Vendimi për fillimin e aktivitetit futbollistik të sezonit 2020-2021 është pritur mjaft mirë edhe në Malësi të Madhe. Përfaqësuesja e kësaj zone, Veleçiku i Koplikut si pjesë e skuadrave të kategorisë së parë ka kohë që përgatitet intensivisht nën drejtimin e trajnerit Ardi Rrustemaj. Ndonëse është konsideruar një skuadër simpatike, për hirë të së vertetes sezonet e fundit futbollistike kjo skuadër ka shkuar në limitet e mbijetesës. Edhe ky sezon nuk duket se do të jetë i lehtë për koplikasit, pasi grupit A ku ato luajnë i është shtuar edhe më shumë rivaliteti, qoftë për pretendimet e kreut të tabelës së klasifikimit por njëkohësisht edhe në luftën për mbijetesë. Megjithatë, stafi teknik së bashku me futbollistët po bëjnë më të mirën e tyre për të siguruar një përfaqësim sa më dinjitoz. Më së fundmi, pas mbylljes së bojkotit të futbollit shqiptar, Veleçiku ishte gati për startin e kampionatit për ta inaguruar me transferten e vështirë të Burrelit, takim ky që ishte planifikuar të luhej mesditen e së dieles në “Liri Ballabani”. Por befas, me vendimet më të fundit të marra nga strukturat pranë FSHF-së për luajtjen e Kupës së Shqipërisë të dielën, ndryshimet erdhën edhe për Veleçikun, të cilit këtë dielë do t’i duhet të luajë përsëri në transfertë, por këtë radhë kundra Bylisit për turin e parë të këtij kompeticioni. Një sfide kjo aspak e lehtë për koplikasit, pasi ballshiotët sezonet e fundit kanë treguar një formë të mirë sportive, gjë që e bëjnë atë favorit për kalimin e këtij turi. Sidoqoftë, edhe pse do të përpiqet të bëjë më të mirën, duke mos patur pretendime për të ecur më tej në Kupë, Veleçiku mendjen do ta ketë kryesisht tek sfida e mërkurës së ardhshme për kampionat, me Burrelin në transferte.