Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të spikatin me skuadrat e tyre dhe njëri prej tyre është edhe Myrto Uzuni. Në fakt, mbrëmja e së hënës ka qenë e veçantë për sulmuesin e Kombëtares kuqezi, i cili ka qenë i pranishëm në një ceremoni në Madrid, ku janë ndarë çmimet për lojtarët më të mirë të edicionit të kaluar sipas votave të futbollistëve profesionistë në Spanjë. Shoqata e Futbollistëve Profesionistë Spanjollë (AFE), e organizoi këtë ceremoni të ndarjes së çmimeve në “Real Casino” të Madridit dhe Uzuni ishte një nga yjet e mbrëmjes.
Sulmuesi shqiptar ishte përzgjedhur nga votuesit si lojtari më i mirë i nivelit të dytë të Kampionatit Spanjoll të Futbollit, që njihet si “Segunda Division”, për sezonin 2022-2023, në të cilin ai u shpall golashënuesi më i mirë i këtij kampionati dhe ndihmoi Granadën që të ngjitej në elitë. Dhe nuk ishte rastësi që në ceremoninë e djeshme, çmimin atij ia dorëzoi vetë presidenti i La Ligës spanjolle, Havier Tebas. Për sulmuesin shqiptar kjo është padyshim një arritje e jashtëzakonshme në karrierën e tij që ka pasur rritje graduale duke qenë vazhdimisht një nga lojtarët më të spikatur në të gjithë kampionatet ku ka luajtur deri tani.
Megjithatë, përtej këtij lajmi të mirë për Uzunin, ka ardhur edhe një lajm i keq për të dhe Granadën, që është përjashtuar nga Kupa e Mbretit pas aktivizimit të portierit Adrian Lopez, i cili nuk ishte i federuar. Granada fitoi me rezultatin 0-3 në fushën e Arosës të enjten e kaluar në Kupën e Mbretit, por klubi ku luan sulmuesi i kombëtares shqiptare u përjashtua nga Federata Spanjolle e Futbollit, pasi theu rregullat. Pas vendimit të federatës spanjolle, Arosa mori fitoren 3-0 në tavolinë dhe kaloi në turin tjetër të Kupës së Mbretit, ndërsa Granada e mbylli këtu rrugëtimin.