Sunday, November 24, 2024

Fjala e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të FSHF 2024

Lexo

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF zhvilloi ditën e sotme punimet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit nën drejtimin e Presidentit të FSHF-së Armand Duka dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Përveç delegatëve dhe anëtarëve, në këtë Asamble morën pjesë përfaqësues të qeverive europiane dhe botërore të futbollit, UEFA-s dhe FIFA-s, si edhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve në Shqipëri, znj.Ogerta Manastirliu.

Më poshtë fjala e plotë e Presidentit të FSHF-së Armand Duka e mbajtur në këtë Asamble të Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së:

“Të dashur anëtarë të Asamblesë!

Të dashur miq e të ftuar!

Të nderuar përfaqësues të medias!

Periudha mes dy Asambleve ka qenë një periudhë tepër intensive, mbushur me ngjarje, arritje dhe emocione të mëdha. Kemi provuar gjatë më shumë se një viti, pothuajse të gjitha ato ndjesi që vetëm futbolli mund ti prodhojë: Emocionet, gëzimin, krenarinë, sakrificën, luftën sportive.

Por ndjenja më e fortë, që spikati, ishte krenaria,

Krenari, e cila gjatë kësaj periudhe, i kaloi jo vetëm caqet e stadiumeve, por edhe ato të kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Në çdo kënd të botës, kudo ku jetojnë shqiptarë pati gëzim, hare dhe festë. Asnjë organizëm, individ, apo parti politike, nuk mund ta bëjë kurrë, atë që bën futbolli.

Shqipëria, dikur jashtë hartës së pretendentëve, u kualifikua për herë të dytë në histori, brenda 8 vitesh, në finalet e Kampionatit Europian. U renditëm të parët në grupin tonë eliminator, duke dhuruar lojë spektakolare dhe shumë emocione. Kjo është një arritje shumë e madhe për futbollin shqiptar dhe tashmë këta djem, ky staf teknik dhe organizativ kanë hyrë në histori. Shorti na kishte vendosur në një grup të vështirë (këtë e tregon fakti se në një grup me pesë skuadra, 3 prej tyre, janë finaliste të Euro 2024), por ne patëm forcën që ti sfidonim të gjithë: Kundërshtarët, vështirësitë, pafatësitë, dëmtimet.

E nisëm rrugën tonë, me një humbje në Poloni. Por kjo, nxori në pah karakteristika shumë pozitive të grupit të futbollistëve dhe stafit: karakterin, sedrën sportive dhe sakrificën. Reagimi ishte fantastik dhe skuadra u bë gati e papërmbajtshme. Ajo reagoi në mënyrë të shkëlqyer, duke zhvilluar ndeshje të paharruara dhe duke e siguruar kualifikimin përpara mbylljes së edicionit.

Tashmë jemi finalistë. Përballë në grup, kemi kundërshtarë të sprovuar dhe jemi sfidantët e “grupit të hekurt” të Euro 2024.

Por ne nuk kemi frikë askënd dhe këtë e kemi treguar me lojën tonë. Sigurisht kemi shumë respekt dhe vlerësim për kundërshtarët e fortë, por jemi gati për ti sfiduar, duke dhënë më të mirën me shqiponjën në kraharor dhe me himnin tonë në zemër me qëllimin e vetëm për t’u kthyer fitimtarë. Cilido të jetë rezultati ne do të fitojmë nga ky Kampionat Europian.

Dhe po nuk ja dolëm (që mund të ndodhë për 1001 arsye), e rëndësishme është që të mbajmë kokën lart, duke treguar vlerat tona dhe duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët.

Stafi teknik i ekipit nën drejtimin e trajnerit Silvinjo dhe ai i administratës së FSHF po përgatit në detaje, si për fushatën përgatitore që do të zhvillohet në Austri, ashtu edhe në rezidencën zyrtare të ekipit në Gjermani, Kaiserau.

Tashmë jemi gati për të nisur fushatën tonë, në të cilën të gjithë drejtuesit e klubeve dhe futbollistët e kombëtares në vite, janë të ftuarit specialë për ta shijuar e mbështetur këtë sukses të përbashkët.

