Thursday, January 30, 2025

(Video) Edhe 100 të tjera, Zyhdi Çoba! Ish basketbollisti kampion dhe mjeku sportiv i klubit kuqeblu feston 82 vjetorin e ditëlindjes me Vllazninë një ditë para ndeshjes me Egnatian

Lexo

Fotoja dhe video që shoqëron shkrimin është shkrepur mbrëmjen e sotme në mjediset e Gardenland Resort në periferi të qytetit të Shkodrës, aty ku ekipi i futbollit Vllaznia është grumbulluar një ditë para ndeshjes shumë të rëndësishme të kampionatit Abissnet Superiore, Vllaznia-Egnatia, e cila luhet pasditen e së dielës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës prej orës 17:00.

Fotoja dhe video flasin vetë. Presidenti i KF Vllaznia Alban Xhaferi së bashku me kapitenin e Vllaznisë Bekim Balaj i dorëzojnë mjekut të njohur sportiv të Vllaznisë tortën me shifrat e qirinjëve 82, aq sa mban mbi supe doktor Zyhdia.

Kënga e ditëlindjes, urimi dhe përqafimi me të gjithë pjesëtarët e skuadrës kuqeblu ka ardhur një ditë para ndeshjes me Egnatian duke u bashkuar edhe me urimin për një fitore tre pikëshe pasditen e së dielës ndaj rrogozhinasve duke paralajmëruar një tjetër festë menjëherë pas ndeshjes me rrogozhinasit.

Kush është Zyhdi Çoba?

Basketbollist me ekipin e Vllaznisë që prej vitit 1959, ku nën drejtimin e trajnerit Esat Haxhi arrin kulmin në vitin 1967 duke u shpallur kampion kombëtar, dhe në vijim fiton dy Kupa Republike përkrah kolegëve të nderuar Vehdi Ademi, Renato Radoja, Skënder Osmani, Luan Shatku, Valter Kalaja, Filip Guraziu, Roland Koka.

Gjatë këtyre viteve ka qënë pjesë edhe e ekipit kombëtar, ku spikatjen më të madhe e kishte me fitimin e medaljes së artë në  Festivalin e Rinisë dhe të studentëve, zhvilluar në Helsinki të Finlandës.

Pjesë e karrieres sportive të Zyhdi Çobës është edhe konkurimi me ekipin e Studentit, periudhë kjo kur ai ndjek studimet e larta në degën e mjekësisë. Pas diplomimit, për doktor Zyhdinë fillon një etapë tjetër bashkëpunimi me klubin Vllaznia, sepse krahas disa angazhimeve në disa institucione të tjera, ai do të ishte pjesë e pandarë e Vllaznisë për një periudhë të gjatë 67 vjeçare që vazhdon edhe sot e kësaj dite duke gëzuar respektin maksimal të të gjithë sportistëve, trajnerëve dhe dejtuesve kuqeblu.

Por, jo vetëm, sepse falë aftësive të tija profesionale, doktor Zyhdi Çoba do të preferohej nga Federata Shqiptare e Futbollit për të shoqëruar ekipet kombëtare, ku krahas ekipit të parë, vitet më të shumta i ka kaluar pranë kombëtares U21 dhe periudhën e fundit edhe me kombëtares futbollit femra, si dhe kombëtaret e tjera të moshave.

Nuk është vetëm futbolli që e preferonte ta kishte pranë doktor Zyhdinë, sepse pothuaj edhe të gjitha federatat e tjera sportive të Shqipërisë janë shoqëruar nga doktor Çoba në aktivitetet ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit.

Për të gjitha këto, Zyhdi Çoba, përfshirë kontributet e tij si basketbollist me Vllazninë, Studentin dhe ekipin kombëtar, dhe në vazhdim edhe si mjek sportiv, është nderuar me çmime dhe tituj të ndryshëm:

“Mirënjohja e Qytetit” nga Këshilli Bashkiak Shkodër me motivacionin: “Një nga figurat më të shquara të mjekësisë sportive në qytetin e Shkodrës. Për kontributin 40 vjeçar në shërbim të gjithë sportistëve e veçanërisht të futbollistëve për arritjen e rezultateve të larta sportive.”, “Medalje” për shërbime ndaj popullit, për punë shembullore në drejtim të ruajtjes së shëndetit të popullit nga Presidiumi i Kuvendit Popullor,  “Mirënjohje” nga Komuna Ulqin me motivacionin: “Dr. Zyhdi Çobës për kontributin e dhënë në zhvillimin e turizmit sportiv në Ulqin”, “Mjeshter i Madh” nga Presidenti i Republikes, Ilir Meta me motivacionin “Ne shenje vleresimi per kontributin e çmuar ne mjekesine sportive, si mjek ne skuadren e futbollit Vllaznia dhe ekipin kombetar. I dalluar per profesionalizmin e tij ne dobi te rritjes dhe permiresimit te shendetit te sportisteve cilesore”.

Me urimin e KF Vllaznia dhe padyshim edhe të gjithë sportdashësve shkodranë dhe më gjërë, prej të cilëve Zyhdi Çoba meriton respekt, bashkohet edhe portali Veriu Sport: Edhe 182 vite të lumtura për ju, doktor Zyhdi Çoba, miku dhe dashamiri i afërt, jo vetëm i sportistëve, por të gjithë komunitetit të Shkodrës dhe më gjërë!

(Video) Pamje nga festa e ditëlindjes së 82-të për mjekun sportiv, Zyhdi Çoba, organizuar nga KF Vllaznia mbrëmjen e sotme në hotelin ku shtë grumbulluar Vllaznia një ditë para ndeshjes me Egnatian, Abissnet Superiore, java e 22-të.

Gaspër MARKU, 25 Janar 2025

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img