Tuesday, November 26, 2024

Në Shkodër nuk e vlerësuan, 20 vjeçari Marçelino Preka, titullar me Partizanin. Goli ndaj Vllaznisë, pa festim dhe me duart lart…Partizani i hapi dyert dhe po e rrit si futbollist!

Lexo

Është folur shpesh këto kohët e fundit për Marçelino Prekën, futbollistin shtatlartë shkodran që hapat e parë i pati tek KF Shkodra duke luajtur në kampionatin e moshave deri me ekipin U19. Më pas, në seleksionimet për kalimin tek kuqeblutë, specialistët e KF Vllaznia nuk shfaqën interes për të për ta bërë pjesë të tyre, ndërkohë që preferuan të firmosin me futbollistë të huaj.

Por, për djaloshin e talentuar Marçelino Preka, pjesë e një familje të mirëfilltë sportive, nipi i dy kampionëve dhe dy Mjeshtrave të Mëdhenj, Ded Bregu në mundje dhe Vera Bregu në atletikë, karriera e tij sportive do të vazhdonte fillimisht në Ballsh me Bylisin dhe më pas kalimi tek Partizani, ku nuk vonoi të marrë rolin e titullarit.

Në ndeshjen e sotme, Partizani-Vllaznia, Preka ishte titullar në qëndër të mbrojtjes të së kuqve, ku përformanca e tij në fushën e lojës ishte mjaft e mirë, jo vetëm në garancinë e prapavijës, por madje edhe duke shënuar gol në portën e Vllaznisë.

Ishte minuta e parë shtesë e pjesës së parë, kur pas një krosi nga e djathta, shtatlarti Preka fiton dyluftimin ajror me mbrojtjen kuqeblu duke shënuar golin e avantazhit për Partizanin. Gol, për të cilin nuk festoi duke ngritur duart lart në respekt të ekipit të vendlindjes, por që fanelen e Vllaznisë nuk e lanë ta vishte asnjë herë.

Këtë e bëri për Shkodrën ku e tërë familja e tij ka kontribuar në vite për Vllazninë, përfshirë edhe nënën e tij, Mira, ish volejbolliste si dhe vëllai i tij, Klaudio, i cili është aktualisht pjesë e Vllaznisë së volejbollit. E megjithatë, pasi shokët e tij të skuadrës mbaruan festimin në grumbull mbi kokën e tij, Marçelino shigjetoi stemen në fanelën e Partizanit duke treguar profesionalizëm dhe respekt për klubin që i hapi dyert, prej të cilit edhe paguhet dhe po e rrit si futbollist.

Rasti i Marçelino Prekes, që në Shkodër nuk e vlerësojnë dhe tek Partizani gjejnë respektin e hapësirat e duhura duke bërë karriere të suksesshme, nuk është i vetëm, pasi rastet janë të shumta, kur edhe të tjerë futbollistë shkodranë në vite kanë kapur majat e karrieres tek klubi i të kuqve,  përfshirë  edhe me ekipin kombëtar, ku edhe vetë Preka është pjesë e skuadrës U-21, madje edhe të kombëtares së madhe.

Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes së sotme, Vllaznia-Partizani, ku trajneri Arbër Abialiaj i kishte caktuar detyrën e vështirë të mbulimit një për një të sulmuesit kuqeblu Bekim Balaj, Preka u shpreh i kënaqur për shënimin e golit që ishte i pari për të me Partizanin duke shpresuar të jenë sa më të shumtë në vazhdimësi. “Bekim Balaj dihet që është një legjendë, një lojtar mjaft i fortë, me eksperiencë. Më vuri në vështirësi në luftën në ajër, por besoj se ia dola. Duhet shumë punë për të arritur më shumë”, tha ndër të tjera për MCN, mbrojtësi i Partizanit, Marcelino Preka.

Mosha e tij e re, vetëm 20 vjeç, dhe parametrat optimal që ai disponon, flasin qartë për një perpsektiv të mirëfilltë për djaloshin shkodran, karriera e të cilit pritet të jetë edhe më e suksesshme në periudhën në vazhdim, kur sinjalet e menaxherëve për një kalim në kampionatet europiane kanë qënë prezente gjatë ditëve të fundit.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img