Javën e kaluar, Vllaznia barazoi 0-0 me Teuten, rezultat që i ka mbetur peng kuqebluve që me rastet e pastra për shënim nuk arritën ta fitonin këtë ndeshje. Një gjë të tillë e përcjellë në analizën e tij edhe zv.trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori. Ndërkohë, që në vijim, ai që konsiderohet në publik si krahu i djathtë i gjermanit Brdariç flet me optimizëm se në përballjen e radhës me Kukësin, takim i cili luhet pasditen e së premtes në stadiumin “Elbasan Arena” duke filluar nga ora 18.00, kuqeblutë do të kthehen me fitore tre pikëshe në Shkodër.
Plori, keni lënë pas ndeshjen e javës së 32-të me Teutën, ku padyshim, i pakënaqur nga barazimi në shtëpi.
Po, normalisht të pakënaqur duke parë edhe mënyrën se si ka marrë kampionati, duke parë edhe mënyrën se si luajtëm kundër Teutës, them se kishim mundësi ta fitonin ndeshjen, dhe kjo është ajo që na mërzit më tepër. Nuk është se në këto dy ndeshje kemi marrë maksimumin, jo se them unë, po kështu e mendon i gjithë grupi dhe stafi. Them se ishin ndeshje të mira, si me Tiranën dhe po ashtu me Teutën, dhe nga maksimumi i 6 pikëve morëm vetem 1, gjë që në fak na ka mërzitur pak më tepër.
Dy ndeshje të mira, shoqëruar edhe me raste të shumta goli, por mungon dërgimi i topit në rrjetë, ju shqetson ky fakt?
Na shqetson, sepse në kampionatin shqiptar nuk është se kemi një bonus shumë të madh, ose një vlerësim shumë të madh të situatave të lojës. Pra, i bie që rastet janë me pikatore, nuk janë raste që një skuadër e kampionatit shqiptar, të jemi të sinqertë mund të krijojë 10-15 raste për shënim. Në një ndeshje siç janë edhe këto të fundit ku ka edhe shumë stres dhe normalisht duhen pikët, them 3-4 raste për shënim në një ndeshje në 90-të minuta janë mjaft. Pra, në qoftë se nuk i shfrytëzon në 90-të minuta të shënosh, pastaj gjithmonë rrin me frikën se mos gabon dhe mund ta pësosh. Kjo, si pjesë nuk mund të fajësohet vetem sulmi, në qoftëse fajësohet mbrojtja kur pësohet goli dhe fajësohet sulmi kur nuk shënohet, mund të them se është kompleks. Futbolli është një lojë kolektive, pa ndihmesën e njëri tjetrit nuk mund të bëhet asgjë dhe rastet që humbet nuk është dëshira që të mos shënohet, por janë pjesë e futbollit dhe duhen njoftë ato. Pra, duhet ta kuptojmë shumë mirë, ne duhet të krijojmë sa më tepër, të jemi më të qetë përpara portës, dhe të arrijmë të shënojmë.
Duke lënë pas Teutën keni nisur menjëherë përgatitjet anti-Kukësi me një përqëndrim maksimal
Absolutisht që po. Tani kanë mbetur vetëm 5 javë kampionat dhe një javë që është e fundit, finalja e Kupës së Shqipërisë, pra kanë mbetur edhe 6 javë për Vllazninë. Them se këto të gjashta janë që të gjashta finale, duke pasë parasysh edhe renditjen në tabelën e klasifikimit, jemi vetëm 3 pikë karg vendit të parë. Por, nuk duhet të mendojmë se nuk munde të arrish vendin e parë. Atë mund ta arrish me sukses, por duhet parë me kujdes edhe vendi i pestë. Pra, është një ngjeshje, një kampionat i çuditshëm, ku të gjitha skuadrat mund të dalin fitimtare në fundin e tij, por mund ta hedhin edhe sezonin në erë duke mos marrë asgjë. Pra, për atë ne jemi fokusuar, ajo çfarë kaloi, kaloi, jemi të përqëndruar që në ditën e parë që kemi filluar. Sot, ne bëmë edhe një analizë të shkurtër, ku i bëmë me dije sportistëve se asgjë nuk ka mbaru. Jemi në lojë për të gjitha, ashtu siç kemi filluar duhet ta mbarojmë duke qënë të fokusuar dhe përqëndruar sepse është shumë e rëndësishme përqëndrimi në këto javë të fundit të kampionatit.
Me sa kemi informacion, skuadra është e plotë në përballjen me Kukësin?
Pothuajse të gjithë janë të gatshëm. Ato mungesa që kemi pasur, si dëmtimi i Imamit, tashmë ai është bërë gati. Pak problem ka Da Silva i cili edhe në ndeshjen me Teutën nuk ishte me seanca të plota të stërvitjes. Them se të gjithë do jenë gati për ndeshjen më Kukësin.
Keni përballë një Kukës që ka lëshuar shumë terren në rënditje por gjithsesi është ajo skuadër që ju ka ndëshkuar në “Loro Boriçi”.
Është një skuadër që ka bërë një kampionat të çuditshëm duke shikuar edhe elementin që ka brenda, të cilin e ka shumë të mire. Por është fakti kur lojtarët nuk përqendrohen ose nuk kanë ambicje për të arritur diçka. Është problem motivimi i tyre dhe kjo e ka bërë që të jetë aty ku është sot, gjithsesi unë e vlerësoj maksimalisht atë skuadër sepse ka lojtarë që mund të bëjnë diferencën dhe jo më kot dy sulmuesat e saj janë më të mirët e kategorisë Superiore.
Shkoni për tre pikë në “Elbasan Arena”?
Tani për tre pikë futemi për të gjitha ndeshjet. Ne kemi lëmë të kuptojmë që nuk kemi asnjë diferencë me skuadrat e kreut. Jemi të gjithë aty-aty, jo vetëm me pikë por edhe me lojë, them se duhet të futemi për tre pikë me çdo ekip.
Gaspër MARKU