Thursday, February 29, 2024

(Video) Mesazhi i Presidentit Duka për vitin e ri 2024: Uroj të jetë një vit edhe me më shumë suksese për futbollin shqiptar!

Lexo

Në prag të festës së ndërrimit të viteve, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka një mesazh urimi për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.

Përmes falënderimeve për të gjithë aktorët e futbollit shqiptar, Presidenti Duka e konsideron vitin 2023 si një nga më të suksesshmit, teksa numëron edhe arritjet e mëdha të futbollit gjatë këtij viti.

Në video-mesazhin e tij, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar përmend kualifikimin e Kombëtares shqiptare në EURO 2024 si suksesin më të madh të Shqipërisë së futbollit, si edhe votëbesimin e UEFA-s për FSHF-në, për të organizuar në vitin 2025 finalet e Kampionatit Europian U-17.

Më poshtë edhe mesazhi i plotë i Presidentit Duka në prag të festës së vitit të ri 2024:

“Sot, duke qenë dita e fundit e vitit 2023, gjej rastin të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar për rezultatet e futbollit shqiptar gjatë këtij viti. Vërtetë viti 2023 mund të konsiderohet një nga vitet më të suksesshme dhe me më shumë ngjarje historike për futbollin shqiptar.

Kemi shënuar një rritje rekord të numrit të futbollistëve gjatë këtij viti, rreth 2 mijë të rinj që i janë bashkuar lojës tonë. Kemi investuar dhe ndryshuar infrastrukturën në vend me disa projekte në bashkëpunim me pushtetet vendore dhe me qeverinë e Shqipërisë.

Gjatë këtij viti kemi organizuar shumë aktivitete, kemi organizuar në mënyrë perfekte dhe me sukses garat kombëtare. I kemi shtuar ato, jo vetëm në futbollin profesionist, por edhe në futbollin amator. Pa dyshim edhe kampionatet e fëmijëve dhe të rinjve në të gjithë Republikën e Shqipërisë.

Por ajo që është qershia mbi tortë, ai që është suksesi më i madh i Shqipërisë së futbollit për vitin 2023 janë paraqitjet fantastike të ekipit tonë kombëtar, rezultatet e saj dhe kualifikimi për në EURO 2024. Kualifikimi i bindshëm si asnjëherë tjetër dhe i cilësuar si skuadra më e mirë e grupit. Viti 2023 do të mbahet mend gjatë si një vit i suksesshëm dhe me hapa pozitivë përpara për futbollin shqiptar.

Edhe njëherë, duke qenë në fundvit, do të doja të falënderoja të gjithë për kontributin: futbollistët, trajnerët, arbitrat, të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me futbollin shqiptar.

Pa dyshim sponsorat e Kombëtares dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, administratën e FSHF-së, që ka bërë një punë të palodhur për të organizuar në mënyrë perfekte dhe profesionale në Shqipëri, kombëtare dhe ndërkombëtare. Dua të theksoj se në Shqipëri gjatë këtij viti janë organizuar 13 turne ndërkombëtarë, të besuar nga UEFA këtë vit.

Gjithashtu, këtë vit FSHF mori votëbesimin për të organizuar finalet e Kampionatit Europian 2025 për moshën U-17. Do të doja t’i falënderoja gjithë edhe njëherë për kontributin dhe t’i uroja një vit të mbarë.

Gëzuar Festat! Gëzuar Vitin e Ri! 2024 të jetë një vit akoma më i mirë, akoma me më shumë rezultate për futbollin shqiptar. Dhe pse jo me rezultate shumë pozitive në EURO 2024 në Gjermani.”

(Video) Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka përcjell mesazhin e urimit për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar në festën e ndërrimit të viteve.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img