ndajë 4 skuadrat dhe gara për titullin do të luhet në Tiranë, me siguri duke favorizuar skuadra vendëse. Asokohe, sidomos SK Tiranën vendëse, ndërsa sot ndoshta tri vendëse, kur kujton edhe Partizanin e Dinamon.
Formula e vitit 1997 ishte një çmenduri e vërtetë. 18 skuadrat ndahen sipas renditjes së fazës së parë, në tri grupe me nga 6 skuadra. Pa e zgjatur, ai që lufton për titullin ishte Grupi 1, në të cilin bënin pjesë 6 skuadrat, që kishin zënë 6 vendet e para në përfundim të fazës së parë, sipas kësaj renditjeje:
- FLAMURTARI / Vlorë 37
2. SK TIRANA / Tiranë 34
3. VLLAZNIA / Shkodër 33
4. APOLONIA / Fier 31
5. PARTIZANI / Tiranë 31
6. SHKUMBINI / Peqin 26
Një absurditet i tërë! Çka mund të bëhej ndryshe? Ndoshta vendimi i guximshëm për të shpallë kampione Flamurtarin, skuadrën e cila kishte fituar 17 javë dhe kaq. Ashtu siç do të bënte në rastin analog të mbas 24 vjetëve, më 2021-shin, Franca që i dha titullin e kampionit Paris SG në ndërprerje të kampionatit për shkak të COVID-it? Mirëpo, mënyra e formulës “1997” , mund t’i jepte mundësinë edhe SK Tiranës apo Partizanit, të cilët me fitore të shpejta përmbysese favorizuese të fushës së “tyre” të rrëmbenin titullin. Do ta realizonte SK Tirana.
Ndodhi pra. Pak a shumë siç mund të ndodhë në turneun e “play off”-it të kampionatit të sezonit të sotëm 2023-2024. Ndonëse ai i 1997-ës me një ndryshim më për mirë megjithatë. Sepse, nuk po ndodhte si në formulën e sotme të 2024-ës, që na thotë se pikët e mbledhura, jo në 17, por bukur në 36 javë, do të flaken tej! Në formulën “1997” skuadrat do t’i merrnin me vete pikët e 17 javëve të fazës së parë. Ndërsa sot kërkohet të zhduken jo pikët e 17 javëve, por të 36 javëve!
Çka ndodhi, pra, më 1997-ën?
Në përfundim të turneut të Tiranës 2-16 gusht 1997 doli kjo renditje:
- SK Tirana 46
2. Flamurtari 45
3. Vllaznia 43
4. Partizani 40
5. Apolonia 31
6. Shkumbini 30
Çka do të thoshte se SK Tirana ishte kampione e Shqipërisë!
Vërtet? Mirëpo, përveç dramës së atij organizimi krejt të papranueshëm, kampionati do të ruante edhe dramën e ndeshjes, që u bë vendimtare për titullin, ajo SK Tirana – Flamurtari 1-0. Kryesojnë kryeqytetasit 1-0 me golin e Fortuzit në minutën 47. Episodi dramatik mbërrin në minutën e 79-të. Është çasti kur Perloshi i Flamuratrit futet në zonë me topin në zotërim për të mbërritur te goli i mundshëm i barazimit, barazim që mund t’i jepte titullin skuadrës së Vlorës për 1 pikë më shumë. Por, ai pengohet nga Sina. Vlonjatet kërkojnë 11-metërsh, që nuk jepet. Dhe Flamurtari braktis fushën, çka do të thoshte se me fitoren 1-0 SK Tirana është kampione me 1 pikë më tepër: 46 përballë 45 të skuadrës së Vlorës. Kupa është aty pranë fushës tashmë dhe titulli është bërë gati të konsakrohet me ceremoninë e dhënies së medaljeve dhe të Kupës kampione.
Nuk ndodh! FSHF-ja me përfaqësuesit e saj nguron. Sepse ka edhe 10 minuta lojë. Flamurtari nuk pranon të kthehet në fushë. Ai nuk del nga gardëroba e tij, i bindur se FSHF-ja me njëanshmërinë kryeqytetase, do t’ia japë titullin skuadrës së Tiranës. Mungesa e 10 minutave lojë e vë në mëdyshje FSHF-në, e cila nuk e dorëzon Kupën e titullit. Ndeshja mbyllet pa e shpallur kampione SK Tiranën, ndonëse ne në gazetë titullojmë me ketë pyetje retorike: “SK Tirana ‘de facto’ 17 herë kampione?”. Ndërsa pak më poshtë nëntitulli ngurues: “Kampionati pa 10 minutat e fundit!”
Ky ishte nëntitulli, i cili iu kujtonte të gjithëve se ndeshjes përcaktuese për titullin kampion i mungonin 10 minutat e fundit. Ishte 10 gusht 1997. Shqipëria nuk po çudiste Europën vetëm me traumën e “fajdeve” e të “piramidave”, por edhe me traumën e kampionatit të saj të futbollit…
Më 12 gusht 1997 komisioni tekniko– gjykues i FSHF-së vendos që ndeshja t’i jepet 2-0 SK Tiranës, ngaqë kishte arritur në konkluzionin se ndërhyrja e Sinës ndaj Perloshit nuk kishte qenë për 11-metërsh dhe se braktisja e ndeshjes nga Flamurtari ishte e dënueshme. Dhe pa pikë mëshire, jo vetëm kaq: Flamurtarit i hiqeshin 4 pikë për braktisjen e ndeshjes! Ngjitet në vend të dytë Vllaznia dhe renditja zyrtare për titullin kampion dilte të ishte kjo:
1.SK Tirana 46 pikë, Vllaznia 43, Flamurtari 41, Partizani 40, Apolonia 31, Shkumbini 30.
