Tefik Osmani, drejtori i ri sportiv i klubit shkodran ka folur për “Panorama Sport”për ecurinë e shkodranëve në këto dy faza kampionat. Vllaznia ka 22 vite pa titullin kampion dhe gjatë kësaj periudhe janë ndërruar shumë drejtues, lojtarë dhe trajnerë, por Osmani shprehet: Nuk dua t’i zhgënjej shkodranët. Më kanë pritur aq mirë, saqë ndihem i emocionuar, por edhe disi në borxh me atë pritje që më kanë bërë.”
Drejtor sportiv te Vllaznia… Si ju duket Shkodra? Këtu jam pritur shumë-shumë mirë nga të gjithë, nga më i vogli te më i madhi dhe kjo më ka bërë që të jap maksimumin e të mos zhgënjej asnjë. Siç më kanë pritur, dua t’ua shpërblej, të jap maksimumin sa i takon punës sime. Por sigurisht që duhet të më lënë pak kohë. Sepse nuk është që erdha unë… dhe kam shkopin magjik. Por mendoj se diçka ka ndryshuar, fryma e grupit. Këto gjëra besoj që ishin të rëndësishme si objektivi im, i cili ka ndryshuar.
E kishit menduar ndonjëherë para disa vitesh që në këtë moshë, në këto rrethana dhe pasi e kishit nisur kampionatin me Tiranën, të ishit drejtor i Vllaznisë? Të them të drejtën unë i kam marrëdhëniet e mira me të gjithë presidentët. Në një takim në fillim të sezonit i kam thënë presidentit të Vllaznisë që, unë dhe ti jemi në finale. Po se kush e fiton deri atëherë le t’ia lëmë kohës. Kam qenë te Tirana atëherë dhe nuk është se e kisha menduar që më pas do të shkoja te Vllaznia. Megjithatë, kur filloj një punë ndihem mirë. Fakti që 4 ditë pasi ika nga Tirana më erdhi një ofertë nga Vllaznia, do të thotë që ka ndryshuar diçka në Shqipëri. D.m.th. që duhet të bësh atë që të takon.
Ju çfarë mendoni se ju takon të bëni? Unë i jam futur punës seriozisht që të bëj drejtorin sportiv dhe nuk dua të bëj asnjë gjë tjetër.
A është e lehtë të bësh drejtorin sportiv në Shqipëri? Po i bëre gjërat ashtu siç duhet, për mendimin tim është shumë e lehtë. Dhe, po të mbash atë karakter që ke. Varet nga karakteri ose çfarë pranojnë njerëzit.
Pse nuk varet nga ajo se çfarë të vë klubi në dispozicion? Për shembull, shumat e parave për të shpenzuar dhe lirinë e veprimit…? Më e rëndësishme është liria e veprimit.
Pse? Sepse të kesh anën financiare është shumë mirë, por nganjëherë është edhe bast që ti i vë vetes që edhe me më pak mjete financiare duhet të bësh gjëra të rëndësishme. Për shembull duke iu besuar lojtarëve të rinj dhe duke ndërtuar një bosht me lojtarë të talentuar. Pra, të jetë një grup i etur për të fituar dhe jam i bindur që mund të bësh mirë. Por, çdo gjë ka rëndësinë e vet.
Ju e keni nisur me Skënderbeun, por keni qenë tek Elbasani i artë, te Partizani me një grup lojtarësh shumë të mirë, më pas te Teuta dhe Tirana në të dyja rolet. Keni qenë edhe te Vllaznia për pak kohë. Ku ndryshon Shkodra nga Elbasani, Tirana, Korça, Durrësi për mënyrën se si e përjetojnë futbollin? Në Shkodër zgjohen dhe flenë me futbollin. Po të bëj krahasime, edhe Elbasani e ka këtë gjë, Korça po ashtu. Këtu, në rast se arrin të punosh drejt dhe pastër, të vlerësojnë shumë.
Po te Tirana? Po të bësh krahasime, te Tirana je “i detyruar” patjetër të dalësh kampion dhe pasi ke dalë kampion tek ai klub, ndjesia është që “e ke pasur detyrim”. Edhe sikur të fitosh Champions League te Tirana është detyrim. Nuk është gjë e keqe, është thjesht mentaliteti i fituesit në atë klub ndër vite. Ky është ndryshimi. Nëse këtu (në Shkodër) të respektojnë për çfarë mund të punosh, te Tirana është detyrim sepse ai klub ashtu është mësuar.
