Sunday, November 24, 2024

Ecuria e sportit shkodran gjatë vitit 2023. Më të spikaturit Vllaznia e futbollit femra, boksi dhe atletika, por edhe sporte të tjerë, ekipor dhe individual

Lexo

Sporti shkodran gjatë vitit 2023, është shoqëruar me një ecuri të suksesshme në disa disiplina sportive, siç është futbolli i femrave, boksi, atletika për meshkuj, për të vijuar me artet marciale, xhudo dhe taekëondo, tennis, gjimnastikë, not, ekipe këto që janë shpallur kampion kombëtar.

Por, në të njëjtën kohë, edhe pse nuk arritën të sigurojnë titullin kampion, figurë të mirë sportive kanë bërë edhe ekipi i Superiores në futboll, ekipet e lojrave me dorë, basketbolli dhe volejbolli, femra dhe meshkuj, çiklizmi, peshëngritja, shahu, mundja, etj.

Dhe, nëse i marrim sipas radhës, spikatjen më të madhe për ekipet e Vllaznisë gjatë vitit 2023 e ka pasur futbollit femra, ku skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka dhe kolegu i tij Fabiol Rexhepi fitoi titullin e dhjetë kampion kombëtar. Duke fituar njëherazi edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia e futbollit të femrave konfirmohet edhe një herë që është skuadra absolute e kampionatit shqiptar, e cila prej dhjetë vitesh fiton të gjitha trofetë kombëtar.

Në gjirin e skuadrës kampione, vazhdon të spikasë Megi Doçi, e cila në mbyllje të vitit 2023 festoi golin e 700-të të shënuar në karrieren e saj sportive. Ndërkohë, që në mbrëmjen festive të fundit organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, ajo u nderua me çmimin “Topi i Artë 2023”,  ku së bashku me të në podium u ngjit edhe futbollistja e re kuqeblu, Klaudia Borçi e cila meritoi titullin “Talentja e vitit”.

Duke qëndruar sërishmi tek sporti i futbollit, por tashmë për meshkujt, Vllaznia e këtij viti, edhe pse vazhdimisht është shfaqur pretendente për fitimin e titullit kampion, apo të Kupës së Shqipërisë, oshilacionet e shfaqura në ecurinë e saj, nuk mundësuan realizimin e këtij objektivi. Por, gjithësesi, merita e kuqebluve qëndron në faktin e pjesëmarrjes në Kupat e Europës duke u ballafaquar me ekipin Linfield të Irlandës së Veriut.  Në sfidën e të transfertës, luajtur në Belfast u mund me rezultatin 3 me 1, ndërkohë, edhe pse fioi në ndeshjen e kthimit me rezultain 1 me 0 falë golit të shënuar nga Bekim Balaj, Vllaznia eleminohet nga Kupat e Europës që në turin e parë.

Duke lënë pas ballafaqimet europiane, Vllaznia përqëndrohet në kampionatin kombëtar, ku konkurimi në Abissnet Superiore nuk është ai i duhuri për kuqeblutë. Rezultatet negative të fazës së parë detyruan presidentin Alban Xhaferi të ndërhyjë në ndërrimin e stafit teknik.

Largimi i trajnerit Migen Memelli dhe drejtorit sportiv Elvis Plori zëvëndësohet me dyshen tjetër, trajnerin e ardhur nga Tetova, Qatip Osmani dhe drejtorin sportiv Tefik Osmani. Ndryshim ky që rezulton pozitiv për rikthimin e Vllaznisë në arritjen e rezultateve pozitive.

Fitorja e javës së 18-të të Superiores, ndaj Skënderbeut me rezultatin e thellë 5-0 që ishte edhe ndeshja e fundit për vitin 2023, e treta radhazi pas asaj ndaj Dinamos dhe Tiranës bëri që Vllaznia të ngjitet në vendin e tretë të klasifikimit, duke përmbushur kështu objektin e pjesëmarrjen në katërshën e fazës finalist të Superiores.

Konsumuam kështu futbollin, që është edhe sporti më popullor dhe më i ndjekur nga tifozëria, për të kaluar tek sporti i boksit, ku Vllaznia e drejtuar nga trajneri Zef Gjoni fitoi titullin kampion, trofeu i 25-të për skuadrën kuqeblu, më shumë se të gjithë ekipet e tjera të Shqipërisë.

Pjesë e sukseseve të këtij sporti, është edhe konkurimi me dinjitet në boksin profesionist, mes të cilëve spikasin paraqitjet dinjitoze të Nelson Hysës, fitoret radhazi të të cilët e kanë ngjitur atë në mes 50-të më të mirëve të botës.