Kjo pra ishte renditja e kampionatit të Shqipërisë 1997. Çka ne me naivitet e vendosëm në krye të faqes së parë, ngjitur me letrën e sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Josepp Blatter, i cili njoftonte se ndeshja midis Shqipërisë dhe Irlandës së Veriut për Kupën e Botës 1998 nuk mund të luhej në Shqipëri!
Kjo ishte Shqipëria 1997. Shqipëria, e cila pengoi jo pak Flamurtarin e Vlorës, që të luftonte me drejtësi e paanshmëri për titullin kampion për herë të dytë. Padyshim, kjo, edhe për shkak të ndalimit të fazës së dytë të plot 17 ndeshjeve me shkuarje e ardhje.
Kësisoj, triumfuesit e fazës së parë të 17 javëve, flamurtarasit Arapi, Resuli, Daullja, G.Çipi, Diamanti, Alliu, Muka, Barjami, Gjonçaj, Bushi, Perloshi, D.Xhafa, Lika, Gjeloshi, Driza, Dehari, Prenga, Kushta, Vito, Paço, Fakaj, Rexhepi, Iljadhi, Marcos dhe trajnerët e tyre L.Çuri dhe në 17 javë dhe L.Gjondeda në 5 ndeshjet e “play off” për titullin, nuk do të hynin në histori si kampionë të Shqipërisë 1997.
A do të mund ta fitonte titullin Flamurtari i Vlorës nëse kampionatin nuk do ta vendoste “play off”-i i vetëm 5 ndeshjeve, edhe këto të zhvilluara në fushën e Tiranës?
Vështirë t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje të mbas 26 vjetëve. Ajo që mund të thuhet është kjo tjetra: Nëse do të luhej faza e dytë e rregullt në 17 javë, Flamurtari do të luante me Vllazninë e me Partizanin në Vlorë. Kaq ndoshta mjafton për të kuptuar se mbi gjithçka kishte vendosur njëanshmëria e shpikjes së atij “play off”-i.
Gjithçka që rikujtuam në këtë histori, natyrisht i përket një kohe tjetër, asaj të 26 vjetëve më parë. Ndoshta ka pak vend për krahasim. E megjithatë, ka vend për krahasim. FSHF-ja kërkon ta organizojë kampionatin e mbas 26 vjetëve, duke flakur tej rezultatet e 180 ndeshjeve të 1 viti të tërë të 36 javëve, duke zhdukur pikët, pra dhe vlerën e plot 180 ngjarjeve vendimtare të mundit të një kampionati kombëtar të futbollit të një shteti të Europës. Duke guxuar t’i zhvillojë me një “play off” midis 4 skuadrave të vetëm nja 6 ndeshjeve në Tiranë, ku mund të jenë plot 3 skuadra po të Tiranës! Duke rrezikuar kështu, ta shndërrojë kampionatin kombëtar në një kampionat lokal.
26 vjet më parë, duke u ndikuar fort pikërisht nga mungesa e fushës asnjanëse, Flamurtarit të Vlorës i qe mbushur mendja për njëanshmëri gjykimi, çka e çoi në vendimin e gabuar për të braktisur ndeshjen vendimtare dhe për ta humbur titullin e kampionit përmes një historie të pashembullt, që nuk mund t’ia shlyejë asnjëherë kujtesa e historisë.
Natyrisht, e kemi të vështirë të mund të marrim me mend se çfarë mund të ndodhë andej nga maji a qershori 2024-ës, nëse vërtet do të zhdukin pikët e 36 javëve kampionat, nëse vërtet ndeshjet do të luhen në kryeqytet, pra pa shkuarje e ardhje në fushat përkatëse. Nuk arrijmë të parashikojmë.
Mos ndoshta mund të ndodhin nervozizma prej gjithë këtyre paragjykimeve? Mund të ndodhin braktisje të fushës? Mund të jenë ndeshje të acaruara dhe pa lirshmërinë që të jep paanësia e fushës dhe e gjykimit? Mund të ndodhë po ashtu keq si në kampionatin e Belgjikës, ku titullin e fiton skuadra renditur në vendin e 3-të dhe jo ajo e vendit të parë të mbas 34 javëve kampionat? Pa harruar se atje, në ndryshim nga çka duan të bëjnë në Shqipëri, gjithçka ndodhi duke ruajtur pikët e 34 javëve të dy fazave të kampionatit?
E pra? Ndal këtij organizimi shqiptar! Nuk është e rreptë kjo thirrje. Ata që do ta pranojnë të jenë të sigurt se në historinë e kampionatit të Shqipërisë, do të mbesin si shkaktarët e një ngjarjeje shkatërruese, që nuk do të shlyhet kurrë.
Nuk besojmë se do të pranohet, ndonëse heshtja gjithë këto ditë e 10 klubeve është si një dorëzim “i frikshëm”. A thua nuk janë të vetëdijshëm se çka po pranojnë?…