Për vite ai ka qenë pjesë e Vllaznisë së Shkodrës, Ilir Nallbani rikthehet të flasë për “Panorama Sport”, duke dhënë opinionet e tij në lidhje me ecurinë e kuqebluve, por edhe me përballjen e kësaj fundjave kundër Elbasanit, ekip që mesfushori po ashtu ka luajtur.
Nallbani, prej disa vitesh i larguar nga Shqipëria, por besoj se e ndiqni Superioren. Si i keni parë skuadrat deri më tani?
Sigurisht që i ndjek zhvillimet e kampionatit shqiptar, pavarësisht se nuk jam më pjesë e tij. Veçanërisht do të theksoja Vllazninë, ku kam kaluar pjesën më të mirë të karrierës sime sportive. Nga ajo çfarë kam vënë re këto javë të para është barazia mes ekipeve, që e bën më të bukur dhe fortë garën.
Këtë javë kthehet një klasike si Elbasani-Vllaznia. Dy ekipe ku keni spikatur në vendin tonë, si e prisni një duel të tillë?
Besoj se është një derbi i mirë pritur nga të gjithë në Shqipëri. Të dyja janë skuadra që i kanë dhënë shumë kampionatit shqiptar. Plus edhe tifozëritë e zjarrta që kanë dhe kjo besoj do t’i japë më tepër bukuri sfidës.
Ku jeni ndier më mirë, Elbasan apo Shkodër?
Në Elbasan ka qenë fillim i karrierës sime në Shqipëri. Në atë kohë ka qenë presidenti i ndjerë, Arben Laze i cili më ka mirëpritur mjaft mirë. Së bashku me stafin dhe tifozërinë e atij qyteti jam ndier mjaft mirë dhe kam përjetuar momente pozitive gjatë qëndrimit tim për 1 vit e gjysmë atje. Pastaj në Shkodër kam një histori tjetër përsa i përket karrierës sime sportive. Aty qëndrova për 5 vite menjëherë pas largimit nga Elbasani. Ku fituam Kupën, dolëm nënkampion dhe thuajse çdo vit ishim pjesë e Kupave të Europës. Nga të dy qytetet ruaj kujtime të paharrueshme për mua.
I shikoni dy skuadrat si pretendente serioze këtë sezon për titull?
Si fillim i shoh të dyja skuadrat në formë këtë sezon. Dhe uroj të bëjnë sa më mirë deri në fundin e tij. Unë shpresoj që këtë vit të jetë kampion Vllaznia. Pasi ekipi ka disa sezone që është afër titullit dhe me pak fat mund ta arrijë. Ajo skuadër dhe ai qytet e meriton titullin kampion.
Një parashikim për duelin? Rezultati ose golashënuesi?
Mendoj se Vllaznia do të jetë triumfuese ndaj Elbasanit. Kjo për shkak të eksperiencës më të madhe në Superiore. Nëse duhet të them një golashënues besoj se ai do jetë Balaj.
Në të ardhmen mund ta shohim Nallbanin si trajner në Superiore të Shqipërisë?
Të ardhmen nuk mund ta parashikojmë dhe asaj nuk i dihet kurrë. Nuk i dihet, ndoshta në karrierën time si trajner mund të drejtoj një ditë në kampionatin shqiptar.
Endri ÇINARI