Shpresojmë shumë dhe uroj që kjo fushatë, të jetë e suksesshme dhe dinjitoze.

 

Krenarë, për çdo garë të organizuar, tradicionale apo të ndryshuar e përmirësuar. Të cilat kanë si objektiv parësor vetëm zhvillimin e përparimin e lojës sonë, rritjen e cilësisë dhe vlerave të saj.

Këtë vit, vëmendja kryesore ishte aplikimi i skemës së re “Final 4”, në kampionatin e djemve dhe vajzave. Pavarësisht stepjes dhe shpesh herë edhe mosbesimit, aplikimi i kësaj skeme rezultoi i suksesshëm. Ky format i ri i kampionatit, ka pasur diskutimet e veta, por besoj që performanca e skuadrave dhe emocionet e fazës finale dhanë përgjigje pozitive, për zgjedhjen tonë. Urime ekipit fitues të Egnatias por edhe ekipi i vendit të dytë Partizani duhet të ndjehet i fituar për çfarë dhuroj mbrëmë në “Air Albania”. Urime gjithashtu edhe skuadrave që u ngjitën në Kategoritë respektive, Elbasani e Bylis në superiore dhe Valbona e Pogradeci në Kategorinë e Parë.

Gjithashtu, incentivimi i lojtarëve të rinj në moshën 16-21 vjeç në Kategorinë e Parë, duke ofruar mundësi për të ardhura financiare për klubet dhe njëkohësisht për të promovuar talentet e reja ne edicionin e dytë të tij, po jep rezultate.

Të regjistruar zyrtarisht janë 21840 futbollistë.

Në edicionin e fundit janë organizuar 15104 ndeshje zyrtare në të gjitha nivelet.

Në çdo javë, në të gjitha nivelet aktivizohen 641 zyrtarë të FSHF.

 

Krenarë për aktivitetet ndërkombëtare dhe eventet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe. Tashmë, ne kemi një eksperiencë të madhe në organizimin e eventeve ndërkombëtare. Federata ka treguar se ka një staf të aftë dhe të specializuar, për të përballuar çdo sfidë të kësaj natyre. Gjatë periudhës 2023-24, janë organizuar në Shqipëri 16 turne ndërkombëtarë për vajza e djem, në bashkëpunim me UEFA-n. Nga të cilët 11 në vitin 2023 dhe 5 gjatë 5 mujorit të vitit 2024.

Strategjia që kemi ndjekur për të organizuar shumë turne ndërkombëtarë, nuk është rastësore, por rezultat i një studimi të gjatë dhe efektiv. Ajo është një zgjedhje shumë e mirë, nga e cila ne kemi përfitime të katërfishta: Në aspektin sportiv kryesisht, por edhe në imazh, në eksperiencë, dhe në atë financiar, çka rrit të ardhurat për futbollin shqiptar.

  • Sportivisht (ose Teknikisht): Pasi ekipet tona kombëtare, ndjehen më të motivuara, se luajnë në vendin e tyre. Dhe sigurisht më të lirshëm, ç’ka është faktor i rëndësishëm, që ndikon në rezultat, sidomos në këto mosha. Teknikët dhe futbollistet tanë, jo vetëm ata që janë pjese e turneve kanë mundësi që të përfitojnë eksperiencë nga përvoja direkte e ekipeve të tjera.
  • Imazhi: Sepse ekipet pjesëmarrëse njihen me FSHF, arritjet tona në infrastrukturë, me “Shtëpinë e futbollit” dhe me stafin tonë me aftësi te larta profesionale.

* Eksperienca: Natyrisht, që stafi ynë rritet profesionalisht akoma më shumë, në kushte reale dhe fiton një eksperiencë të vyer në organizimin e eventeve të tilla.

* Financiarisht: FSHF si organizatore, ka bonuse financiare nga UEFA. Nga organizimi i 16 turneve deri më tani, ne arkëtojmë afro 1 milion e 800 mijë Euro. Duke hequr pjesën e shpenzimeve, prej tyre FSHF ka një të ardhur neto, afro 1 milion e 100 mijë Euro.

Ndërkohë që përfitime financiare ka edhe vendi ynë, Shqipëria. Organizimi këtyre turneve, sjell të ardhura të drejtpërdrejta tek shërbimet hoteliere, ato të transportit dhe shumë shërbime të tjera.

