Prononcimi i trajnerit të Kukësit, Rraman Hallaçi, përpara ndeshjes, Vllaznia-Kukësi, sot, ora 20:00 në stadiumin “Loro Boriçi”:
Për herë të parë që nga pjesëmarrja në Superiore, Kukësi nuk e nis kampionatin si pretendent.
Largimet e shumta dhe afrimet pa shumë bujë të japin përshtypjen e një Kukësi që nuk do të ketë synime madhore, por trajneri Rraman Hallaçi shpreson që skuadra të tregojë forcën e saj. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës blu pohon se ndaj Vllaznisë skuadra do të tentojë maksimumin, si në çdo ndeshje. Ai nuk i vendos skuadrës limite sa u përket objektivave të këtij sezoni, por shpreh besimin se ky grup mund të bëjë gjëra shumë të mira së bashku.
Starton kampionati, si është gjendja e skuadrës?
E kam thënë para dy muajsh që do të jemi gati për kampionatin. Gjendja e lojtarëve është e mirë, përveç Rashitit dhe Momoh, që nuk do të jenë për këtë ndeshje. Pjesa tjetër është e gatshme për fillimin e kampionatit. Po mundohemi të bëjmë maksimumin në çdo stërvitje dhe po punojmë shumë taktikisht, sepse kemi shumë lojtarë të ardhur. Duam të njohim stilin e lojës dhe të përshtatemi sa më shpejt.
Shkoni në Shkodër, çfarë synoni në këtë ndeshje?
Në Shkodër duhet të jemi të kujdesshëm në çdo moment dhe do të bëjmë më të mirën. Ndeshjet janë të gjitha të vështira dhe i vlerësojmë të gjithë kundërshtarët në maksimum Lojtarët janë gati për këtë sfidë të bukur në një stadium komod.
Sa do të vuajë Kukësi nga largimet e shumta?
Çdo trajner ka dëshirë ta ketë skuadrën me pak lëvizje nga viti në vit, por ky nuk është justifikim. Ne kemi marrë shumë lojtarë në teste, disa kanë ardhur nga jashtë dhe në stërvitje kemi shkuar mirë. Lojtarët janë të përqendruar në çdo ushtrim dhe japin maksimumin. Kemi edhe lojtarë me eksperiencë dhe forcën tonë do ta tregojmë rrugës.
Cili do të jetë objektivi i këtij sezoni?
Objektivi është të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Mbaj mend nga sezoni i kaluar, sikur të kishim disa barazime ne do të ishin në Europë. Prandaj them që në çdo ndeshje, çdo pikë e marrë do të na shërbejë, ndërsa objektivat do t’i tregojmë gjatë rrugës. Do të shohim hap pas hapi forcën që kemi, të gjithë duan më të mirën dhe ne do të kërkojmë maksimumin në kampionat. Më përpara ishim të gjithë në një zë që Kukësi luan për titull. Këtë sezon ndoshta nuk jemi për titull, por kemi objektiva të tjera.
Sa e vështirë është nga ana psikologjike për Kukësin të mos hyjë si pretendent në kampionat?
Kam një jetë që jam këtu me skuadrën, ku dhashë gjithçka dhe më dha trofe mbi të gjitha. E njoh mirë skuadrën, tifozët, presidencën, kanë shumë ambicie të gjithë. Por, jemi profesionistë dhe në jetë ndodh që jo gjithmonë gjërat shkojnë mirë, por e rëndësishme është të mos dorëzohesh në një moment të vështirë. Kukësi ka një histori tashmë, nuk kemi bërë ndoshta shumë bujë në merkato, por unë jam shumë i kënaqur me klubin dhe lojtarët që kanë ardhur. Kam shumë besim te ky grup, që të bashkuar do t’ia dalim. Duke qenë se kam qenë kapiten i kësaj skuadre, nuk mund të rri pa përmendur tifozët kuksianë. Ju kërkoj durim dhe mirëkuptim, së bashku mund të arrijmë gjëra të mira.
Vladimir MEMA