Dritan Mehmeti është prezantuar sot si trajneri i ri Dinamos, duke zëvendësuar italianin Luixhi Di Bixho, i cili dha dorëheqjen pas humbjes me Teutën. Drejtori Ermal Barushi prezantoi para medias Mehmetin dhe stafin e tij, të përbërë nga Fatjon Tafaj e Ilir Bozhiqi, që gjithashtu rikthehet te blutë. Mehmeti e merr skuadrën në një moment delikat, por ai thotë se ka karakter të fortë e nuk tërhiqet para vështirësive.
“Vështirësi të tilla, duhet patjetër që të provoj jo vetëm veten, por edhe stafin, duke marrë përgjegjësinë për të ndryshuar mentalitetin dhe për të bërë një punë sa më të mirë”.
Në rikthimin te blutë, Mehmeti thotë se nuk i është vënë një objekt specifik, por synimi është kthimi i asaj Dinamoje që meritojnë tifozët.
“Mendoj se do të bëjmë një prezantim të mirë. Në një derbi nuk ka rëndësi se sa pikë ke në klasifikim, se çfarë gjendja po kalon. Mendoj dhe shpresoj se do të jetë një derbi mjaft i luftuar. Edhe Tirana vjen në një moment jot ë mirë. Megjithatë, derbi është i paparashikueshëm dhe le të fitojë më i miri”.
Ndeshja e parë do të jetë derbi me Tiranën, një skuadër gjithashtu në vështirësi, ndonëse jo aq sa Dinamo. Për Mehmetin, pozicionet në renditje nuk kanë shumë rëndësi në një ndeshje si kjo.
“Nuk kemi një objektiv paraprak, ne kemi objektivin e radhës që është ndeshja derbi. Kemi objektivin që ne të përmirësohemi dhe të ngrejmë vlerat e këtij klubi, sepse ka vite që lëngon”, ka përfunduar trajneri i ri i Dinamos.