Është trajneri i fundit që ka nxjerrë kampion Vllazninë në vitin 2001 dhe bëhet gjithmonë nostalgjik kur flet për kuqeblutë. Fjala është për Dervish Haxhiosmanoviç ose Deda, siç e njohin të gjithë në Shkodër. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” ai flet për ecurinë e kuqebluve. Malazezi ndalet edhe te humbja e fundit kundër Laçit dhe dëshira për ta parë Vllazninë kampione në fund.
Profesor, sa e keni ndjekur kampionatin shqiptar këtë sezon?
Në Shqipëri kam kaluar 10 vite të karrierës sime sportive si trajner. Patjetër, mundohem t’i shikoj sa më shumë ndeshjet e kampionatit shqiptar e veçanërisht Vllazninë, të cilën kur kam mundësi e ndjek edhe në Shkodër, pasi është një skuadër që mbetet gjithmonë në zemrën time.
Pse ndodhi pikërisht kjo që thoni ju kundër Laçit?
Që kuqeblutë nuk ishin të njëjtët si në pjesën e parë dhe atë të dytë? Nuk mund të jap një shpjegim për këtë, duhet kërkuar përgjigja te trajneri ose më saktë futbollistët. Ishin të njëjtët që luajtën shkëlqyer për 90 minuta e më pas në dy minuta në pjesën e dytë u shpërfytyruan. Duhet më reagim në çastet e vështira dhe futbollistët e dinë këtë.
Si e mendon Haxhiosmanoviç ndeshjen e radhës kundër Partizanit?
Uroj që Vllaznia ta ketë ekipin e plotë dhe duhet të reagojë. Luan në shtëpi, me tifozët e saj të mrekullueshëm dhe kundër një rivali direkt. Besoj se është momenti dhe ndeshja e duhur për të treguar vlerat reale dhe objektivat që ka skuadra këtë sezon.
Endri ÇINARI