Volejboll-Vllaznia e femrave qëndon në Superligë. U21 e meshkujve, humbet finalen e parë me Partizanin, të dielën ndeshja e dytë në “Qazim Dervishi”

Dy ekipet e Shoqatës së Volejbollit Vllaznia, ai i femrave të rritura dhe i meshkujve U21, kanë luajtur në mesjavë dy ndeshje të rëndësishme.

Femrat e drejtuara nga Nora Deda, ishin mysafire në Lushnje në kuadër të ndeshjes së dytë të vleshme për “Play In-Play Out”. Që do të thotë, se sipas formulës së FSHV, Vllaznia e vendit të shtatë në Superligën e volejbollit femra kërkonte qëndrimin në këtë kategori, ndërkohë që lushnjaret e vendit të dytë në Kategorinë e Parë, luftojnë për ngjitje në Superligë.

Por, ky ballafaqim nuk pati vend për diskutim, sepse pas fitores së ndeshjes së parë në shtëpi 3-0, Vllaznia e femrave ka fituar me të njëjtin rezultat edhe në transfertën e Lushnjes, ku me dy fitore radhazi sigueon qëndrimin në Superligë.

Ndërsa, sa i takon Vllaznisë U21 për meshkuj, skuadër e drejtuar nga trajneri Endri Jukni dhe kolegu i tij Fatjon Çekini, e cila pas një përfaqësimi mjaft të mirë në turet e mëparshme, siguroi kualifikimin në finalen e fazës Play Off .

Sfida e parë e luajtur mbrëmjen e së mërkurës në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit duke pasur përballë Partizanin,  është fituar nga vendasit me rezultatin 3-0, respektivisht me sete, 25-18 dy setet e parë  dhe 27-25 i treti.

Ndeshja e kthimit e finales, Vllaznia-Partizani për kategorinë U21, është planifikuar të luhet të dielën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, ku në rast fitoreje të kuqebluve, do të luhet një ndeshje e tretë, përsëri në Tiranë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu