Kombëtarja shqiptare është kthyer këtë të martë në atdhe pas eliminimit nga Euro 2024. Për t’i pritur në aeroportin “Nënë Tereza” kishin shkuar shumë tifozë dhe kamerat e televizioneve të ndryshme.
Trajneri Sylvinho foli për mediat pasi doli nga aeroporti. Ai u shpreh se kombëtarja u përball me lojtarë të nivelit më të lartë. Sipas trajnerit brazilian Shqipëria ka mësuar shumë nga kjo eksperiencë.
“Duhet të kuptoni që është hera e dytë që jeni në një turne të tillë. Nuk ka qenë fare e lehtë. Jemi përballur me lojtarë të nivelit më të lartë. Kemi mësuar shumë. Të hysh kundër një Italie të fortë, Kroacisë së fortë, Spanjës shumë të fortë, kjo nuk ka çmim, është flori. Për futbollistët, për ne. Ishim në fushë me shumë lojtarë të rinj, ata janë impenjuar shumë. Kanë dhënë gjithë eksperiencën e tyre”, tha Sylvinho.
Tashmë sytë shkojnë drejt kualifikueseve për Botërorin ku Shqipëria nuk ka marrë asnjëherë pjesë. Rrugën për të arritur aty Sylvinho e sheh shumë të gjatë, por shumë të mirë, pasi kemi lojtarë të zotë.
“Kemi një rrugë të gjatë para, duhet të jemi të sinqertë. Kemi shumë lojtarë të rinj, rruga është e mirë edhe rruga e kombëtares shqiptare është e mirë. Ata e kanë prezantuar shumë mirë vendin, shumë lojtarë të mirë, kanë marrë eksperiencë, kështu që jemi ok”, tha ai.
Por vetë Sylvinho a do të qëndrojë në drejtimin e kombëtares? Trajneri thotë se është ende pjesë e skuadrës dhe se e ka për nder ta përfaqësojë vendin.
“Jam pjesë dhe kam 1 vit e gjysmë, po bëjmë një punë të mirë. Ne punojmë bashkë, asnjëherë vetëm. Ky vend është i jashtëzakonshëm, për mua është bukur të përfaqësoj këtë vend. I falenderoj të gjithë futbollistët”, tha Sylvinho.
Shqipëria u eliminua nga Euro 2024 pas humbjes nga Spanja me rezultatin minimal 0-1. Kuqezinjtë ishin në një grup të vështirë bashkë me Italinë dhe Kroacinë.