“Emblemat nuk vdesin asnjëherë. Ato janë simboli i Shkodrës!
Propozimi i Klubit të Futbollit Vllaznia dhe i tifozëve të shumtë shkodranë, jo vetëm që ka mbështetjen time personale, por besoj të të gjithë Shkodrës që këta emra të mëdhenj të futbollit shkodran dhe atij shqiptar të jetësohen në tribunat e stadiumit “Loro Boriçi”.
Sabah Bizi, Medin Zhega, Ramazan Rragami dhe Paulin Ndoja janë emra që i bëjnë nder sportit dhe Shkodrës!, shkruhet në postimin që kreu i Bashkisë Shkodër ka publikuar në faqen e tij zyrtare.
Në këtë mënyrë, zoti Beci, i përgjigjet menjëherë drejtpërdrejt interesit të shfaqur nga KF Vllaznia, i cili përmes presidentit Alban Xhaferi, i kërkonte zyrtarisht Këshillit Bashkiak Shkodër për emërtimin e katër tribunave të stadiumit “Loro Boriçi” me emrat e katër figurave të mëdha të futbollit shkodran e shqiptar e konkretisht Ramazan Rragamit, Paulin Ndojës, Medin Zhegës dhe Sabah Bizit. Një kërkesë kjo si vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë prej tyre për klubin shkodran dhe futbollin shqiptar në tërësi.