Sigurisht, që nuk ndalemi dhe gjithmonë kërkojmë më shumë. Ne kemi synim e objektiv të qartë ta fusim Shqipërinë e futbollit, në hartën e vendeve të zhvilluara. Pasi na u besua finalja e “Conference League”, pasi kemi zhvilluar kaq shumë turne ndërkombëtarë, ne kemi fituar të drejtën për organizimin e finaleve të Kampionatit Europian për djemtë nën 17 vjeç. I cili në vitin 2025 do te zhvillohet ne stadiumet “Arena e Demave”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” , “Egnatia Arena” dhe finalja në “AIR ALBANIA”- Stadium. Prej muajsh strukturat e FSHF vazhdojnë punën së bashku me UEFA-n, që gjithçka të jetë perfekte dhe dinjitoze. Dhe ne shpresojmë shumë, që ky aktivitet do të tregojë vlerat tona si institucionale dhe do të afrojë mikpritjen tradicionale shqiptare përpara vendeve pjesëmarrëse.

Dëshira jonë e madhe por edhe interesi kombëtar, ka qenë të rrisim nivelin e kompeticioneve, ndaj kërkuam që të organizonim Finalet e Kampionatit Europian të vitit 2027, për djem nën 21 vjeç, ç’ka përbën edhe arritjen më të madhe, për mundësitë tona aktuale. Ne aplikuam si konkurrentë me vete, brenda afatit të përcaktuar nga UEFA. Aplikuan gjithashtu edhe Belgjika, Turqia dhe Serbia.

Shanset për të fituar të vetëm, ishin të pakta si për ne, ashtu edhe për Serbinë, për arsye të stadiumeve akoma të papërfunduara.

Do të donim shumë që të kishim edhe zgjidhje të tjera, por Kosova, Maqedonia e vende të tjera fqinje, as nuk plotësojnë kriteret e infrastrukturës por as nuk kishin aplikuar brenda kohës së vendosur.

Për organizimin e këtij turneu, ne kemi interes të drejtpërdrejtë, dhe kjo jo vetëm për imazh dhe eksperiencë.

Por së pari, siç e thashë edhe në fillim, ne i bëjmë një shërbim të madh vendit. Konfirmojmë futjen e Shqipërisë në hartën e vendeve të sigurta e me aftësi të larta organizative, kuptohet nëpërmjet Federatës së Futbollit.

Së dyti, ekipi ynë kualifikohet automatikisht në finalet e “Euro 2027”, për kategorinë U-21 dhe kjo përbën një arritje historike.

Jemi menduar gjatë, përpara se të vendosnim për të bashkëorganizuar “Euro 2027” për moshën U-21, me Federatën e Serbisë.

Cili më mirë se futbolli, mund të japë mesazhe paqeje, civilizimi, tolerance, bashkëpunimi e bashkëjetese. Që janë aq të nevojshme, në këtë periudhë tensionesh, kur luftërat nuk janë më imazhe filmash artistikë, por një realitet i trishtë, që kërcënon njerëzimin. Dhe tashmë ky kërcënim po afrohet kaq shumë, sa të gjithë duhet të bëjmë përpjekjet tona për ta minimizuar.

Mesazhi që ne japim në këtë rast, është mesazhi i paqes, i bashkëpunimit e i tolerancës. Të cilat janë aq të kërkuara dhe të mbështetura nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos për vendet problematike të rajonit tonë. Kjo, i shërben edhe çështjes së njohjes së Kosovës. Ky është një mesazh europian, që na bën edhe më shumë europianë, siç aspirojmë të jemi. Një mesazh që vlen dhe nuk mund të zbehet nga “mjaullimat” e demagogëve të veshur me kostumin e “pseudopatriotit”, që s’lënë rast pa shfaqur “protagonizmin mjeran” nëpër blogje e komente fyese.

Kjo, është e vlefshme dhe kombëtare. Të tjerat s’kanë vlerë dhe janë retorika boshe.

