Wednesday, October 23, 2024

Gazetaria sportive humbet Bedri Alimehmetin, penen e artë bardheblu, njeriun që i shërbeu Tiranës me zemër dhe përkushtim në shumë fusha

Lexo

Ka ndërruar jetë në moshën 78 vjeçare një nga emrat e njohur të gazetarisë sportive. Bëhet fjalë për Bedri Alimehmetin, pëfaqësuesin e denjë të një prej familjeve dinjitoze të Tiranës, familjes së madhe autoktone qytetare tiranse ALIMEHMETI, përqendrimi i së cilës ka qenë në qendër të qytetit.

Ai lindi në 11 tetor 1945, ndërsa konsiderohet si një nga njerëzit që ruajti të gjallë dhe pasuroi historinë e futbollit të Tiranës me librat e tij për Skënder Halilin, Shyqyri Rrelin, Osman Pengilin dhe Arben Mingën.

Bedri Alimehmeti nuk ishte vetëm gazetar sportiv, komentator e analist sportiv, por edhe një shkrimtar dhe historian i mirëfilltë, qoftë në botimin e librave sportiv, por edhe realizues i dokumemtarëve kushtuar personazheve të njohur sportive, por edhe ngjarjeve dhe datave të rëndësishme të fushës së sportit.

Vlerat e Bedri Alimehmetit spikasnin edhe në fushën e letërsisë, me tregimet e novelat e tij duke e shtrirë krijimtarinë edhe përtej gazetarisë sportive. Për disa vite skenarist i Sofrës Tiranase, Bedriu ishte ishte pjesë e grupit që themeloi Shoqatën Tirana. Ndër titujt e librave të tij përmenden “Tirana e Përgjakur”, “Venus perandorak”, “Nata madrilenë”, “Broduej”, por dhe dokumentarët Tirana 80 vjet kryeqytet e “Një zë i paharruar Kasem Halluni”.

Krahas të tjerave, Bedri Alimehmeti do të ishte një penë e fuqishme që në hapat e parë të krijimit të gazetës Sport Ekspres, ku si një njohës perfekt i historisë dhe traditës së kryeqytetit, ishte në një farë mënyre, zëri i bardhebluve në faqet e kësaj gazette për shumë vite me radhë.

Mbi të gjitha, Bedri Alimehmeti, ishte një njeri fisnik, i dashur, miqësor, dhe shumë bashkëpunues me kolegët e tij. Si pjesë e stafit të redaksisë së gazetës Sport Ekspres në Tiranë, profesionizmin, ngrohtësinë dhe mirënjohjen, ai nuk nguronte ta shprehte edhe në raport me bashkëpunëtorët e gazetës, njëri prej të cilëve isha edhe unë, Gaspër Marku, autori i shkrimi. Në cilësinë e korespondentit të qytetit të Shkodrës, raportimet e mija për gazetën, shpesh herë gjenin gatishmërinë e professor Bedriut, ku së bashku me stafin e drejtuar nga kryeredaktori Fatmir Mëneri, gjenin me korrektësi dritën e botimit në faqet e gazetës.

Për të gjitha këto, jo vtëm të gazetës, por edhe në kontributin e tij më të gjërë, Bedri Alimehmeti ka marrë vlerësimet e duhura duke e nderuar me tituj të ndryshëm, si “Mirënjohje e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar”, “Mirënjohje e Federatës Shqiptare të Çiklizmit”, “Fisnikëria tiranase”, “Mirënjohje e Shoqatës Tirana”, e mbi të gjitha “Mjeshtër i madh”.

Personalisht, por edhe në emër të stafit të portalit Veriu Sport, përcjell ngushëllimet e sinqerta familjes Alimehmeti për humbjen e njeriut të tyre të afërt, si dhe komunitetit të kryeqytetit, dhe sidomos atij sportiv bardheblu, për humbjen e një pene që i shërbeu me shumë fanatizëm ngjyrave të klubit të tij të zemrës.

Lamtumirë, Bedri Alimehmeti, pushofsh në paqe miku dhe profesori im, i përjetshëm qoftë kujtimi juaj!

Gaspër MARKU, Shkodër, 2 nëntor 2023

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img