Partizani vazhdon formën e dobët teksa u mposht në derbi ndaj Dinamos me rezultatin 2-1. Pas ndeshjes trajneri Orges Shehi dha prononcimin e tij për MCN TV:
“Rezultatet na kanë futur në presion dhe kjo ka ngërç. Më vjen keq që humbëm, në sulm s’bëmë asgjë, por në mbrojtje të pësosh ashtu golash të vjen keq. Kundërshtari na shënon lehtë, të gjithë rrinë si figura. Dinamo na vuri vetëm në pjesën e parë në vështirësi nga e majta jonë. Trysnia na bën të futemi në errësirë dhe për të dalë duhet personalitet.
Fillim i vështirë? Varet si e shef gotën, gjysëm plot apo bosh. Klubi është i madh dhe kërkesat janë maksimale. Kjo është humbja e dytë, kemi bërë një me Laçin me lojë të mirë, 2 barazime dhe 1 fitore. Shënuam të parët dhe duhet të rrisnim agresivitetin. Humbin topin dhe përqëndrimin dhe kjo sjell alarmin.
Trysnia dhe presioni, sa pësojmë gol skuadra fiket sikur u bë qameti. Humbëm një ndeshje që e kishim në kontroll. Kemi bërë ndeshje të mira dhe kemi humbur, performanca e mirë duhet të konkretizohet me rezultat. Nuk dua të përmend mungesat, pasi nuk gjej justifikim. I pari i punës e merr përgjegjësinë vetë, por mendoj që në futboll nëse nuk fiton dyluftime, nëse s’je agresiv, nëse nuk vlerëson situatat shkon në këtë pozitë ku jemi.
Nuk kemi ndryshuar shumë nga ndeshja e kaluar, futëm Mba dhe Skuka nga fillimi. Ndërrimet ishin edhe për shkak të konsumit. Donim lojtarë më të freskët. Rendimenti ndikoi në rënie fizike. Donim prezencën e Albanit në portë jo vetëm në dhoma, donim eksperiencën. Qirko është më i miri i kampionatit tonë, nuk ishte zgjedhje cilësie. S’ka dyshime.
Ngërç fizik apo psikologjik? Psikologjik, këtu duhet gjithmonë të fitosh dhe ka ngërç psikologjik. Të pësoh gola të tillë s’ka të bëjë fare ana fizike”, tha Shehi.