Ndoshta nuk është vendi dhe nuk e kam përmendur kurrë por gjej rastin të konfirmoj edhe njëherë qëndrimin tim konsekuent, në lidhje me Kosovën. Ai ka qenë i pandryshueshëm, nga dita e parë dhe përgjatë gjithë periudhës që drejtoj FSHF-në. Kam bërë maksimumin për ta mbështetur futbollin kosovar dhe Federatën e Kosovës, me veprime e projekte konkrete, kur ajo nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. Kam lobuar fuqishëm për njohjen e saj, në të dyja institucionet ndërkombëtare FIFA dhe UEFA, deri në pranimin me të drejta të plota. I kam qëndruar pranë, dhe do të vazhdoj ta bëj, në çdo hap që ata hedhin drejt përparimit e suksesit dhe ju garantoj se marrëdhëniet janë më shumë se vëllazërore. Marrëdhënie që i kam patur të tilla me Sabri Hashanin, me të paharruarin mik Fadil Vokrri dhe vazhdoj t’i ruaj me Presidentin Ademi, i cili ndjehet si në “shtëpi të vet” në FSHF.

Dhe për të gjitha këto, jam shumë krenar.

Nder e krenari për organizimin me nivel të lartë profesional, të shumë aktiviteteve ndërkombëtare, në bashkëpunim me UEFA-n. Dhe këtu bëhet fjalë, jo vetëm për kompeticione, turne apo gara, por për politika, trajnime dhe vendimmarrje të Institucionit Europian të futbollit UEFA, të mikpritura në Tiranë. Eksperienca që kemi fituar në drejtim të organizimit të eventeve madhore, tashmë është e njohur dhe e vlerësuar nga UEFA. Pas mbledhjes së Komisionit “HatTrick” në Tiranë, (i cili për herë të parë doli jashtë selisë së Nionit), një tjetër forum të rëndësishëm u organizua në “Shtëpinë e Futbollit”. Ishte mbledhja e UEFA-s “Strategic Associations Meeting”, me pjesëmarrjen e 11 Federatave të Europës Juglindore. Po kështu mbledhja e Panelit Grassroots (futbollit të fëmijëve), organizimi i trajnimit CFM me pjesëmarrës nga të gjitha federatat (ndërkohë që kemi programuar dhe një tjetër sezon në shtator të këtij viti), Workshop-i, i të së drejtës sportive, me iniciativën e Departamentit Ligjor, në të cilin morën pjesë figura të njohura, të drejtësisë sportive dhe përfaqësues të FIFA.

Krejtësisht e veçantë, ishte ekspozita “Paolo Rossi, djaloshi i artë dhe legjendat“, ku FSHF ishte bashkëorganizatore dhe u përfaqësua edhe me një pavion të sajin, i cili për gati një muaj me radhë u ndoq nga vizitorë të shumtë, vendas dhe të huaj.

Të gjitha këto aktivitete, që përmenda më lart, kanë marrë vlerësime maksimalisht pozitive nga UEFA dhe pjesëmarrësit janë larguar me dëshirën e madhe për t’u rikthyer.

 

Krenar, për mbështetjen e çdo projekti për zhvillimin e infrastrukturës sportive. Asnjë projekt i paraqitur, nuk merr përgjigje negative në Federatën e Futbollit. Përkundrazi jemi vetë ne, që kemi iniciuar dhe nxitur zhvillime të tilla. Sepse jemi të bindur, që futbolli nuk mund të ecë përpara pa fusha stërvitje e loje dhe pa kushte optimale për lojtarët e spektatorët, për të cilat vendi ynë, ka jashtëzakonisht shumë nevojë. Megjithëse, mund të them pa rezerva, se në këtë drejtim jemi nga më të mirët në rajon.

Unë, mund të përmend disa investime të realizuara, gjatë kësaj periudhe :

* Përfundimi i fushës së re me tapet sintetik, në Qendrën Stërvitore Kamëz.

* Fusha me bar artificial në Kompleksin “Dinamo City” në Arbanë.

* Fusha e stadiumit dhe e stërvitjes në qytetin e Lushnjës, në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjës.

* Fusha e re stërvitore në Ahmetaq, (Vorë), në bashkëpunim me Bashkinë e Vorës.

* Faza e parë e punimeve në Shtoj të Shkodrës në bashkëpunim me akademinë “Soccer Star”.

