Kur shkodrani Altin Ferizaj, emigroi vite më parë në Irlandën e largët, ai dhe familja e tij që sot jetojnë në Dublim, i kishin vënë vetes detyrë që fëmijëve të tyre t’i ushqejnë dëshirën për sportin, dhe veçmas për futbollin. Dhe përkujdesja e tyre nuk shkoi dëm, sepse dy djemtë e tij, Justin dhe Richard Ferizaj, shumë shpejt u bënë pjesë e rëndësishme e ekipeve të moshave në Irlandë.
Madje, falë edhe talentit të tyre të padiskutueshëm, shkallët e tyre po rriten dita-ditës, ku ndonësë të rinj në moshë, emrat e tyre, tashmë javë evident, jo vetëm në futbollin irlandez, por edhe më tej.
Pas Justinit 19 vjeçar, që u bë pjesë e rëndësishme e kombëtares së moshave të Irlandës, ndërkohë që po spikat edhe në futbollin e klubeve Europiane, në skenë tashmë ka dalë edhe vëllai i tij më i vogël, Richardi.
Lajmi më i fundit që vjen nga Irlanda ku jeton familja shkodrane Ferizaj, është se 15 vjeçari Richard Ferizaj pritet të nënshkruaj një kontratë 2 vjeçare me ekipin e Bray Ëanders që luan në Ligën e Parë të Kampionatit Irlanez.
Nga sa bëhet e ditur, mes futbollistit dhe menaxherit të tij nga njëra anë dhe klubit Bray Wanders, gjithçka është e kryer në letër. Por, për ta zyrtarizuar edhe në faqen e klubit dhe federatës irlandeze të futbollit, duhet pritur shkurti i ardhshëm i vitit 2025, dhe pikërisht data 13-të kur Richard mbush 16 vjeç, dhe sipas rregullores juridike, në këtë moshë ka të drejtë të nënshkruajë një kontratë profesionist.
Natyrisht, që ky është një lajm fantastik për djaloshin simpatik, si në fushën e lojës dhe jashtë saj, sepse të luash që në këtë moshë me ekipe elitare, është një sukses jo i vogël.
Natyrshëm, që edhe për familjen nga Shkodra, dhe veçmas për Altinin që është edhe një tifoz i kahershëm i Vllaznisë, fakti që të dy djemtë e tyre, Justin dhe Richard Ferizaj, kanë marrë një drejtim special në fushën e futbollit, është një krenari e ligjshme, e cila me ecurinë e mëtejshme të karrires sportive të vëllezërve Ferizaj në futbollin irlandez dhe më gjërë, fama e tyre pritet të jetë edhe shumë më e madhe.
Veriu Sport, ka kënaqësinë e përcjelljes së këtij lajmi të gëzueshëm për Richardin, dhe gjen rastin të përgezojë dhe t’i urojë të dy vëllezërve, Justin dhe Richard Ferizaj, suksese në vazhdimësi të karrieres sportive, me shpresë dhe besim të plotë në pritje të publikimit të lajmeve të tjera të niveleve edhe më të larta.
Gaspër MARKU