Kursi “UEFA B Fitness Coach,” i organizuar nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n, po vazhdon me sukses.
Aktualisht, blloku i tretë i këtij kursi po zhvillohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe mbikëqyret nga Chris Barnes, zyrtar i UEFA-s dhe ekspert i njohur në shkencat sportive.
Barnes ka një eksperiencë të gjerë si konsulent i performancës atletike në klube të shumta angleze dhe aktualisht është pjesë e UEFA-s.
Ky bllok nisi me pjesën teorike, ku Iris Selimi, specialist i Departamentit të Përgatitjes Atletike në Sektorin e Edukimit, prezantoi disa aspekte kryesore të kursit. Diskutimet u përqendruan në planifikimin dhe menaxhimin e ngarkesës stërvitore gjatë një sezoni sportiv.
Pas kësaj, kursi u zhvendos në fushë, ku kursantët drejtuan një seancë stërvitore praktike me ekipin e vajzave të Kombëtares A. Kombëtarja e vajzave është aktualisht e grumbulluar dhe po përgatitet për ndeshjen miqësore kundër Rumanisë, që do të zhvillohet më 3 dhjetor, në orën 17:00, në stadiumin “Eugen Popescu.”
Blloku i katërt dhe i fundit i kursit, përpara provimit përfundimtar, do të zhvillohet në datat 11-13 dhjetor 2024.