Java e 20-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit për moshat kategoria Superiore ka rezervuar derbin shkodran, Vllaznia-KF Shkodra për moshën U-17. Ndeshja e zhvilluar paraditen e sotme në stadiumin “Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës është shoqëruar me një luftë të fortë sportive nga të dyja skuadrat kundërshtare. Vllaznia me trajner Brikeno Bizin që luante si pritëse në fushën e saj ka arritur të shënojë në minutën e 34-tërt me autor Rei Boshtin. Me avantazhin 1 me 0 për Vllazninë mbyllet pjesa e parë e kësaj ndeshje, ndërkohë që pjesa e dytë do të vijonte të prodhonte rivalitet dhe emocione në fushën e lojës.
Klubi Shkodra në kërkim të barazimit dhe Vllaznia për mbajtur në fuqi avantazhin, por edhe për të kërkuar një gol të dytë qetësie. Kuqeblutë kishin rastet e tyre për të shënuar golin e dytë, por për hirë të së vërtetës, të paktën për pjesën e dytë, futbollistët e KF Shkodra ishin më kërkues duke sulmuar më tepër në portën kundërshtare.
Pas tre minutave shtesë arbitri ndërkombëtar i FIFA-s Eldorian Hamiti që kishte për anësor shkodranin Melis Dervishi vërshëllen për mbylljen e takimit që përfundon me rezultatin 1 me 0 për Vllazninë.
Me këtë fitore Vllaznia, e cila gjatë javëve të mëparshme ka lëshuar jo pak pikë ndaj kundërshtarëve përmirëson pozitat në tabelën e klasikimit duke dhënë sinjale për mundësinë e përfshirjes në katërshen më të mirë të fazës finale Play-Off.
Ndërkohë, edhe pse janë mundur 17 vjeçarët e KF Shkodra kanë marrë vlerësime pozive për lojën e tyre. Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, trajneri Arbion Kopliku, ndër të tjera, humbjen e kësaj ndeshje ia ka faturuar terrenit me bar sintetik që ka stadiumi “Reshit Rusi” duke pohuar se skuadra që ai drejton stervitjet dhe ndeshjet zyrtare i zhvillon në terren me bar natyral. Gjithsesi, edhe pse sot është mundur nga Vllaznia, KF Shkodra U-17 renditet në vendin e pestë mbi skuadrën kuqeblu duke pasur patjetër objektivin e renditjes në mes katër skuadrave më të mira të kampionatit në mënyrë që të vijojë konkurimin në fazën Play-Off.