Sunday, November 24, 2024

Pikantet e ndeshjes, Vllaznia-Kukësi. Nga shkelmimi fatsjellës i topit të parë nga Rudi Vata, tek ankesat e teknikut Memelli për temparaturat e larta në konferencën e shtypit të pas ndeshjes

Lexo

Në ceremoninë para fillimit të takimit, këtë herë ishte zgjedhur të shkelmonte topin e parë ish-kapiteni legjendar shkodran, Rudi Vata. Ai ka qenë i ftuar nga klubi i Vllaznisë, ndërsa rezultoi fatsjellës për skuadrën e zemrës, që e nisi me fitore kampionatin. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së luajtur të shtunën në orën 20:00.

* Rreth 10 minuta para startit të takimit, një ndërprerje e energjisë elektrike në stadium ka shkaktuar kaos në fushë, pasi skuadrat ishin duke kryer nxehjen dhe po bëheshin gati për të nisur lojën. Megjithatë, defekti u zgjidh shpejt nga punëtorët e stadiumit.

* Bekim Balaj vendos veton për penalltinë, teksa merr topin dhe e vendos te pika e bardhë. I përzgjedhuri i Memellit si goditës i parë është maqedonasi Çeshmedjiev, por këtë herë goditi sulmuesi.

* Në minutën e 43-të, trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli, debaton fort me mbrojtësin Lamçe, pasi kërkonte që të respektohej “fair play”, duke qenë se ishte dëmtuar Esat Mala. Në një përplasje kokë më kokë bën që Mala të kërkojë ndihmën e mjekëve, pasi ka tronditje, duke lënë për pak çaste skuadrën e tij me një futbollist më pak në fushë. Në këtë moment, Memellin e tradhtuan nervat. “Nxirre topin jashtë o fëmijë i keq!”, ishte fjalia e trajnerit kuqeblu. Mirëpo, kjo acaroi kuksianët, të cilët gjithsesi vijuan lojën kur u dëmtua Mala.

* Pas golit, mesfushori i Vllaznisë, Lorik Boshnjaku, feston me topin te barku dhe ia dedikon bashkëshortes, teksa është në pritje për t’u bërë baba.

* Në minutën e 65-të, tifogrupi i Vllaznisë dhuron spektakël me fishekzjarrë dhe brohoritje të vazhdueshme. Ndërsa në momentet e ndërrimeve, Mala dhe Gruda u duartrokitën gjatë nga tifozët.

* Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, pret dhe përshëndetet me të gjithë lojtarët e ekipit në hollin e stadiumit, duke i falënderuar ata për atë që dhanë në këtë fitore të parë të kampionatit.

* Trajneri i Vllaznisë kishte pakënaqësi pas ndeshjes për vendin ku ishte zgjedhur nga klubi që të zhvillohej konferenca për mediat. Memelli është shfaqur qull në djersë para kamerave, duke çuar edhe fanellën, teksa kërkonte nga zëdhënësi i klubit, që konferenca në vijim, për shkak të vapës, të bëhej në pjesët e jashtme të stadiumit. “Herës tjetër nuk do vij këtu, jam duke vdek o vëlla! Një siklet! Vdiqëm!”, tha Memelli, duke çuar edhe bluzën për t’u freskuar para se të fillonte pastaj t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img