Duke qëndruar sërishmi tek Boksi, për t’u theksuar është suksesi i arritur nga boksieri Adam Maca, në kampionatin Botëror U16 të Armenisë. Maca, i cili më herët u shpall kampion kombëtar me Vllazninë, më pas nën drejtimin e trajnerit të tij Klaodio Çekini, që tashmë që të dy së bashku përfaqësojnë klubin tjetër shkodran Boxing North Albania, korri suksesin historik duke u shpallur nënkampion i Botës, padyshim, suksesi më i madh i arritur nga një sportist shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Një rezultat fantastik për vitin 2023 ka regjistruar edhe ekipi i atletikes për meshkuj, i cili është shpallur kampion kombëtar për të 15-tën herë radhazi. Ekipi kuqeblu i drejtuar nga kryetrajneri Albert Marashi dhe kolegët e tij, Bruno Rrotani, Dorjan Tafa dhe Jetmir Jahaj, krahas titullit kampion si ekip nxori edhe atletin më të mirë të kampionatit, Franko Burraj, kampion dhe rekordmen në garat e 200 dhe 400 metrave, njëkohësisht edhe medalist i ekipit kombëtar kuqezi.

Mes mës të mirëve të vitit 2023, janë renditur edhe ekipi i tenisit me trajner Dino Mehmedoviç, ku suksesi më i madh është arritur nga tenistja e talentuar Gresi Bajri. Sukseset e saj janë të pafund: Tenistja e Vitit 2023 nga FSHT, fituese e turneut botëror ITF Juniors ‘Shkodra Open 2023’ në single dhe në double. fituese e turneut botëror ITF Juniors ‘Trebjesa Open 2023’ në single. fituese e turneut ITF Juniors ‘Kosova Open 2023’ në double, Fituese e turneut ‘Kosova Boël 2023. 6 ndeshje të fituara për Shqipërinë në kampionatin botëror Billie Jean King Cup, Fituese e disa turneve kombëtar, në fillim të vitit 2024 do të futet në Top 300 në ranglistën e ITF Juniors.

Në listën e sukseseve të sportit shkodran për vitin 2023 renditen edhe ekipet e Arteve  Maciale, në Judo dhe Taekëndo, ekipe këto që u shpallën kampion kombëtar. I veçantë është suksesi në sportin e xhudos, ku në krye të këtij sporti vazhdon të jetë mjeshtri i njohur i xhudos në vite, Anton Shkoza, i cili edhe pse në kushtet e vështira të një paralize të pjeshme, nga karroca e invalidit gjen forca të jetë çdo ditë në palestër, ku së bashku me tre fëmijët e tij kampionë, Aurora, Luigji dhe Xhovani, të jenë më të mirët e kampionatit shqiptar.

Po kështu, me mjaft sukses vazhdon të konkurojë edhe sporti i Taekëondosë, ku këtu merita i takon, kryetrajnerit Elion Puka, i cili në një kohë të shkurtër arriti të formatojë një ekip shumë cilësor bëri të vetin vetem titullin kampion në Shqipëri, por edhe duke marrë medalje edhe në arenën ndërkombëtare.

Gjimnastika dhe Noti, janë dy sporte të tjerë pararojë të sportit shkodran. Trajneri Izmir Kashi dhe kolegja e tij, Shpresa Salja, kanë meritën që Vllaznia në gjimnastikën artistike të shpallej kampione e Shqipërisë për vitin 2023. Ndërkohë, në sportin e notit, trajneri Kolë Shiroka, ka meritën që duke punuar me një brez të talentuar të moshave të reja, mes të cilave spikat talentja Viki Tafrruku, kampione në disa gara, po i rikthen Shkodrës traditën e mirëfilltë që ka pasur vite më parë, duke qënë kampion të Shqipërisë.

Sa i kakon ekipeve të lojrave me dorë, duhet thënë se gjatë këtij viti kalendarik, ekipet në fjalë, nuk kanë qënë në nivele pretendimi për titull kampion, por që gjithësesi kanë qënë mes më të mirëve. Trajnerët: Bledaj Gjeçaj dhe Damian Bekteshi në basketboll për femra dhe meshkuj, si dhe Nora Deda dhe Artan Kalaja në Volejboll për femra dhe meshkuj, në mbyllje të vitit 2023, i kanë renditur skuadrat e tyre mes rivalëve që do të luftojnë në fazën finale Play-Off.

Për t’u vlerësuar janë edhe arritjet e sportit të çiklizmit me trajner Leonat Kola, peshëngritja me trajner Artur Lagja, mundja me trajner Nazmi Elezi dhe Maldin Camaj, shahu me trajner Bernard Leka etj.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img