Boksieri i talentuar shkodran, Senad Drini do të jetë protagonist i njërit prej tre dueleve të boksit profesionist, takimet e të cilit janë të përfshira në kuadrin e Turneut Memorial të boksit “Vllaznia 2025”, i cili nis të premten me ndeshjet e ditës së parë që do të zhvillohen në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.
Një aktivitet ky që organizohet nga Shoqata e Boksit Vllaznia nën përkujdesjen e presidentit të boksit shkodran, Mondi Ndou, që është njëkohësisht edhe promoter i Fists Of Fire, organizator i turneve të shumë ndërkombëtar të boksit profesionist, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Boksit dhe që i kushtohet 14 ish boksierëve shkodranë që sot nuk jetojnë.
Pa lënë mënjanë emocionet që do të sjellin përballjet e boksit amator, një ndër kulminacionet e këtij turneu pritet të jetë dueli i boksit profesionist në mes shkodranit Senad Drini dhe rivalit të tij, kampion në Gjermani, ndeshje kjo e vlefshme për peshën deri në 76 kg.
Duel, të cilin po e pret me padurim për të dhënë më të mirën e tij në ring. Edhe pse përballë ka një kundërshtar shumë të fortë, i cili ka një rekord më vete në boksin gjerman, Drini është optimist për fitore.
Ndaj, me këtë rast, fton tifozërinë shkodrane të pasionuar pas sportit të boksit të jenë sa më të shumë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, për të ndjekur Turneun Memorial të Boksit “Vllaznia 2025”, i cili nis të premten e 6 qershorit dhe mbyllet të dielën me me datë 8 qershor 2025 me tre duelet e boksit profesionist.
Kujtojmë që Senad Drini, është pjesë e familjes sportive “Drini”, me shumë kampionë në mundje dhe boks, mes të cilëve, spikat Artur Drini, i cili pas një karriere shumë të pasur në boksin shqiptar, vijoi me po aq sukses edhe në boksin gjerman, aty ku sot drejton klubin shumë të njohur Hertha e Berlinit.
(Video) Prononcimin e plotë të boksierit profesionist, Senad Drini, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU