Thursday, November 28, 2024

Nga: Martin DEDAJ * FITORE E MERITUAR…Besëlidhja në krye të klasifikimit, Kategoria e Parë, më pranë

Lexo

Besëlidhja e Lezhës, ka fituar pastër 3-0 ndaj rivales Valbona të Tropojës, që i ka shkaktuar humbjen e parë, dhe marrë kreun e rënditjes duke kryesuar me 30 pikë, 2 pikë më shumë se ajo.

Prologu i fitores lezhjane, ka trokitur që në fillimt të javës para kësaj përballje, teksa kryebashkiaku i Lezhës z. Pjerin Ndreu, i shoqëruar nga zv/kryetaria Eueda Molla dhe drejtori i Arsimit, Rinisë dhe Sportit në bashki, Nikolin Shtjefni, ka zhvilluar një takim me drejtuesit, stafin teknik dhe futbollistët e skuadrës Besëlidhja, ku ka shprehur mbështetjen e institucionit që drejton, si dhe motivuar skuadrën për sfidën e radhës ndaj Valbonës.

Ndër të tjera, Ndreu ka thënë se; “Ka dy vjet që Bashkia e Lezhës e mbështet ekipin e futbollit Besëlidhja, ashtu si dhe kemi mbështetur ekipe të tjera sportive, të cilat do të vazhdojmë ti mbështesim. Kryebashkiaku Ndreu, pasi i ka falenderuar për arritjet e deritanishme, ka siguruar ekipin e futbollit se do të kenë mbështetjen e institucionit që drejton, këshillit të bashkisë, dhe të tijën personalisht, duke thënë; “Të arrijmë objektivin që kemi për këtë sezon, rikthimin në kategorinë e parë, dhe më pas do të ulemi dhe të diskutojmë një projekt afat gjatë për të ardhmen e futbollit në Lezhë, me synim kthimin në elitën e futbollit shqiptar, aty ku në fakt i takon të jetë, “Besëlidhja”, pasi është një ekip me histori dinjitoze në futbollin shqiptar, dhe ne do të bëjmë të mundur, rikthimin e shkëlqimit të saj”, që është mirëpritur nga protagonistët e futbollit në Lezhë, (stafi dhe lojtarët), dhe ka shërbyer, si një indicie motivuese, për ndeshjen.

Ndërkohë që tekniku Smajli dhe ndihmësat e tij; Kruja dhe Hoxha, kanë vijuar normalisht stërvitjen gjatë gjithë javës, për ta përgatitur skuadrën sa më mirë dhe larg ndikimeve të opinioneve dhe ngarkesës psikologjike, që janë të pranishme në prag ndeshjesh të tilla dhe deçizive.

FSHF, nga ana e saj e kishte vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje, teksa kishte dërguar për ta drejtuar atë, një trupë mikse gjygjtarësh të superiores kryesuar nga Olsi Ferhataj.

Nga ana e saj tifozëria lezhjane ka spikatur me organizim, pjesëmarrjen, dhe mbështetjen ndaj skuadrës së zemrës, ku ovacionet e tyre kanë elektrizuar shkallët e stadiumit të mbushura si asnjë herë tjetër, me afro 2000 vetë.

Loja ka filluar e shpejtë me epërsi të vendasve me disa raste, për të ardhur tek goli i parë, ku sulmuesi Danaj vepron bukur brenda zonës, pengohet në mënyrë të parregullt dhe Ferhataj i ndodhur fare pranë aksionit akordon 11-m, që e kthen në gol David Marku, pas një goditje të saktë. Shpërthejn ovacionet elektrizuese të tifozërisë lezhjane. Me këtë atmosfere dhe epërsisë së vendasve pjesa e parë përfundon 1-0 për Besëlidhjen.

Ndërkohë që, pjesa e dytë nis me po ato lojtarë që mbyllën pjesën e parë për të dyja skuadrat, dhe janë sërish vendasit që pas një aksoni të gjatë dhe me shumë pasime brenda dhe jashtë zonës së rreptësisë së miqve, gjejnë golin e dytë me anë të kapitenit të tyre, shkodranit Dibra dhe 2-0 për vendasit, që tashmë janë më të qetë.

Hera-herës futbollistët e të dyja skuadrave krijuan tensione të panevojshme në fushë. Kur po luheshin 5′ shtesë të akorduara nga gjygjtari i katërt Dragusha, lezhjanët gjejnë golim e tretë përmes mesëfushorit Bruka, një minut para përfundimit, dhe Besëlidhja fiton pastër këtë ndeshje të rëndësishme përballë rivalit direkt Valbona, të cilës i merr edhe vendin e parë në tabelën e klasifikimit.

Ekipi i Valbonës, pavarësisht kualiteteve në përbërje të saj, dhe cilësive individuale që kanë futbollistët, nuk u shfaq ashtu siç pritej, dhe shkoi vetëm dy herë në portën lezhjane gjatë gjithë lojës me lojtarë të repatit të mbrojtjes; Mashin, kapiten i ekipit dhe Faruku, pasardhës i dinastisë emblematike matjane. Kështu që Besëlidhja e meritoi plotësisht fitoren.

Pasionanti i caqeve të epërme, “Institucioni Individual Mediatik i Lezhës”, siç e kam cilësuar kohë më parë, dhe që sipas meje e meriton plotësisht, edhe në këtë rast ka sjellë rekordin e radhës, teksa nën komentin tim, ka mundësuar transmetimin drejt për drejt të kësaj ndeshje për plot 100 minuta.

Ka qenë vërtet një emocion dhe moment i veçantë edhe për mua, duke hyrë kështu në historinë e të veçantave dhe gjërave të para, që ka realizuar ndër vite Agostin Cin Marini në Lezhë dhe konkretisht:

– Sjelljen e televizionit të parë, në vitin 1969;

– Ndërtimin e antenës së parë parabolike;

– Hapjen e televizionit të parë privat “Lezha Tv”, i dyti në rang kombëtar, pas “Shijak Tv”, ku pata fatin të jem ndër gazetarët e parë në këtë televizion, që u kthye në një shkollë më vehte gazetarie elektronike.

– dhe transmetimin e drejtpërdrejtë të ndeshjes Besëlidhja-Valbona. Së bashku me Agostinin të tjera surpriza do të afrojmë.

Duke mbyllur këto radhë, falenderoj gjithë faktorët sportiv për emocionet dhe fitoren e arritur; tifozërinë e zjarrtë, elektrizuese dhe emancipuese lezhjane, për pjesëmarrjen, atmosferën dhe dekorin festiv që krijuan gjatë kësaj ndeshje; dhe veçanarisht mikun tim të hershëm Agostin Cin Marini, për këtë mundësi që na krijoj!

Martin Dedaj-* Gazetar dhe komentator sportiv.

Pasdite më 13.02.2024

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img