Ju patët një sukses me Tiranën edhe mënyrën se si u menaxhuan një pjesë e mirë e futbollistëve. Gjatë kohës që ju ishit aty u shitën lojtarë me vlera të rëndësishme. A ju vë kjo në presion, sepse mund t’jua kërkojnë këtë gjë shpejt edhe te Vllaznia. Pra, përveç rezultateve sportive t’ju kërkojnë edhe të shisni ndonjë lojtar, të bëni ca para dhe të rregulloni financat… A bëhet kjo? Presion në futboll ka gjithmonë. Në rast se nuk mund të përballosh dot presionin, i bie që të dorëzohesh. Unë nuk jam dorëzuar asnjëherë. Po të shikosh tani, pothuajse të gjithë lojtarët që janë afruar te Tirana luajnë në nivele të larta. Edhe ata vetë po t’i pyesni se çfarë keni diskutuar me Osmanin, do t’u përgjigjen që: “Osmani na ka thënë ejani këtu, luani 6 muaj, kapni ekipin kombëtar dhe keni për të shkuar në klube më të mira…” Në fillim nuk u është besuar, por kur flas tani me ata ndihem mirë. Në këtë punë, që unë mendoj se është sa e bukur dhe e vështirë, ka edhe presion.
Çfarë nuk duhet të bësh në këtë punë? Në këtë punë nuk duhet të gënjesh kurrë.
A është e mundur që të bësh rolin e drejtorit sportiv dhe të mos gënjesh? Unë mendoj se ia kam dalë. Kjo më bën që të jem korrekt edhe me klubin ku jam tani, Vllazninë. Mendoj që ka lojtarë të talentuar, që po t’u jepet koha dhe hapësira në minutazh, mendoj që shumë shpejt do të kenë oferta. E kam diskutuar edhe me drejtuesit, por nuk mund të ikin lojtarë nga kampionati ynë tani pa dalë kampionë. Është shumë e vështirë që në rast se një lojtar shitet kur luan në grupet e Europa League, 300-400, ose në Europa League, nuk mund ta shesin direkt nga kampionati shqiptar me një shifër 500 ose 400 mijë euro. Edhe 150 ose 200 besoj se është sukses për një nga ekipet shqiptare.
Sa ju ka vlejtur eksperienca si drejtor te Tirana? Më ka vlejtur padyshim, por edhe kam punuar dhe kam sakrifikuar shumë. Mbase njerëzit mund të kenë dyshime për këtë që po them, por ka pasur raste që nuk kam fjetur edhe dy ditë.
Pse nuk keni fjetur? Po duhet t’i shërbeja Tiranës. Presioni ishte në maksimum dhe ti duhej të ishe shumë i kujdesshëm.
Fakti që nuk ishit një bardheblu safi… Pra, nuk ishit produkt i atij klubi, por i shëtitur në disa ekipe të tjera, a ju bezdiste, ose a ua vinin në dukje tifozët? Unë di të them vetëm kaq, që aty kam punuar sikur kam qenë i familjes. Dhe të gjithë, edhe tifozët, i kam trajtuar sikur jam i familjes.
A ju trajtuan si të familjes kur vendosët të ndanit rrugët? Unë largimin tim e kam krahasuar në këtë mënyrë: Ne shqiptarët kemi një traditë, që kur shtëpia ka dy ose tre djem, nëna dhe babai nuk i thonë kurrë djalit të madh që “merre familjen dhe ik në shtëpi me qira”. Unë kështu e kam kuptuar dhe këtë ia kam thënë edhe presidentit Halili. Pavarësisht se çfarë mund të thonë njerëzit, unë aty kam punuar si i familjes dhe për këtë ndihem shumë mirë. A kam bërë maksimumin apo jo, të gjitha rezultatet janë aty, të gjitha të ardhurat janë aty për aq vite sa jam unë dhe të mos harrojmë që kam marrë edhe riskun kur kam dështuar. Por, njerëzit le të vendosin gjërat në peshore dhe të shikojmë. Nuk u trembem si dështimeve apo dhe rezultateve, por dhe përfitimeve që kanë ardhur nga lojtarët.
E krahasuat pozicionin tuaj, sjelljen dhe divorcin tuaj me djalin e madh të shtëpisë. Djali i vogël figurativisht, ai që qëndron me prindërit, kush është në këtë rast? Po… tani kuptohet, djali i vogël është Grenti. Por unë dua të them që kam punuar si me tifozët, në klub unë kam punuar si i shtëpisë, ndaj unë dua t’i falënderoj që të gjithë sepse vërtetë kemi kaluar momente dhe të vështira, por edhe të bukura.