Monday, December 23, 2024

Dëmtimet në ndeshjen me Laçin. Hakaj, Mala dhe Pusi, rrezikojnë aktivizimin ndaj Teutës të shtunën në “Loro Boriçi”

Lexo

Vllaznia pësoi humbjen e parë në këtë sezon. Një humbje që përtej rezultatit dha një impakt negativ edhe te shtimi i numrit të të dëmtuarve te kjo skuadër. Ndaj kurbinasve u dëmtuan tre titullarë, të cilët tashmë kanë alarmuar kuqeblutë. Fillimisht u dëmtua Esin Hakaj, i cili doli nga fusha në minutën e 62-të duke çaluar, pasi mori një dëmtim në këmbën e majtë.

Ndërkohë në minutën e 74-t la fushën e lojës edhe Esat Mala. Menjëherë stafi mjekësor u kujdesën për të dhe ditën e sotme lojtarët do t’u nënshtrohen vizitave mjekësore për të mësuar edhe shkallën e dëmtimit. Po ashtu, i dëmtuar nga fusha e lojës u largua edhe mbrojtësi Gledjan Pusi dhe kjo e vështirëson edhe më shumë situatën te skuadra shkodrane.

Kjo mban në “ankth” kuqeblutë, me lojtarët që rrezikojnë të humbasin duelin e ditës së shtunë me Teutën që do të luhet në “Loro Boriçi”. Kjo përballje është e vlefshme për javën e 5-të të Superiores dhe do të startojë në orën 20:15. Por si të mos mjaftonin këta tre lojtarë, dy të tjerë janë të dëmtuar. bëhet fjalë për dyshen Marko Juriç e Spahija.

I pari mungoi në takimin ndaj Laçit, pasi u mësua se kishte një kontraktim. Ndërsa për mbrojtësin e majtë Spahija duket se miqësorja mes llojit e ka lënë me pasoja jo të vogla. Ai është dëmtuar dhe me shumë gjasa për më shumë se një muaj e gjysmë do të mungojë edhe në stërvitje.

Po nëse Spahija nuk ka qenë një ndër titullarët në këto katër javë, shqetësimi është pikërisht te Hakaj, Mala e Pusi. Hakaj mësohet se ka pësuar një tërheqje në këmbën e majtë dhe do të jetë i pamundur që të jetë pjesë e takimit të së shtunës.

Po ashtu shqetësim ka edhe mbrojtësi i ri Pusi, por mesa mësohet situata e tij nuk është ashtu si e Hakajt. Ndërsa Mala duket se e ka më të ulët shkallën e shqetësimit që kishte. Shpresa për një rikthim në formacion jep edhe Juriç që mund të jetë i gatshëm për sfidën e së shtunës ndaj Teutës.

Ajo që po shqetëson është fakti se pothuajse të gjithë lojtarët po ndiejnë jo pak shqetësime. Mbingarkesa edhe në këtë periudhë ku ngjeshja e takimeve është e madhe mesa duket po jep shenja jo të mira te lojtarët. Kjo po shoqërohet me dëmtime të njëpasnjëshme dhe me një skuadër që në aspektin fizik lë për të dëshiruar.

Admir URUÇI  

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img