* Dy fusha të vogla, me bar artificial, në Repartin Special “Delta Force” në Rradhimë të Vlorës.

  • Përmirësime në stadiumin Kombëtar “Air Albania”.
  • Përmirësime në Qendrën stërvitore në Kamëz.

Por më të detajuara e me vlerat respektive, ju i keni ato në raportin e aktiviteteve.

Krenarë, për zhvillimin e futbollit të fëmijëve. Vijimi i projekteve të rëndësishme “UEFA Playmakers” dhe “FIFA Football 4 Schools” cilët kanë vijuar, me shumë pjesëmarrje fëmijësh edhe gjatë kësaj periudhe. Por jo vetëm kaq, asistenca e Drejtorisë Teknike për mënyrën e stërvitjes, unifikimi i metodologjisë me literaturë të Drejtorisë Teknike, organizimi i kurseve “UEFA C” në shoqatat rajonale, vazhdimi i projekteve unike si “Topi Yt” dhe “Uniforma Ime”, kanë qenë drejtime të rëndësishme në punën tonë.

Autonomia e shoqatave rajonale, ndonëse në rrugë të mbarë është ende larg objektivave që kemi vendosur. Sot, vërtetë ato kryejnë në mënyrë të pavarur buxhetimin, organizimin e garave e disa procese të tjera, me financim 100% nga FSHF, por puna e tyre duhet të orientohet drejt autonomisë financiare.

 

Politika jonë e incentivimit të lojtareve të ekipeve të Kategorisë Superiore dhe e mësueseve të shkollave nuk ka dhënë rezultatet e duhura. Rritja e numrit të skuadrave dhe vajzave futbolliste nuk është realizuar sipas pritshmërive tona.

Kemi prezantuar Strategjinë e Zhvillimit të Futbollit të vajzave “Rising stars” dhe jam i bindur se së shpejt, do të gjejmë mënyrat e politikat e duhura, për ta ndryshuar e zhvilluar.

Krenarë, për masivizimin e futbollit, jemi vetëm në vitin e tretë e kampionateve amatore të 5×5, “Sunday Leage Albania” e “Futsal”, e numërojmë 2.500 futbollistë amatorë, të organizuar në të gjitha kampionatet rajonale e kombëtare të moshave 18-50 vjeç. Për t’u vlerësuar është edhe përfaqësimi dinjitoz, e me rezultate të kënaqshme në arenën ndërkombëtare i disa përfaqësueseve.

Së fundmi, UEFA i dha të drejtën FSHF, për organizimin e tureve paraelimatore të “UEFA UEFA Regions’ Cup” të grupit A. Ndeshje që u luajtën në Shqipëri nën organizimin e FSHF-së dhe nën drejtimin e trajnerit Ardian Haçi, Kombëtarja jonë u kualifikua në raundin e ndërmjetëm dhe jemi pretendentë për t’u kualifikuar edhe në finale. Së fundmi UEFA i ka dhënë të drejtën FSHF, për organizimin e tureve paraeliminatore të “UEFA Futsal Champions League”.

Krenarë për “Shkollën e Federatës së Futbollit”. Pa dyshim më e besueshmja, e më produktivja në rajon. E vlerësuar për mënyrën e mësimdhënies, disiplinën, rregullin e respektin për studentët por edhe për nivelin e lartë të lektorëve pjesëmarrës.

– Kursi “UEFA PRO”: Ka nisur në muajin Tetor 2023 dhe po marrin pjesë 21 trajnerë, që pritet të diplomohen në fund të këtij viti.

– Kursi “UEFA A”: Janë diplomuar 40 trajnerë.

– Kurset “UEFA B”: 39 trajnerë.

– Kurset “UEFA C”: Janë zhvilluar gjatë vitit 2023, katër të tillë në nivel kombëtar. Janë diplomuar 168 trajnerë.

– Totali : 247 trajnerë të rinj, pa përfshirë kursin “UEFA PRO”

Ndërkohë “treni” i gjatë i kurseve, nuk ndalet këtu. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar edhe:

– Kurs “UEFA GK-B”: 40 trajnerë portierësh

– Kursi i “Mjekësisë Sportive”: 23 mjekë dhe fizioterapistë të licencuar.

