Java e tretë e kampionatit Kombëtar të basketbollit, Superliga meshkuj, ka vënë përballë njëra tjetrës Vllazninë dhe Besëlidhjen. Një derbi verior, që edhe në sezonin e kaluar dhuroi spektakël në përballet e tyre.
Ndonëse lezhjanët vijnë si kryesues të renditjes me dy fitore radhazi, Vllaznia e drejtuar nga tekniku Damian Bekteshi është e karikuar maksimalisht për të marrë një rezultat pozitiv. Nisja jo e mirë e kampionatit, me humbjen në shtëpi ndaj Teutës u shoqërua me një tjetër humbje në javën e dytë në transfertë me Tiranën, por me një ndryshim, sepse ndeshja e kryeqytetit prezantoi një rritje të dukshme të lojës nga ana e kuqebluve.
Dhe, për këtë sfida e sotme duket se e gjen Vllazninë në momentin më të mirë për të bërë kthesen e duhur. Por, për të kaluar me sukses Besëlidhjen, kuqeblutë kërkojnë mbështetjen e tifozërisë shkodrane. Një gjë të tillë, ato e përcjellin edhe në postimin që faqja zyrtare e shoqatës së basketbollit Vllaznia ka bërë për këtë pragndeshje.
“Sot në ora 18:00, Vllaznia përballë Kampionëve në fuqi – Besëlidhja!
Bashkohuni me ne te Pallati i Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër për të mbështetur ekipin tonë përballë Besëlidhjes, fituesit të kampionatit dhe Superkupës! Kjo është një ndeshje që nuk duhet humbur!
Kujdes: Sektori pas pankinës së Besëlidhjes është rezervuar për tifozët e tyre.
Tregoni mbështetjen tuaj dhe ndihmoni që sot Shkodra të ushtojë nga energjia kuq e blu!”