Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë në kompeticionin e UEFA-s “Regions’ Cup” për futbollin amator.
Këtë të enjte UEFA do të hedhë shortin për të përcaktuar grupet për raundin para-eliminator dhe të ndërmjetëm me kuqezinjtë që do të njihen me kundërshtarët.
Gjithsej, ekipet nga 36 federata të UEFA-s marrin pjesë Regions’ Cup , teksa ekipet e 30 federatave me koeficientët më të lartë në këtë kompeticion do të nisin garën në raundin e ndërmjetëm. Gjashtë të tjerat do të marrin pjesë në raundin para-eliminator për të plotësuar dy vendet e mbetura të raundit të ndërmjetëm.
Të gjitha ndeshjet e raundit para-eliminator duhet të luhen deri më 31 korrik 2024, ndërsa të gjitha ndeshjet e raundit të ndërmjetëm duhet të luhen përpara datës 6 dhjetor 2024. Tetë fituesit e grupeve të raundit të ndërmjetëm do të kualifikohen për në finale – që do të zhvillohen, në parim, në dy javët e para të qershorit ose korrikut 2025.
Procedura e shortit – Në raundin para-eliminator gjashtë skuadrat do të ndahen në dy grupe me nga tre ekipe, që do të luhen si mini-turne në njërin nga vendet pjesëmarrëse.
Të gjashtë skuadrat do të vendosen në një vazo dhe do të hidhet një short për të formuar dy grupe. Dy fituesit e grupeve do të kalojnë në raundin para-eliminator.
Ekipet pjesëmarrëse në raundin para-eliminator janë: Suedia, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Estonia, Shqipëria, Armenia.
Në raundin e ndërmjetëm do të marrin pjesë 32 skuadra (30 që hyjnë direkt në këtë raund dhe dy fituesit e raundit para-eliminator) që do të ndahen në katër vazo me nga tetë skuadra bazuar në koeficientët e tyre. Ekipet do të ndahen në tetë grupe me nga katër, secili me një ekip nga çdo vazo. Vendet pritëse do të përcaktohen për çdo mini-turne, me tetë fituesit e grupeve që kualifikohen për në finale.
Duke parë rritjen e futbollit amator në vitet e fundit me kompeticione të ndryshme dhe me një numër prej rreth 6 mijë lojtarësh të regjistruar, FSHF vendosi të formojë një skuadër kombëtare dhe të marrë pjesë në këtë turne ndërkombëtar. Pas shortit do të nisin menjëherë përgatitjet për skuadrën më të re kombëtare të futbollit, këtë herë në nivel amator.
Ky do të jetë edicioni i 13-të i UEFA Regions’ Cup me edicionin e 12-të që u fitua në qershor 2023 nga ekipi i Spanjës.