Tuesday, April 23, 2024

Abissnet Superiore-Fundjavë interesante. Java e 24-të, në fushë, dy duele të forta, derbi Partizani-Tirana dhe Vllaznia-Egnatia

Lexo

Java e 24-të e kampionatit “Abissnet Superiore” do të luhet të premten dhe të shtunën. Sfida e parë e kësaj jave do të jetë Teuta-Kukësi, në orën 16:00. Në “Niko Dovana” të zotët e shtëpisë do të kërkojnë të rikthehen te fitorja pas humbjes në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë. Në anën tjetër, Kukësi ndodhet në një situatë jo të mirë, teksa ka regjistruar pesë humbje radhazi dhe synimi i vetëm mbetet rikthimi te rezultatet pozitive.

Të premten në orën 19:00, kryeqyteti mban frymën pasi do të zhvillohet derbi Partizani-Tirana. Në “Air Albania” do të luhet një nga duelet më të zjarrta dhe emocionuese. Të kuqtë vijnë në këtë sfidë nga një moment jo shumë i mirë. Edhe në takimin e fundit në kampionat u mposhtën nga Dinamo City, megjithatë derbi është derbi dhe synimi i vetëm mbetet fitorja.

Në anën tjetër, Tirana barazoi në ndeshjen e fundit ndaj Erzenit që u zhvillua në “Air Albania” dhe po në këtë stadium bardheblutë do të synojnë të rikthehen te fitorja, për të regjistruar edhe triumfin e parë të këtij sezoni në derbin e kryeqytetit. Diferenca mes dy ekipeve është vetëm tri pikë dhe në rast triumfi të Tiranës, bardheblutë do të barazonin me pikë të kuqtë që mbajnë vendin e dytë në renditje.

Tre takimet e tjera të javës do të luhen të shtunën. Në orën 13:30 do të zhvillohen dy sfidat e para të ditës. Një ndeshje shumë e luftuar do të jetë ajo mes Laçit dhe Dinamo City, pasi të dyja skuadrat vijnë nga një moment i mirë në kampionat. Laçi nuk njeh humbje në tetë takimet e fundit dhe pas tre barazimeve radhazi do të synojë të rikthehet te fitorja. Në anën tjetër, skuadra e Dinamo City numëron tre fitore radhazi dhe në stadiumin e Laçit do të kërkojë triumfin e radhës.

Në të njëjtën orë do të luhet edhe Erzeni-Skënderbeu. Shijakasit pas tre humbjeve radhazi morën një barazim me tepër vlerë në “Air Albania” ndaj Tiranës dhe tani synojnë të rikthehen te fitorja ndaj Skënderbeut. Ndërsa korçarët mundën në shtëpi Kukësin dhe do të kërkojnë vazhdimësinë e rezultateve pozitve.

Java e 24-të do të mbyllet me takimin Vllaznia-Egnatia, një ndeshje që premton spektakël. Të dyja skuadrat po zhvillojnë një sezon shumë të mirë dhe në stadiumin “Loro Boriçi” do të luhet vetëm për fitore.

Të gjitha ndeshjet e kampionatit “Abissnet Superiore” do të transmetohen live në kanalet MCN TV dhe MCN 24.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img