Besëlidhja ka siguruar kalimin në turin pasardhës të Kupës së Shqipërisë pasi mposhti Sopotin me rezultatin 2-1 në një përballje që u vendos vetëm gjatë kohës shtesë.
Lezhjanët kaluan të parët në avantazh në minutën e 25-të ku Besëlidhja fitoi një penallti të cilën Hila e shndërroi në gol duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij. Por kundërshtari riktheu shpejt baraspeshën, pasi Sopoti u kundërpërgjigj shtatë minuta më vonë, kur në minutën e 32-të edhe skuadra librazhdjote pati mundësinë të shënonte nga pika e bardhë teksa Jargavani u tregua i saktë dhe barazoi shifrat në 1-1 rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë asnjëra prej skuadrave nuk arriti të gjente golin që do të vendoste përballjen brenda kohës së rregullt.
Dy penalltitë e pjesës së parë mbetën realizimet e vetme të 90 minutave duke e çuar takimin në shtesë dhe duke zgjatur pritjen për të mësuar ekipin e kualifikuar.
Zgjidhja për Besëlidhjen erdhi në minutën e 108-të dhe ishte Kledis Marku që shënoi golin e dytë për lezhjanët duke rikthyer avantazhin në një moment vendimtar të ndeshjes. Këtë herë Besëlidhja arriti ta ruante epërsinë deri në vërshëllimën përfundimtare dhe festoi fitoren 2-1.
Për skuadrën lezhjane ky sukses do të thotë vijim i rrugëtimit në Kupën e Shqipërisë pas një përballje ku iu deshën minutat shtesë për të siguruar kualifikimin.
(Video) Besëlidhja-Sopti 2-1, golat e ndeshjes. Kupa e Shqipërisë, turi i parë.
Fatos LAMAJ


