Vllaznia-Elbasani 3-0(25/20 25/20 25/18)
Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra dhe meshkuj ka luajtur ndeshjet e javës së pestë, ku dy ekipet e Vllaznisë kanë regjistruar një fitore dhe një humbje. Fitorja i takon ekipit të meshkujve, ku Vllaznia e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja ka mposhtur me rezultatin e pastër 3-0 ekipin e Elbasanit.
Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës është dominuar tërësisht nga kuqeblutë, të cilët në të tre setet nuk i kanë lejuar kundërshtarët e tyre të kalojnë kufirin e 20-të pikëve, madje në njërin prej tyre në vetëm 18 pikë. Seti i parë mbyllet me shifrat 25 me 20 në favor të Vllaznisë.
Me të njëjtat shifra mbyllet edhe seti i dytë po në favor të Vllaznisë. Pas disavantazhit të dy seteve të parë, miqtë nga Elbasani bëjnë një përpjekje duke kryesuar në pikët e para të setit të tretë, por pushimi i marrë nga trajneri Kalaja bën që kuqeblutë, jo vetëm të barazojnë, por edhe të marrin kryesimin duke e mbyllur këtë set në favorin e e tyre me shifrat 25 me 18 dhe duke fituar kështu të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm me sete 3-0.
Pas javës së pestë të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia e volejbollit meshkuj ka regjistruar 3 fitore dhe 2 humbje.