– Kursi “Drejtor Sportiv”: 22 drejtorë të rinj sportivë

– Kursi i “Video Analizës”: 25 analistë të rinj

– Kursi “UFDEP”: 28 persona, përfshirë mjekë dhe fizioterapistë

– Kursi për “Zbulues Talentesh”: 23 të diplomuar.

– Organizimi i një kursi specifik për lojtaret e ekipit kombëtar A për vajza.

 

Krenarë, për situatën e shëndoshë e të sigurt financiare, për të cilën Komisioni i Financës, ka raportuar në bilancin e paraqitur në Asamble. Por mund të përmend shkurtimisht disa shifra:

  • Të ardhurat nga sponsorizimet dhe reklama në vitin 2023 ishin në vlerën 167,185,000 lekë ose afërsisht 1.670.000 euro dhe kanë një rritje me 23% krahasuar me një vit më parë: Që ishin 135,995,000 lekë (afërsisht 1,360,000 euro). Unë gjej rastin ti falënderoj partneret tanë: Vodafone, Sigal Uniqa Group, Macron, Uji Tepelena, Union Bank, Vas Tour, Infinity Destination.
  • Të ardhurat nga shitja e biletave të ndeshjeve në vitin 2023 ishin në vlerën 328,879,000 lekë dhe kanë një rritje me 220% krahasuar me një vit më parë (102,903,000 lekë të ardhura nga biletat në vitin 2022).

 

Shume Krenarë, për të gjitha aktivitetet me përgjegjësi sociale, që FSHF ka organizuar: (Në mënyrë telegrafike unë do të përmend disa, pasi ato janë shumë)

  • Mbështetja e pjesëmarrjes së ekipit Kombëtar të të amputuarve në ”Ligën e Kombeve” në Skoci.
  • Organizimi i “Open Day” në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, me fëmijët me aftësi ndryshe.
  • Mbështetja për fëmijët me autizëm: Ngjyrosja e stadiumit dhe fushata me futbollistët e ekipit kombëtar.
  • Fushata #nëstadiumjemitëgjithënjësoj dhe #footbALL, mblodhi mijëra njerëz në Stadiumin Kombëtar “Air Albania” gjatë ndeshjeve të Ekipit Kombëtar Femra A dhe Ekipit Kombëtar U-21.
  • Organizimi i Workshop me përfaqësuesit e klubeve, trajnerë & futbollistë, për barazinë gjinore dhe mbrojtjes së fëmijëve.
  • Fushatë sensibilizuese “Mbrojtja & siguria e fëmijëve në futboll” në bashkëpunim me organizatën “Terre des Hommes”, bazuar edhe në direktivat e UEFA-s dhe FIFA-s.
  • Organizimi aktivitetit “Futbolli na bashkon”, me fëmijët specialë të qendrës “Xhonatan”.
  • Aktivitet në fshatin “S.O.S.” në prag të festave të fundvitit. Në bashkëpunim me “Coca-Cola”, mbështetje me bazë materiale sportive.
  • Sensibilizmi për fushatave kundër kancerit të gjirit nën mesazhin “FIGHT LIKE AN EAGLE”, realizuar nga fëmijët me fjongo rozë, përpara ndeshjes Shqipëri-Bullgari, por edhe në Shtëpinë e Futbollit.
  • Në bashkëpunim me shoqatën ndërkombëtare “Faith & Light”, u mbështet dhe u organizua një ndeshje Shqipëri-Itali me persona me aftësi të kufizuar intelektuale.
  • FSHF i bashkohet “UEFA-s & yjeve e futbollit” në ndeshjen e bamirësisë për viktimat e përmbytjeve në Slloveni.
  • Kombëtarja ju bashkua fushatës së ndërgjegjësimit në Ditën Botërore të personave me sindromën down, duke veshur çorapet shumëngjyrëshe të Down Syndrome Albania.
  • Aktivitet në fshatin “S.O.S.”, me ambasadoren e Gjermanisë për finalet e “Euro 2024”, Steffi Jones.

