Prishtina është fituese e edicionit 2024/25 të Kupës së Kosovës në futboll. Në finalen e zhvilluar të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, në prani të rreth 10 mijë tifozëve, skuadra e kryeqytetit e mposhti Llapin, me rezultat minimal 1:0, duke e siguruar kështu trofeun për herë të nëntë në histori dhe për herë të dytë në tri edicionet e fundit.
Trofeun kapitenit të Prishtinës, Drilon Islamit, ia dorëzoi presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pas një ceremonie solemne në fund të ndeshjes, derisa trofeun deri aty e barti futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Valon Berisha. I pranishëm në ndeshje ishte edhe përzgjedhësi i Kombëtares, Franco Foda si dhe përfaqësues të institicioneve, derisa drejtësinë në këtë finale e ndau gjyqtari nga Gjermania, Robert Schroder, së bashku me pesë gjyqtarët tjerë gjermanë.
Golin e vetëm dhe vendimtar për Prishtinën e realizoi mesfushori Albin Krasniqi në minutën e 61-të, me një goditje të fuqishme nga zona, e cila u devijua nga mbrojtësi i Llapit, Diar Vokrri, dhe përfundoi në rrjetën e portierit kroat, Marijan Çoriq.
Pak çaste para golit, Llapi mbeti me një lojtar më pak, pasi mesfushori Arbnor Ramadani u përjashtua pas një ndërhyrje të ashpër në mesfin e fushës, duke ia vështirësuar punët skuadrës së tij në vazhdim të ndeshjes.
Pavarësisht angazhimit dhe përpjekjeve, Llapi nuk arriti ta gjejë golin e barazimit dhe kësisoj mbetet me dy trofe të fituar në këtë garë, ndërkohë që për Prishtinën kjo ishte finalja e tretë radhazi në Kupën e Kosovës. Edhe në finalen e edicionit 2022/23 Prishtina kishte triumfuar, duke e mposhtur Gjilanin, me rezultat 2:0, ndërsa vitin e kaluar humbi ndaj Ballkanit pas penalltive (4:2), pasi ndeshja ishte mbyllur 2:2 pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve.
Prishtina, përveç trofeut prestigjioz, siguroi edhe pjesëmarrjen në garat evropiane.
Kreu i FFK-së, Agim Ademi, pas finales ka uruar FC Prishtina për suksesin e arritur përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
“Finalja e sotme ishte dëshmi e profesionalizmit dhe karakterit të skuadrës suaj. Me një paraqitje të shkëlqyeshme, arritët të fitoni ndaj një kundërshtari të fortë si FC Llapi (1:0), duke i dhënë krenari tifozëve tuaj dhe gjithë kryeqytetit. Ky sukses është fryt i përkushtimit, bashkëpunimit dhe punës së palodhshme të çdo hallke në klubin tuaj. Urime të përzemërta për futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit, tifozët besnikë ‘Plisat’ dhe të gjithë qytetarët e Prishtinës për këtë arritje. Urime e suksese në Evropë”, ka shkruar Ademi.