Friday, September 20, 2024

(Video) Mondi Ndou, është presidenti i ri i Vllaznisë në boks. Në stafin e trajnerëve përfshihet edhe ish kampioni Artur Gavoçi

Lexo

Ish kampioni i boksit shqiptar, Mondi Ndou, shkodrani që ka emigruar prej vitesh në Gjermani duke spikatur si një nga biznesmenët më të suksesshëm të atij vendi dhe më gjërë, është presidenti i ri i Klubit të Boksit Vllaznia.

Një gjë e tillë është konfirmuar sot nga ana e kryetrajnerit të Vllaznisë dhe ekipit kombëtar në boks, Zef Gjoni, gjatë konferencës për shtyp dhënë në prag të Kampionatit Kombëtar të boksit për të rritur që do të zhvillohet në fundjavë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Duke folur për fazën përgatitore të zhvilluar në plazhin e Velipojës si dhe pjesën tjetër në Shkodër, trajneri Gjoni bëri të ditur se Mondi Ndou ka qënë ai që ka mbështetur ekipin e Vllaznisë në këtë fazë përgatitore duke vënë në dispozicion shumën prej 5 mijë Euro.

Ndërkohë, profesor Gjoni theksoi se tashmë Klubi i Boksit Vllaznia ka presidentin e saj, Mondi Ndoun, i cili pritet të jetë në Shkodër për të ndjekur nga afër Kampionatin Kombëtar të Boksit për të rritur.

Kujtojmë që Mondi Ndou së bashku me të vëllanë, Gjovalin Ndoun, që janë edhe nipat e trajnerit Zef Gjoni, ishin promotorët e turneut të boksit profesionist, “Fists Of Fire” të zhvilluar pak muaj më parë në Shkodër, i pari dhe më i madhi i këtij lloji zhvilluar deri më tani në Shkodër. Që të dy së bashku, Mondi dhe Gjovalini udhëheqin një kompani shumë të suksesshme që operon në Gjermani dhe Angli, në të cilën janë të punësuar një numër i madh shqiptarësh.

Krahas lajmit për presidentin e ri të boksit shkodran, trajneri Gjoni bëri të ditur gjatë konferencës së mbajtur me gazetarët shkodranë, se në stafin teknik të trajnerëve të Vllaznisë është përfshirë edhe ish kampioni i njohur shkodran, Artur Gavoçi, për të cilin tha se do të jetë një ndihmë e madhe në përgatitjen e boksierëve kuqeblu.

(Video) Prononcimi i trajnerit Zef Gjoni për zgjedhjen e presidentit të ri të boksit Vllaznia, Mondi Ndou, si dhe përfshirjen në stafin teknik të ish kampionit kuqeblu, Artur Gavoçi.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img