Të bindur e të sigurt se futbolli mund të ndikojë më shumë në përmirësimin e jetës e shoqërisë, por edhe të ambientit, para pak javësh miratuam Strategjinë “Përgjegjësisë Sociale dhe Qëndrueshmërisë Mjedisore”, duke përcaktuar qartë piketat e së ardhmes.

 

Siç shihet, aktivitetet garat e përgjegjësitë në Federatë janë rritur shumë. Sot Federata paguan direkt ose indirekt 183 punonjës full time dhe 747 bashkëpunëtorë part-time, si arbitra, delegatë, trajnerë, mjekë e fizioterapistë.

 

Për të qenë më të zhdërvjellët, më fleksibël, më të shpejtë e për të përballuar sfidat e të ardhmes, ne kemi bërë ndryshime në organizimin e brendshëm të administratës. Janë krijuar katër kolona të rëndësishme për drejtim. Drejtori, tek të cilat janë inkuadruar departamentet përkatëse. Drejtoritë e reja janë: Drejtoria Teknike e cila përmbledh 6 departamente, Drejtoria Administrative e cila ka 7 departamente, Drejtoria HR dhe Inovacionit, e cila drejton 3 departamente dhe Sekretari i Përgjithshëm që normalisht ka ngarkesën më të madhe duke drejtuar dhjetë departamente dhe sigurisht drejton të gjithë operacionet administrative të FSHF.

 

Krenar, për arritjet por të vëmendshëm të ndjeshëm dhe seriozë për të ardhmen. Sepse rruga e përshkruar deri më tani na ka mësuar se më e vështirë është ta ruash dhe vijosh të jesh i suksesshëm, se sa ta arrish atë. Ndër objektivat e periudhës në përputhje me strategjinë futbolli për kombin do të kemi:

Ekipet kombëtare:

  • Kualifikimi i ekipit kombëtar në Nations League, në Ligën A, pavarësisht shkallës së vështirësisë që paraqet grupi.
  • kualifikimi në Kupën e Botës 2026
  • kualifikimi në elite raund për moshat U-17 e U-19
  • kualifikimi ne finalet e Europianit të ekipit U-21,
  • Mbështetja pa kufi, për klubet e futbollit, në gjitha aspektet: Sportiv, administrativ, menaxherial, organizativ. Kjo e mbështetur mbi një strategji të qartë dhe me objektiva konkretë e të përcaktuar. Shpejt do ta lançojmë këtë nismë.
  • Nxitja e mbështetja e Shoqatave Rajonale për të shfrytëzuar resurset manaxheriale, sidomos në drejtim të marketingut, rritjes së të ardhurave dhe shtimit të numrit të futbollistëve. Autonomia e dhënë, tashmë duhet të kthehet në efektivitet prej tyre.
  • Riorganizim i futbollit të vajzave, bazuar mbi eksperiencën e deritanishme por duke përdorur metoda dhe rrugë më të përshtatshme, për të patur sukses. Jo vetëm për të rritur shifrat e pjesëmarrëseve por për bërë një hap cilësor.
  • Përsosja sistemit të evidentimit dhe vlerësimit të talenteve kombëtare (brenda dhe jashtë Shqipërisë), duke filluar nga moshat e reja dhe e dixhitalizuar
  • Nxitja e dëshirës së fëmijëve për lojën tonë. Përfshirja e sa më shumë prej tyre në ekipe nga shkolla, rrugica, lagjja, e deri tek skuadrat e organizuara.
  • Krijimi i akademisë së futbollit të FSHF, e cila do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit e do të financohet nga UEFA brenda sezonit të ardhshëm.
  • Përfshirja e të gjithë aktorëve në zhvillimin e lojës, pushtetit legjislativ, ekzekutiv, lokal, biznesit dhe grupeve të interesit për mbështetjen e ligjeve, projekteve dhe iniciativave që i shërbejnë futbollit. FSHF do të jetë nxitëse dhe interlokutore në këtë drejtim.
  • Vijimi i projekteve të përmirësimit të infrastrukturës, pa të cilën nuk mund të ketë përparim. Jo vetëm për objekte të mëdhenj si stadiumet por edhe për fusha stërvitore, impiante vaditës, ndriçim dhe gjithçka tjetër që do të përmirësojë cilësinë e lojës dhe të procesit stërvitor.

Konkretisht do të fillojë:

  1. Ndërtimi i fushave të reja me bar artificial në Laç.
  2. Ndërtimi fushave me bar artificial në Çermë të Lushnjës.
  3. Ndërtimi i dy fushave me bar artificial në Shkodër.
  4. Ndërtimi i dy fushave me bar artificial në Berat.
  5. Ndërtimi i dy fushave me bar artificial në Vlorë.
  6. Ndërtimi i dy fushave në Qendrën Stërvitore të klubit AF Elbasani.
  7. Instalimi i sistemit në ndriçimit në stadiumin Egnatia.
  8. Ndërtimi i dy fushave me bar artificial në Gjirokastër.
  9. Rritja e kapacitetit të ndriçimit në “Shtëpinë e Futbollit”.
  10. Ndërtimi i fushës me bar artificial në Darzezë të Fierit.
  11. Ndërtimi i fushës me bar natyral në qytetin e Roskovecit.

Siç e thashë edhe në fillim ne nuk do të refuzojmë asnjë propozim bashkëpunimi për fusha futbolli me çdo lloj aktori, klube, private apo njësi vendore.

 

Të dashur miq!

E lashë për në fund, një lajm shumë të mirë që duhet të ndaj me ju. Bëhet fjalë për Ligjin e Sponsorizimeve. Kemi nisur takimet intensive dhe kanë filluar bisedimet me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, për miratimin e këtij Ligji. Është e tepërt t’ju them që ky ligj është i domosdoshëm dhe jetik, për ecjen përpara të futbollit shqiptar dhe në përgjithësi për sportin në Shqipëri. Këtë ju e dini më mirë se kushdo. Sepse jeni ju, që keni mbajtur dhe mbani mbi shpatulla barrën financiare të mbarëvajtjes së klubeve të futbollit. E cila për hir të së vërtetës, sa vjen dhe rëndohet. Mund të deklaroj se jemi në rrugë të mbarë në këtë drejtim. Gjithashtu ju bëj me dije se po punohet, që miratimi i këtij ligji të shoqërohet edhe me ndryshime të tjera ligjore, që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e atmosferës rreth lojës së futbollit. Shpresoj të ndodhë sa më shpejt.

Në mbyllje të fjalës time do të dëshiroja të ndaja me ju disa mesazhe, që i quaj të rëndësishme dhe duhet ti kemi parasysh në punën tonë në të ardhmen.

Për të arritur suksesin, për të qenë sa më kompetitivë, si kudo edhe në futboll, nevojiten tre elementë të rëndësishëm: Talent, fat dhe punë. Të parin dhe të dytin i ka në dorë zoti, të tretin e kemi vetë në dorë.

Nëse ne bëjmë mirë këtë të tretën Punën, punë në të gjitha kuptimin e kësaj fjale me përkushtim, programim, strategjinë e duhur jam i bindur se vjen edhe e dyta nga zoti.

Asnjë sukses në botë, nuk realizohet pa programuar mënyrën dhe rrugët, se si arrihet tek rezultati. Pa kalkuluar etapat. Pa parashikuar çdo detaj.

Sidomos për ne, “vende të vogla” të etura për sukses, mund të arrijmë vetëm me shumë punë e përkushtim. Por gjithmonë duke pasur besim tek vetja , tek ekipi e tek komuniteti. Përsa kohe ne të jemi një familje e bashkuar, solidare por edhe kritikë progresive për të mirën e lojës suksesi e progresi do të jenë te sigurtë.

Duke përfunduar, dëshiroj t’ju uroj punë të mbarë dhe sa më shumë suksese në punën tuaj të përditshme!

Sa më shumë shëndet!

Suksese klubeve Egnatia, Partizani, Vllaznia e Tirana në garat europiane.

Punë të mbarë punimeve të kësaj Asambleje!

Dhe një inkurajim me një duartrokitje te fortë dua t’i uroj suksese ekipit tonë Kombëtar në Gjermani. Unë dua t’i them Silvinjos, stafit të tij dhe ekipit që ne shqiptarët dëshirojmë t’i kalojmë pushimet në Gjermani këtë vit të paktën deri më 14 korrik.”

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img